Kryesore

Skenarët e mundshëm të protestës studentore të 22 majit






               Publikuar në : 08:55 - 21/05/19 |
mapo.al

Të rinjtë kanë paralajmëruar një protestë të ngjashme me atë të dhjetorit të shkuar më 22 maj. Disa përfaqësi studentore nga të gjitha universitetet kanë dalë me një deklaratë zyrtare një ditë më parë pas një takimi në Korçë. Por a pritet që kjo protestë të ketë energjinë e lëvizjes së dhjetorit të shkuar? Studiuesi Taulant Muka flet për MAPO: “Nëse nuk ka kërkesa për ndryshim sistemi, protesta është e destinuar të dështojë”


Sa herë një media e huaj zbarkon në Shqipëri për të raportuar për krizën politike dhe protestat e opozitës, që kanë mbërthyer vendin prej katër muajsh, theksojnë faktin se kjo lëvizje e opozitës erdhi pak pasi studentët mbyllën protestën e tyre. Për mediat gjermane, edhe lëvizja studentore, edhe protestat e opozitës janë pjesë e simptomave të një krize që ka kapluar vendin. Pavarësisht se studentët nuk pranuan kurrë të identifikohen me opozitën politike në vend, fakt mbetet se në fokus të protestave të tyre ishte keqmenaxhimi që po i bëhet vendit.

Sot, thuajse gjysmë viti pasi nisën shkëndijat e para të protestës studentore, të rinjtë kanë paralajmëruar një tubim më 22 maj. Madje televizioni publik gjerman, ZDF i ka paraprirë situatës, duke thënë se protesta e parë u shua për shkak se studentët u kërcënuan se do humbitnin vitin akademik. Të rinisësh një tjetër vit akademik në Shqipëri, do të thotë shpenzim i madh parash dhe studentët duket se u dorëzuan.

Pavarësisht se qeveria u ofroi një Pakt për Universitetin dhe pretendon se ai është duke u zbatuar me shpejtësi dhe i plotë, sërish të rinjtë janë të pakënaqur. Në fakt steka e pritshmërive u rrit shumë pasi ata dolën masivisht në rrugë dhe tashmë e kanë kuptuar se nuk përfituan aq sa duhej të merrnin nga ai mobilizim energjish.

Por pyetja që mbetet është nëse studentët do të dalin sërish masivisht në rrugë, tashmë që po proteston edhe opozita? Jo më kot elementë të mazhorancës thonë se kjo nuk është një protestë e sinqertë studentore, por një shpikje e opozitës politike.

Jo vetëm kaq, por koha nuk duket shumë premtuese pasi shumë shpejt studentët duhet të futen sërish në ciklin e provimeve, një problem që ua ndërpreu edhe protestën e parë.

Kritikët e protestës së radhës thonë se nuk po shohin të angazhuar Lëvizjen për Universitetin apo Organizatën Politike, por në fakt edhe gjatë protestës së parë, ishte media që i lakoi më shumë këto organizata. Tek e fundit, ajo ishte një lëvizje krejt spontane, pasi të paktë ishin ata që parashikuan efektin e ‘topit të borës’ tek ajo protestë. Sinqeriteti mbeti arma më e fortë e protestës deri në momentin kur ajo u ndërpre, por nuk u shua për asnjë moment.

Ndërkohë të hënën, java nisi me një takim interesant. Studentë nga të gjitha universitetet e Shqipërisë u mblodhën në qytetin e Korçës dhe për gjashtë orë diskutuan për protestën e ditës së mërkurë.

Pas mbledhjes, studentët dolën me një vendim zyrtar për një protestë studentore kombëtare me një vendim të unifikuar nga të gjithë studentët që duan të jenë pjesë e saj. Mësohet se mënyra e protestës do të jetë e ndryshme për çdo student, disa do të jenë të pranishëm në protestën e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër do të protestojë në forma të ndryshme në qytetet përkatëse. Për qytetin e Korçës, mënyra se si do të organizojnë protestën do të vendoset nga vetë studentët në një vendim tjetër.

