Skënderbeu vijon ngjitjen drejt majës së tabelës dhe në rrugëtimin e tij nuk ka kursyer as fqinjët e Pogradecit. Në ndeshjen që u zhvillua në “Selmat Strëmasi” të kryeqytetit, për shkak të kushteve të rënda atmosferike në juglindje, Skënderbeu ka gëzuar tifozërinë e tij me një rezultat të pastër, 3-0, që e ngjit formacionin e drejtuar nga Stanislav Levi në kuotën e 36 pikëve, vetëm një më pak se Tirana e vendit të dytë dhe 6 më pak se Teuta kryesuese. Sidoqoftë, Skënderbeu shpreson që pas kryendeshjes së fundjavës, Teuta-Tirana, të ketë rikuperuar edhe më shumë në renditje.
Skënderbeu e ka nisur ndeshjen me vrull dhe pogradecarët kanë rezistuar 37 minuta, derisa janë detyruar të shënojnë në portën e tyre. Një krosim i përpiktë i kapitenit Shkëmbi në zonën liqenore e ka detyruar Çajkun të shënojë në portën e vet, në përpjekje për ta larguar topin. Më pas, gjithçka bëhet më e lehtë për Skënderbeun, që e ndjen veten të çliruar psikologjikisht. Minuta e 40-të e lojës ka qenë e ankthshme, sepse i sapombërrituri te Skënderbeu, Amarildo Dimo, ka pësuar një dëmtim dhe është dërguar me ambulancë për në spital. Fatkeq ish-kapiteni i Bylisit, që një situatë të tillë e ka përjetuar edhe në ndeshjen e Shkodrës kundër Vllaznisë. Vendin e tij e ka zënë Allmuça. Pjesa e parë është mbyllur me këtë rezultat, por në të dytën, Allmuça ka konkluduar në portën e Hoxhës së Pogradecit në minutën e 55-të, duke konkretizuar epërsinë territoriale dhe të zotërimit të topit nga ana e të tijve. Pogradecarët mundohen të kundërsulmojnë herë pas here, por nuk kanë forcën e duhur. Mesfusha zotërohet nga kuqebardhët, kështu që çdo iniciativë ofensive e liqenorëve drejt kuadratit të Orges Shehit thyhet që aty duke e lënë portierin të bëjë vetëm nxehmje në zonën e tij të rreptësisë. Madje, mesfushorët e Skënderbeut janë përcaktues në këtë ndeshje, me golat e tyre, sepse veç Allmuçës, ka menduar t’i trefishojë shifrat edhe Bratiç. Duke vulosur e vënë në shina të sigurta fitoren e skuadrës së Levit, që tashmë e shikon veten në kuotën e 26 pikëve. Jo shumë larg nga kreu, i cili mbahet nga Teuta, por tashmë është më shumë se kurrë i arritshëm. Korçarët pozicionohen në vendin e tretë të Superiores, me vetëm një pikë më pak se bardheblutë e vendit të dytë, ndërsa distanca me kampionët e dimrit, Teutën, është 6 pikë.
Laçi-Vllaznia rrezikon të shtyhet
Një nga 7 ndeshjet e javës së 14-të të Superligës shqiptare është në hall se ku do të luhet. Laçi dhe Vllaznia nuk mund të dalin në fushën kurbinase, pasi kjo është pezulluar që nga dhuna e ushtruar nga gjyqtarit Lorenc Jemini, në takimin ndaj Kastriotit. Në Shkodër natyrisht që nuk mund të luhet për faktin se është fushë e Vllaznisë, por edhe sikur të binin dakord palët, dëbora e ka mbuluar qytetin buzë liqenit dhe nuk bëhet fjalë që ta lëshojë shpejt.Poku do të gjendet një strehë? Në Tiranë luan Dinamo me Apoloninë, në Durrës luan Teuta me Tiranën dhe në Kamzë shkon Flamurtari. Vështirë se fusha e Besëlidhjes në Lezhë të plotësojë ato kushte që duhen, por ka shumë mundësi që kjo përballje të vendoset për t’u luajtur në Krujë. Jo vetëm sepse Kastrioti udhëton për në Pogradec, por edhe sepse qyteti i Skënderbeut nuk është aq larg Shkodrës, ndërsa është shumë pranë Laçit. Pritet vetëm që të bihet dakord dhe të dalë njoftimi i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Superliga
E prapambetur
Skënderbeu – Pogradeci 3-0
Shënues: Çajku 37′ (aut), Allmuça 55′, Bratiç 63′
Renditja
Skuadra N F B H P
1) Teuta 13 10 2 1 32
2) Tirana 13 8 3 2 27
3) Skënderbeu 13 7 5 1 26
4) Kastrioti 13 7 2 4 23
5) Flamurtari 13 6 4 3 22
6) Bylis 13 5 3 5 18
7) Shkumbini 13 5 3 5 18
8) Vllaznia 13 5 2 6 17
9) Kamza 13 4 2 7 14
10) Pogradeci 13 5 1 7 13
11) Laçi 13 4 5 4 11
12) Tomori 13 3 2 8 11
13) Apolonia 13 2 2 9 8
14) Dinamo 13 0 4 9 1