Monday, January 30, 2023
  • Login
Gazeta Mapo
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport
No Result
View All Result
Gazeta Mapo
No Result
View All Result

“Skënderbeu bashkëkohës”, një letërsi historike unike

by ro ot
18/01/2022
in Mapo Letrare
1

Ky punim është një gërshetim harmonik i kujtesës, e ballafaquar me të dhënat historike. Në libër rrinë bashkë Barleti, Frangu, Biemi, Budi me fshatarin e moshuar të Kaninës, të Shtjefnit, të Sinjes, Lurës, Vaut të Dejës, Kastrit, në një kuvend të barabartësh.

Nga Alfred Duka



Në një vështrim të shpejtë të historisë së popujve, çdonjëri prej tyre ka një majë shkëlqimi, e cila përbën nuklin e lavdisë, por edhe të mbijetesës për disa prej tyre. Shqipëria kulmoi në historinë e saj me Motin e Madh, pa asnjë diskutim të krijuar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, sigurisht në terrenin e ekzistencës së një fisnikërie të krahasueshme denjësisht me rajonin përreth. Mbijetesa e shqiptarëve dhe e gjuhës shqipe përbën një mrekulli më vete. Mendoj se ndajmë të njëjtin mendim me lexuesin se me Skënderbeun lidhet shkaku i parë i kësaj mbijetese, i cili u transmetua në memorien e brezave shqiptarë, si kujtesë, si kumt, si porosi, por edhe si shpresë. Ai ishte kur ne nuk ekzistonim… Vetëm Zotin kanë qenë dhe janë të gatshëm shqiptarët ta bëjnë të tyrin e përvetësojnë sa Skënderbeun. Pas kësaj qasje mendoj se është kapur autori Ndue Dedaj në shkrimin e librit të tij “Skënderbeu bashkëkohës”.

Historinë e bëjnë heronjtë dhe na e sjellin historianët nëpërmjet shkencës së tyre, mirëpo ka edhe një shkencë tjetër, shkenca e kujtesës historike popullore. Historia nuk është më shumë se sa kujtesa e popujve. Ajo rrokulliset si gurët e lumit, duke iu nënshtruar procesit të pastrimit dhe përsosjes së tyre gjatë shtratit të historisë. Me pasionin e një të riu dhe me barrën e dijeve të moshës, autori ka ndjekur si gjahtar i palodhur “prenë” e tij, memorien popullore për Heroin tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Kudo ai takoi Skënderbeun dhe kushdo që atij i foli për të, të gjithë kishin të njëjtën bindje: Ai ishte dhe është i tyre, e duan Atë për vete, nga Kanina në Prizren, nga Shkodra në Shkup. Autori e ka gjurmuar Gjergj Kastriotin nga: Shtjefni, Sinja, Vau i Dejës, Guri i Vashës, Kastri, Pertralba, Deja, Torviolli, Pashtriku, Hasi i Gurit, Prizreni, Shkupi, Lezha, Kanina, Kruja e kudo ku Ai “rron”, deri në Vjenë, ku përkrenarja e shpatat e tij presin e përcjellin qindra e mijëra europianë për t’u takuar me Gjergj Kastriotin. Dedaj na sjell zërin e kujtesës, sfondin historik, legjendat, Malin e Tij, Fushën e Kuqe, gurrën, sofrën, gjurmën e kalit, Gurin e Vashës, për të “vallëzuar” brenda një libri vallen e përjetshme të Gjergj Kastriotit. Autori është i befasishëm, disi i paparashikueshëm, pasi përgjatë kohës së ngjizjes së këtij punimi jemi takuar disa herë dhe na e ka zbuluar idenë e punimit të tij, duke thënë se po punoj për përmbledhjen e një libri me reportazhe nga adresat historike të Skënderbeut.

“Nuk duhet të ketë vetëm histori, sipas parimeve të rrepta të historicizmit, por edhe një vështrim ndryshe nga sa jemi mësuar të lexojmë deri më sot për heroin kombëtar”, ishte arsyetimi i tij. E kam pritur pa ndonjë entuziazëm atëherë, madje duke e kundërshtuar këtë ide, por libri më ka befasuar, pasi ai nuk është një përmbledhje reportazhesh, por një letërsi historike unike. Si fillues i këtij zhanri, përbën një unicitet të një lloji të veçantë të qasjes historike. Ndërmjet dy disiplinave, si ajo e historisë dhe e folklorit, zakonisht nuk ekziston ndonjë lidhje, por tek e vetmja figurë historike, ajo e Skënderbeut, në mënyrë të pabesueshme ato rrinë më njëra-tjetrën si dy anët e të njëjtës medalje. Është e habitshme se si njerëz të pakultivuar në lëmin e historisë, të flasin për Skënderbeun asgjë më pak se sa thonë historianët për të. Ata të tregojnë të njëjtat vende, të njëjtat ngjarje, për të cilat shkruan historia, sigurisht pa e lexuar një rresht prej saj. Dedaj i ka hyrë në thelb kësaj marrëdhënie, duke e provuar paradigmën e mbijetesës së memories historike, si rast unikal në histori.