Në fund u publikua një deklaratë zyrtare me disa kërkesa.

“Në fund të mbledhjes u konstatua se pakti për universitetin nuk është përmbushur siç u premtua. Ne konstatuam dhe kërkojmë pikat si vijojnë më poshtë:

Portali i transparencës të bëhet funksional; Pesha e votës të studentëve për zgjedhjet e dekanëve dhe rektorëve të rritet në 25 %; Zgjedhjet e universiteteve dhe studentët kërkojnë që organet kompetente të njohin vullnetin e studentëve, pra të njohin si përfaqësues në Bordin e Administrimit kandidatin e votuar; Karta e Studentit të jetë e unifikuar dhe të ketë vlefshmëri në rang republike, për të gjithë studentët njësoj; Stazhet të paguhen të plota; Rankimi i programeve të studimit; Përmirësimi i kurrikulave mësimore; Sondazhi Kombëtar i Studentëve dështoi; Afrimi i provimit të licencës (1 muaj mbas stazhit)”

 

“Nëse nuk ka kërkesa për ndryshim sistemi, protesta është e destinuar të dështojë”

Flet ish-zëvendësministri dhe studiuesi, Taulant Muka

Z.Muka, në profilin tuaj keni disa ditë që keni lajmëruar një tjetër protestë të studentëve shqiptarë. Pse, sipas jush, po lind një protestë e re kur qeveria mendoi se e kishte zgjidhur hallin e studentëve me “Paktin për Universitetin”?

Unë mbështes çdo protestë të të rinjve që në fokus ka problematikën arsimore. Edhe pse në dhjetor dhe janar të rinjtë shqiptarë u dyndën në rrugët e Tiranës për të kërkuar investim në arsim cilësor, qeveria shqiptare vazhdoi me propagandën duke mos bërë ndryshime cilësore në arsimin e lartë dhe shkencë. Pakti për Universitetin, në momentin që flasim, është i barasvlershëm me fletëpalosjet elektorale të partive gjatë fushatës. Në krye të arsimit të lartë kemi ende dekanë dhe rektorë të korruptuar, profesora pa diploma apo me tituj akademikë të marrë në mënyrë të pamerituar, mungesë transparence të fondeve publike, dhe mungesë të një vizioni afatgjatë në zhvillimin e një modeli europian të universiteteve. Për më tepër, aktualisht po ndodh edhe një skandal me Akademinë e Shkencave. Qeveria po mbështet vendosjen e Skënder Gjinushit në krye të institucionit më të rëndësishëm të shkencës në vend; Skënder Gjinushi nuk ka asnjë produkt shkencor, e për rrjedhojë është një person “anonim” në shkencë.

Ju thoni se “do i bashkohem protestës nëse rinia kërkon burg për Ramën, Metën, Bashën dhe gjithë klasën e korruptuar të politikës shqiptare”. Mendoni se kjo protestë e re do të jetë politike, pasi në protestën e parë studentët u kujdesën që të mos artikulonin kërkesa të tilla?

Nuk duhet të humbasim kohë dhe diskutojmë nëse një protestë është politike apo jo. Përkundrazi, duhet të diskutojmë problemet që do artikulohen në protestë dhe të ofrojmë mbështetjen tonë maksimale për zgjidhjen e problemeve. Gjendja e arsimit në Shqipëri është alarmante. Unë kam bindjen se nëse nuk ka kërkesa për ndryshim sistemi, çdo nismë studentore apo qytetare është e destinuar të dështojë në plotësimin e kërkesave. E treguan dhe protestat e studentëve të Dhjetorit; askush nuk u ndëshkua, dhe jemi sërish në të njëjtën situatë. Ndryshim sistemi do të thotë edhe ndëshkim të klasës së korruptuar politike shqiptare të 30 viteve të fundit. Problemet në arsim nuk janë vetëm pasojë e keqqeverisjes së viteve të fundit, por janë një akumulim i keqqeverisjes dhe korrupsionit galopant në arsim që ka ndodhur në 30 vitet demokraci. Nëse nuk ndryshohet sistemi aktual politik, nëse personat përgjegjës nuk shkojnë përpara drejtësisë, atëherë do kemi thjesht rotacion emrash por jo zhvillim të arsimit në vend.

