Skënderbeu ka arritur të marrë një pikë in extremis në sfidën e luajtur në “Niko Dovana” ndaj Teutës vendëse. Durrsakët kanë qenë në avantazh deri në minutën e 91-të, por pikërisht kur po i mendonin të marra tre pikët, Nazmi Gripshi ka ndëshkuar ish-ekipin e tij dhe i ka dhënë një pikë morali skuadrës së Orges Shehit. Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë pa emocione, ndërsa asnjë nga skuadrat nuk ka kërcënuar portën kundërshtare.
Kjo deri në sekondat e fundit të këtij fraksioni, kur jjë prekje e topit me dorë nga ana e Marko Radas, bën që gjyqtari Klajdi Kola të akordojë një penallti shumë të dyshimtë për vendësit. Te pika e bardhë u paraqit Sherif Kallaku, që e kthehu e lehtësi në gol, ndërsa kroati Radas pas të verdhës së 11-metërshit rrezikoi dhe kartonin e kuq për protesta të shumta ndaj kryesorit Kola.
Në pjesën e dytë Teuta është më e çlirët dhe do të gjejë golin e dytë në minutën e 61-të të ndeshjes, kur një aksion mjaft i bukur i të zotëve të shtëpisë është finalizuar në mënyrë të saktë nga ana e Traore, që mbahet në pozicion të rregullt nga Marko Radas. Traore shkëputet me shpejtësi dhe hyn në zonën e rreptësisë duke mposhtur me një goditje të saktë rrafsh me tokën.
Dhe atëherë kur u mendua se korçarët do të dilnin sërish me kokën ulur nga “Niko Dovana”, vjen dhe reagimi prej kampioni i Skënderbeut. Fillimisht Gjergj Muzaka ka shkurtuar shifrat duke shënuar golin e parë për Skënderbeun në minutën e 67-të. Ka qenë një gjuajtje e Sibos në diagonale, por topi ka gjetur vetëm shtyllën. Muzaka është treguar i vëmendshëm duke ndjekur aksionin dhe shtyn topin duke ndezur shpresat korçare për një barazim të mundshëm, ndërsa në frymën e fundit të ndeshjes, ka barazuar Nazmi Gripshi, me ish-lojtarin e Teutës që ka goditur një diagonale të saktë për të thyer Isli Hidin e më pas nuk feston golin për respekt të ish-ekipit të tij.
Durrsakët protestojnë fort te gjyqtari Kola, por kryesori bën me gisht nga mesi i fushës. Në çastet e fundit të sfidës, Teuta kërkon golin e fitores, por nuk do të kërcënojë më portën e Dajsinanit, duke bërë që ekipet të ndahen me nga një pikë. Teuta ngjitet në kuotën e 40 pikëve, 4 më pak sesa Kukësi i vendit të dytë, ndërsa Skënderbeu shkon në 34 pikë.