Kryesore

Skenarët e rinj: Qershori me zgjedhje lokale dhe të përgjithshme?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:48 - 21/01/19 |
mapo.al

Opozita riorganizon veten dhe kërkon rrëzimin e qeverisë Rama me protesta popullore. Qëllimi, që në qershor të këtij viti të mbahen zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme, pa Ramën kryeministër. Revolta e studentëve dhe e banorëve të Unazës së Re mban ende në ankth mazhorancën. A po lind një parti e re politike nga studentët?






Janari politik premton zhvillime intensive me riorganizimin e opozitës, artikulimi gjithnjë e më të shpeshtë për zgjedhje të parakohshme, të mbështetur nga protestat e studentëve dhe të banorëve të Unazës së Re. Disa studentë kanë marrë nismën më të fundit për krijimin e një partie të re. Ndonëse ende nuk ka një platformë të qartë dhe organizim të brendshëm, krijimi i një tjetër force të nisur si lëvizje dhe që mund të kurorëzohet me një parti të re, ka ditë që qarkullon mes studentëve. “Disa studentë, me mbështetjen e emigrantëve dhe intelektualëve kanë marrë nismën për të themeluar një Parti të re Politike. Partia do të quhet “Shpresë për Shqipërinë”. Kjo parti nuk do të ketë një kryetar, por një Këshill Kombëtar Koordinatorësh. Kjo parti është një parti e frymëzuar nga studentët, e iniciuar nga disa prej tyre, por që synon të ngjallë shpresën e shqiptarëve dhe të marrim frenat e vendit në dorë”, -thuhet në një njoftim të grupimeve studentore që po qarkullon në rrjetet sociale. “Nisma jonë synon të hedhë poshtë këtë klasë politike dhe t’i japë fund njëherë e përgjithmonë tranzicionit pafund. Ne kërkojmë që t’i kthejmë shpresën shqiptarëve, të ngjallim dëshirën dhe ëndrrën që një ditë ky vend do bëhet. Kërkojmë nga ju, që brenda mundësive të shpalosim platformën tonë në median tuaj”, thuhet në reagim. Revolta studentore e nisur në dhjetor të vitit të kaluar ka pasur edhe jehonë ndërkombëtare, duke e parë zhvillim mjaft interesant atë që po ndodh në Shqipëri. I ndalur në protestën e studentëve, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein e konsideron protestën e studentëve si një evolucion të shoqërisë civile dhe forcim të vizibilitetit të shoqërisë shqiptare. “Protestat e studentëve janë në radhë të parë një shenjë e mirë, sepse tregojnë që shoqëria civile në Shqipëri po evoluon, si dhe forcojnë vizibilitetin e shoqërisë shqiptare”, u shpreh Flackestein në një prononcim për ABC News. Eurodeputeti shtoi se: “nevoja për të përmirësuar sistemin arsimor përmendet gjithashtu në raportin tim vjetor për Shqipërinë në Nëntor 2018”. Megjithatë ai e konsideron se qeveria po i merr seriozisht pretendimet e studentëve. Përveç protestës së studentëve, nga ana tjetër opozita në takimin e fundit të tre ditëve më parë vendosi të dalë në krye të protestave. Si forca më e madhe opozitare, Partia Demokratike u avancua në qëndrimin e saj pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar.


Qershori me dy zgjedhje?







Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, pas takimit të gjatë mori dy vendime të rëndësishme, njeri prej të cilëve ishte krijimin e një qeverie kalimtare dhe të ngarkojë strukturat drejtuese të partisë me organizimin e protestave me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës. “Të mbështesë si zgjidhje politike të krizës në vend krijimin e një qeverie kalimtare, me qëllim përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme”. Ky ishte vendimi kryesor, që nëse vijon me këtë linjë, parashikohet që në muajin qershor të këtij viti, kur zhvillohen zgjedhjet lokale, njëkohësisht të mbahen edhe ata të përgjithshme të parakohshme. Ky mbetet skenari më optimal për opozitën, që nuk e ka si kërkesë të re “zgjedhjet e parakohshme”, por kjo situatë është e nxituar nga zhvillimet në vend. Nga ana tjetër, qeveria duket e vendosur për të vijuar mandatin, pavarësisht situatës që po kalon vendi me revoltën studentore dhe të qytetarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re. Protestat e studentëve detyruan kreun e qeverisë Edi Rama që të largonte shtatë ministra dhe zëvendëskryeministrin. Lëvizja politike e Ramës u konsiderua si një reagim i detyruar dhe mënyrë për të treguar opinionit publik se me ndryshimin e kabinetit do të ndryshojnë edhe mënyrën qeverisëse. Mazhoranca është akuzuar nga politika, por edhe nga shumë qytetarë si e përfshirë në afera korruptive dhe lidhje të politikës me elementë të krimit të organizuar. Skandalet e shumta me ish-ministrat e Brendshëm të akuzuar direkt apo me të afërm të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike dhe së fundmi edhe tenderi i dyshimtë i Unazës së Re, e kanë vënë partinë e vetme qeverisëse para presionit qytetar dhe ndërkombëtar. Situata e krijuar me skandalet në nivele të larta shtetërore dhe si reagim protestën e studentëve dhe qytetarëve po shtyjnë PD-në që të ndërmarrë nisma të reja për të shkuar deri në rrëzimin e qeverisë me revolta popullore. Në të njëjtën linjë për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Ajo u ka bërë thirrje përkrahësve të saj që të mbështesin revoltën e studentëve dhe të qytetarëve, deri në largimin e Edi Ramës.




Unaza e Re dhe studentët



Frymën e protestave po e mbajnë ndezur banorët e Unazës së Re dhe një grupi studentësh me “qendrën e rezistencës”, në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Banorët e Astirit në ditën e 77-të, për banesat e tyre të cilat preken nga projekti i Unazës së Re, bënë thirrje për rrëzimin e qeverisë Rama, ndërsa u shprehën të vendosur që të mos lejojnë shkatërrimin e banesave të tyre nga projekti me afera korruptive. “Çdo ditë që ne dalim këtu neve na shtohen mbështetësin dhe qytetarët e ndershëm që janë kundër vjedhjes. Edi Rama anuloje projektin se revoltat që do shohësh në Shqipëri do ta bëjnë revoltën në Francë lule përballë asaj që do shohësh ti në Shqipëri”, -u shpreh deputeti i PD-Klevis Balliu. Krahas mbështetjes së banorëve, Balliu u shpreh se: “Rrëzimi i Edi Ramës është domosdoshmëri kombëtare. Java që do vijë do jetë javë e rëndësishme për të gjithë ne. Ka ardhur koha që qytetarët të marrin të që u takon”. Në ditët në vijim pritet riorganizim i partive opozitare, për të qenë unanim në kërkesën e tyre që lidhet me rrëzimin e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie teknike për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nga ana tjetër protestat e studentëve janë një tjetër problem serioz për qeverinë, që ndonëse ka marrë disa vendime për plotësimin e disa nga tetë pikët e kërkuara, përsëri nuk kanë mundur ta shuajnë revoltën e tyre.

1


Etiketa: , , , ,

Pas