Nëse do të jetë politike atëherë pse duhet të mbahet tek Ministria e Arsimit, kur në fakt me studentët u përball vetë kryeministri Rama?

Për mua pak rëndësi ka vendi ku bëhet protesta. Është një vendim që iu takon studentëve dhe kujtdo tjetër që proteston për arsim cilësor. Lufta për arsim cilësor është një nga betejat më të rëndësishme që një komb ka, dhe pavarësisht vendit ku bëhet protesta, uroj që shoqëria shqiptare t’u japë gjithë mbështetjen e nevojshme të rinjve shqiptarë. Pa arsim cilësor dhe pa integritet akademik, nuk ka zhvillim social dhe ekonomik dhe një të ardhme prosperiteti për Shqipërinë.

Të bën përshtypje që në këtë protestë të re nuk duhet se kanë kontribut në organizim dhe nuk janë përfshirë përfaqësues të “Organizata politike” që ishte shumë aktive në protestën e fundit? Në fakt kush po e organizon protestën e re?

Aktiviteti i «Organizatës Politike» gjatë protestës u zmadhua nga mediat, duke qenë kryesisht një “prodhim” i qëllimshëm mediatik. Sigurisht që përfaqësues të saj ishin në protestë, por nuk kanë qenë as nismëtarët dhe as shpirti i vërtetë i protestës. Përkundrazi, morën më shumë nga protesta sesa dhanë, dhe në disa raste penguan ecurinë e saj. Kushdo që ka qenë në protesta, dhe jo vetëm në studiot mediatike, e njeh këtë realitet shumë mirë. Uroj që Organizata Politike të ketë reflektuar dhe të luftojë për një arsim cilësor dhe jo për protagonizëm.

Ish-ministrja Lindita Nikolli tha se kjo protestë është e dirigjuar nga opozita. Sipas jush e fuqizon apo e dëmton mbështetja e opozitës kauzën e studentëve?

Nuk mund të komentoj një person që duhet të ishte duke dhënë llogari para drejtësisë për 6 vitet keqqeverisje në arsim. Çdo i ri apo qytetar që ngrihet për kauzën në arsim, po bën një investim jo vetëm për të ardhmen e vete, por edhe të brezave të ardhshëm. Është detyrë e çdo opozite të protestojë dhe mbështesë çdo protestë ndaj keqqeverisjes. Në realitetin shqiptar, fatkeqësisht, opozita shqiptare është pjesë e problemit, dhe jo e zgjidhjes. Prandaj studentët në protestat e tyre duhet të kërkojnë burg për drejtuesit e partive kryesoreve në vend, majtas dhe djathtas.

Me paktin për universitetin qeveria ndërmori dhe një fushatë punësimesh në administratë nga listat e studentëve ekselentë. A është ky një lajm i mirë apo lajm i keq për studentët? A duhet të synojnë studentët ekselentë punësimin në administratë shtetërore si arritje profesionale?

Është nismë shumë e mirë mbështetja e studentëve ekselentë. Gjithsesi, nuk besoj se në administratën publike aktuale që ne kemi sot mund të përfitosh një eksperiencë profesionale që të vlen për të ardhmen. Përtej propagandës dhe fasadës, kam bindjen se realiteti për ata studentë do jetë i ndryshëm nga pritshmëritë që ata kanë. Gjatë punës sime në MARS, kujtoj 3 studentë ekselentë që po bënin stazhin. Ata nuk i shfrytëzonin aspak potencialet e jashtëzakonshme që kanë, por përkundrazi, përdoreshin për rregullim zyrash ose transport kutish. Gjithashtu, në Shqipëri ka një abuzim me termin “ekselent”. Ne ndoshta jemi vendi që prodhojmë më shumë tituj ekselence krahasuar me vendet europiane, edhe pse niveli i institucioneve arsimore është shumë i ulët.


Etiketa: , , , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas