Katër ditë përpara zhvillimit formal të zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave, kandidati i vetëm Skënder Gjinushi ka dhënë dorëheqjen si kryetar i Partisë Social Demokrate dhe ka ngrirë të gjitha funksionet politike.
“Kjo është shoqëruar me dhënien e dorëheqjes si kryetar i PSD dhe ngrirjen e menjëhershme të funksioneve. E para gjë që ka bërë reforma e drejtuar prej nesh është depolitizimi dhe ata që kanë përshëndetur politizimin atëherë, flasin tani për politizim nga ana jonë”, shprehet Gjinushi për “A2”.
Gjinushi është anëtar i Akademisë së Shkencave prej vitesh, por të paktën 12 vitet e fundit, ai ka shkelur ligjin duke qenë njëkohësisht kryetar i një partie dhe anëtar i Akademisë.
Sipas nenin 6/1 të Ligjit për Akademinë e Shkencave (foto më poshtë), “Statusi i anëtarit të rregullt, atij të asociuar, dhe i çdo funksioni tjetër drejtues të lidhur me këto funksione në zbatim të neneve 9 dhe 10 të këtij ligji, përfundon kur anëtari: C. Zgjidhet apo emërohet në funksione drejtuese në parti politike apo organe kushtetuese”.
Gjinushi ka rreth 30 vite vite në krye të Partisë Social Demokrate, por që prej vitit 2007 e këtej që kurse ka hyrë në fuqi ligji për Akademinë e Shkencave, ka qenë njëkohësisht edhe anëtar i kësaj Akademie, duke marrë pagesë prej saj.
Socialdemokrati Gjinushi iu kthen përgjigje edhe sulmeve të vazhdueshme të akademikut Artan Fuga ndërsa tregon pse nuk u mor parasysh modeli i tij. “Përveç se gjithë pjesa që quhet pr/ligj a platformë është e papërpunuar dhe e pabotueshme, kërkon të kthehet reforma e dështuar e 2008-ës”, përfundoi Skënder Gjinushi.
Lexo edhe:
Gjinushi mund të drejtojë Akademinë e Shkencave, Artan Fuga: Skandal