A din kush të na thotë nëse ekziston ndonjë figurë planetare përveç Krishtit, të cilit t’i jetë bërë vend në sheshet kryesore të Perëndimit, si Skënderbeut? Askujt. Përse? Sepse Ai është i gjithëkohshëm, i të gjithë Perëndimit, sepse Ai është Universal. Edhe Barleti është akuzuar si panegjerist i kulluar, si zvogëlues i humbjeve dhe zmadhues i fitoreve, si letrar, ëndërrimtar etj., por ka rezultuar se dokumentet e zbuluar shekuj më pas, edhe prej armiqve të tij (Skënderbeut), kanë provuar katërçipërisht se “panegjerizmi” i tij, ishte histori e mirëfilltë, ndër të tjera, se Ai kishte zhvilluar 26 beteja, prej të cilave kishte humbur vetëm një prej tyre dhe sigurisht jo të fundit, një raport ky i krahasueshëm vetëm me Aleksandrin e Madh.

Gjatë shfletimit të këtij libri do të gjejmë fakte dhe të dhëna historike aq sa të kuptojmë se ky punim është një gërshetim harmonik i kujtesës, e ballafaquar me të dhëna shkencore historike. Në këtë libër rrinë bashkë Barleti, Dhimitër Frangu, Biemi, Budi me fshatarin e moshuar të Kaninës, të Shtjefnit, të Sinjes, Lurës, Vaut të Dejës, Kastrit, në një kuvend të barabartësh. Aty gjen pohimin e delegatit apostolik Marin Bici se këngët e Skënderbeut këndoheshin në Lezhë ende më 1610. Në vitin 1637 Frang Bardhi shkruante se malësorët e Pukës “sipas zakonit të të moçmëve ndër gostitë e veta, në rrugë e në punë, këndojnë me zë të naltë trimnitë e burrave të tyne të mëdhenj dhe sidomos të Gjergj Kastriotit, të quajtun Skanderbeg dhe të të shkëlqyeshmit Lekë Dukagjinit, princit dhe zotnisë së tyne…”. Dijetari francez Ami Bue më 1836 njoftonte se në Shqipëri ekzistonin këngë mbi Skënderbeun dhe Arianitin. Madje edhe në prani të turqve, këndoheshin këngë për Skënderbeun, shkruan Milan Shuflaj.

Autori na bën me dije qëllimin pse dhe si u shkrua libri: “Kishte kohë që lajmet e vjetra, ku përzihej letërsia gojore me historinë, na tërhiqnin drejt tyre, emërvendet, gojëdhënat, doket e besëtytnitë skënderbegiane etj. Dhe erdhi çasti i duhur, ky vit në kushtim të Heroit Kombëtar, jo për t’i gjurmuar ato në terren me laps e letër, çka e kishin bërë me durim e seriozitet shkencor të tjerë, qysh në fillimet e shekullit XX, veçmas At Marin Sirdani, por si për t’i rikonfirmuar ato, në një mënyrë tjetër. Kësisoj ndërmorëm një varg udhëtimesh për të realizuar një cikël shkrimesh publicistike nëpër adresat historike e legjendare të Skënderbeut, duke iu rikthyer kujtesës së popullit, çfarë ka mbetur ende pa u mbuluar nga kohët… Ato kanë shtegtuar dhe nëpër dallgët e detit e janë ruajtur te Arbëreshët e Italisë e arvanitasit e Greqisë si margaritarë të kurorës arbërore. Në këtë kuptim, nuk ia zbehin rëndësinë “Malit të Skënderbeut” arkivat e Europës, sepse rrëfimet e rapsoditë e tij janë autentike”.

Autori sjell si argument dhe konkluzionin e historianit Athanas Gega, se “sa më kritike të jetë Historia e Skënderbeut, aq më madhështore na paraqitet jeta e tij. Legjenda e lartësoi tepër, por historia e kritika, nuk e vogëlsojnë fytyrën e tij si luftëtar, si strateg, si hero i një kohe dhe i një kombi…” Nuk mund të mos shkëpusja nga ky libër një konkluzion të rëndësishëm se: “Historia e Skënderbeut nuk është vetëm e shkuar, për dhe e sotme. Ai mundi të ishte në Europë, në epokën kur rroi e luftoi, kurse ne, për shkak të asaj që ndodhi pas vdekjes së tij, nuk kemi mundur të jemi as sot, përpos se gjeografikisht. Ka figura të rruzullimit që mbetën përjetësisht siç ishin në kohën e vet, thua se kanë fituar dhe përmasën hyjnore. Aq e vërtetë është qenia e tij si bashkëkohës i çdo gjenerate njerëzore, sa për Skënderbeun të gjithë shqiptarët kanë librin e tyre të shkruar apo të pashkruar”. Në këtë perspektivë vetëm njerëzit e mëdhenj, që e dinë vlerën e lirisë dhe kanë luftuar për të, mund ta kuptojnë Skënderbeun.

