Kampionët u nisën dje ende pa gdhirë mirë drejt Turqisë, për të zhvilluar fazën përgatitore të dimrit. Skuadra ka udhëtuar tranzit, ku më parë është ulur në aeroportin e Prishtinës përpara se të nisej drejt Antalias, ku korçarët kanë prenotuar qëndrimin e tyre 11 ditor.
Skënderbeu i trajnerit Stanislav Levi, që do të qendrojë gati dy javë në dimrin e zbutur të Antalias, ndërsa seancat e atjeshme do të shërbejnë që trajneri çek të ndërtojë e zbatojë edhe më mirë idetë e veta në skuadër dhe të kryejë fillimin e përshtatjes lojtarëve të blerë në këtë merkato dimri. Orelesi dhe Gvozdenovic do të bashkohen me pjesën tjetër të futbollistëve në Turqi. Nigeriani vjen direkt nga vendi i tij, kurse serbi nga klinika çeke ku ka disa ditë që punon në një sallë riaftësimi, çka tregon se është i gatshëm për Levin.
Bardhekuqtë do të synojnë sërish titullin kampion, pasi e kanë marrë veten nga një nisje e vështirë e sezonit dhe duke qenë 9 pikë pas vendit të parë, por me një ndeshje më shumë për të luajtur. Sipas burimeve nga Korça, nuk besohet që në skuadër të ketë afrime të tjera, me përjashtim të ndonjë rasti të paparashikuar.
Merkatoja
Sebino Plaku, blerja më e fundit e Skënderbeut, ditën e martë është bashkuar me ekipin dhe ka zhvilluar dy stërvitjet e para me fanellën kuqebardhë, ndërkohë që pavarësisht se nuk kanë firmosur akoma, Sokol Cikalleshi, Tomash Peciar dhe Peter Dunica, të tre këta futbollistë që janë afruar në këtë merkato, nën zë janë quajtur lojtarë të Skënderbeut dhe kur të kthehen nga Turqia, do të firmosin kontratat e reja. Në fakt, orët e fundit është folur edhe për afrimin e Gilman Likës, ku korçarët pretendonin se do të ishte blerja e fundit e tyre në këtë merkato, por ka gjasa, madje më shumë se 90%, që Lika të mos vijë te Skënderbeu edhe për atë se Levi dhe stafi i tij nuk presin më lojtarë të tjerë që të vijnë, pasi çeku e do grupin e plotë që ditën e parë në Antalia dhe nuk mund të pranojë lojtarë të tjerë që mund të vijnë në fundin e fazës përgatitore.
Megjithatë, përjashtime mund të ketë. Emri që është lakuar më së shumti dje në qytetin e Korcës, është kapiteni i Flamurtarit Artan Sakaj. Lojtari për momentin gjendet në Turqi me Flamurtari por mesa duket ka oferta dhe nga Tirana, Vllaznia e së fundmi mund të ketë një të tillë nga Skëndërbeu. Te Sakaj drejtuesit korcarë vlerësojnë përvojën që ka në fushat shqiptare, plus kësaj faktin që luan së paku në tri pozicione, në krah të djathtë të mbrojtjes, në qëndër dhe në mesfushë.
Renditja e IHFFS, Shqipëria e 71-ta
Kampionati i Shqipërisë është i 71-ti në botë, duke fituar 4 vende nga një vit më parë. Instituti i Historisë dhe Statistikave në Futboll, ka nxjerrë renditjen e re, që përkon me atë të vitit 2011 dhe në krahasim me një vit më parë, vërehet se Superliga ka fituar 4 pozicione. Ndonëse kemi lënë poshtë shtete si Islanda, Uellsi, Bosnja-Hercegovina apo Armenia, përpara nesh kemi shtete si Zambia, Sudani, Tajlanda apo edhe Maqedonia.