Duke apeluar për trashëgiminë skënderbegiane, autori shkruan: “522 goditje tërmeti pati (pranverën e shkuar) në Gjirin e Lalzit…vrapuan për atje zëngjinët e Tiranës… Por nuk kemi lajme se ç’ndodhi pas tërmetit, shkuan apo jo te Kalaja e Skënderbeut njerëzit e monumenteve?”.

Do të shtoja se asnjë popull nuk do të sillej me kalanë rezidenciale të Heroit të Kombit si ne me të ashtuquajturën “Kalaja e Rodonit”, në fakt e Skënderbeut. Ndodhitë me Skënderbeun, njerëzit i rrëfejnë si t’i kenë pasur të shkruara jo në libra, por në faqet e maleve; kështu na e sjell autori Ndue Dedaj kujtesën popullore për Heroin tonë. Ai i lë të lirë rrënimtarët, i beson të gjithë, nuk ia “prish” askujt, edhe kur ata shfryjnë fantazinë, sidomos për përkatësinë krahinore të Skënderbeut, ku secili prej tyre e pronëson Atë, duke e sjell sa me afër e brenda vetes, si Zotin. Dhe janë në të drejtën e tyre, ani se Ai ishte dhe është më i madh se Shqipëria.

 

Tags: historiLetersiNga Alfred DukaSkënderbeuunike“Skënderbeu bashkëkohës”

JU SUGJEROJME

Botimi i UET PRESS/ Gegët dhe Toskët e Mustafa Nanos, në një vepër studimore
Kryesore

Botimi i UET PRESS/ Gegët dhe Toskët e Mustafa Nanos, në një vepër studimore

17/12/2022
Panairi i Librit 2022/ Nga Arti i Fjalës tek Arti i të Menduarit, 40 botime të reja në stendën e UET PRESS
Kryesore

Panairi i Librit 2022/ Nga Arti i Fjalës tek Arti i të Menduarit, 40 botime të reja në stendën e UET PRESS

16/11/2022
Botim i ri i UET PRESS, Preç Zogaj: Letërsia duhet të të mallëngjejë
Kryesore

Botim i ri i UET PRESS, Preç Zogaj: Letërsia duhet të të mallëngjejë

12/11/2022
“Tri Format e Mendimit”, Arben Imami: Nuk kemi fat tjetër veçse të bëjmë politikë të mirë
Kryesore

“Tri Format e Mendimit”, Arben Imami: Nuk kemi fat tjetër veçse të bëjmë politikë të mirë

10/11/2022
Next Post
13 Tetori, ose loja me detyrim-përcaktim

Një skenë teatri absurd në Kuvendin e Shqipërisë

Comments 1

  1. studiuesi says:
    4 years ago

    I nderuar Ndue Dedaj, te lumte per librin, me nje vrektje, se eshte Dhimiter Frangu i pari nder te pare shqiptare, qe ia shkrouajti e botoj latinisht historine Skenderbeut pas 12 vjet te vdekjes tij., me 1480 ne Venedik, me tipografin e njohur gjerman Erhad ratdolf. Barleti shkruajt e botoj librin e tij, pas 50 vjet te vdekjes se Sknderbeut, dhe 30 vje pas vepres se Frangut. Keto jaan fakte qe s(i lot topi.

No Result
View All Result

     








Më Të Lexuarat

  • Plani franko-gjerman, aktivistët e partisë së Vuçiç po përgatisin tubime në mbështetje të tij
  • PS dorëzon në KQZ kandidaturat për anëtarë të KZAZ
  • Mitsotakis shpëton qeverinë, rrëzohet Tsipras
  • Tronditëse në Gramsh, burri vret gruan dhe vëllain e tij
  • Zelensky falenderon Perëndimin për tanket, por i shqetësuar “bishat” se arrijnë shumë vonë



Editorial: [email protected]
Synimi: Ndikimi në debatin dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Editorial: [email protected]
Synimi:
Ndikimi në debatin shoqëror dhe veprimtarinë e aktorëve shoqëror përmes përthyerjes së ngjarjeve dhe fenomeneve me interes publik është synimi kryesor i Gazetës

Marketing

Drejtor Marketingu
Ledio Trungu
Tel : +355683673191
Email : [email protected]

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

No Result
View All Result
  • Shqipëria
    • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Ekonomi
    • Sociale
  • Opinione
    • Editorial
    • Analizë
    • Koment
    • Blog
    • Gjeopolitikë
  • Universiteti
    • Politologji
    • Jurisprudencë
    • Economi
    • Inovacion
    • Mjekësi
  • Bota
    • BE
    • Kosova
    • Maqedoni
    • Mali i Zi
    • Globi
  • Revista
    • Libri
    • Letërsi
    • ShowBiz
    • Shije
    • Sport

2022. Te gjitha te drejtat e rezervuara
Dev by Wearedope.com

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In