fbpx

Editorial

Sokëllimat e Ramës dhe kushtet hyjnore të Bashës






               Publikuar në : 21:07 - 03/10/19 |
Nga Gentian Gaba

Nga Gentian Gaba


Si gjithë kjo javë e rrëmujshme, e enjtja nuk filloi nën oguret më të mira për shqiptarët. Në orët e para të mëngjesit vijnë ‘notification’ në telefon për dy ngjarje të ndodhura gjatë natës; një plagosje në Durrës dhe një shtëpi e hedhur në erë në Fushë Krujë. Zezona vijon më andej me lajmin e çuditshëm mbi bastisjen e Ministrisë së Brendshme, dy herë në një muaj. Pasandaj me të tjera ngjarje e aksidente që e bëjnë vendin të ngjasojë herë me një ‘morg të madh’, me pesë viktima brenda pak orëve; dhe herë me kryeqendrën e drogërave në Europë, si rasti i kokainës me ‘stemën’ e Elbasanit ose gomones të ngarkuar në Vlorë me 2.5 ton hashash.



Kësaj panorame, të ‘pasuruar’ nga një ekonomi në pikiatë, një popullsi në arratisje e sipër dhe një krizë politike që kërkon zgjidhje të menjëhershme, i shtohen edhe sokëllimat e krerëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Konservatore Albania.

Si shakaja e fundit e kësaj krize, apo e gjithë Tranzicionit, kjo dyshe mbushi plot qesëndi pjesë të së enjtes parlamentare. Secili nga pozicioni i tij, por të dy të lidhur nga i njëjti hall, mbijetesa.

Për këtë arsye Rama fliste me këmbë edhe duar; ndërsa Gjuzi reagonte me shqisat e një qenie të trembur. Përpiqeshin të ekzorcizonin frikën që i’u ka mbirë në bark, për shkak të ndryshimit drastik të kontekstit politik të brendshëm dhe të jashtëm.

Si avokati i palës mbrojtëse, Rama kërkonte të gjente arsye përtej arsyeve që Europa dha, të zezë në të bardhë, nëpërmjet Bundestagut. Me të njëjtën hipokrizi me të cilën dikush sheh ‘ashklën në syrin e tjetrit, përpara se të shohë traun në syrin e tij’, arriti të gjejë probleme të brendshme në vendet anëtare. Megjithëse, në asnjë moment nuk pati dëshirën për të parë brenda shtëpisë së tij; apo diferencën me të cilën po trajtohet Maqedonia e Veriut nga kjo Europë plot me ‘halle’.

Dhe kur mbaroi pikturimin e ‘armikut të jashtëm’, që po bëhet përherë e më i rrezikshëm nga momenti që dy prej bashkëpunëtorëve për foton me Obamën janë dënuar me burg në SHBA, u hodh te ‘armiku i brendshëm’. Me gjestet dhe pamje prej inkuizitori pyeste Bashën: Kush je ti, me çfarë dekreti hyjnor më nis mua plane?!

Një pyetje në dukje tallëse, por që në fakt përmban edhe thelbin e frikës së Ramës, dhe mikut të tij Gjuzi. Sepse nëse Basha është tokësor, nëntë kushtet që i kanë dhënë atij forcën e kushtëzimit politik ndaj Ramës, janë tërësisht hyjnore. Duke ardhur nga ylli më i shndritshëm i politikës Europiane, i japin Bashës dhe opozitës së bashkuar, një pozicion epror kundruall një mazhorance të delegjitimuar brenda dhe jashtë vendit, për shkak të dosjeve 184 dhe 339, dhe jo vetëm.

Përballë ndërthurjes së kushteve të ndërkombëtarëve dhe propozimit të opozitës për Reformën Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës, tashmë të hapur për konsultim publik, real politika sugjeron se ajo që do të duhet të bëjë disa hapa mbrapa është pikërisht pala ofenduese. E thënë më thjeshtë, janë  ata që futën gangsterët në Parlament dhe bashki, dhe mbushën faqet e gazetave perëndimore me përgjimet e nomenklaturës së PS-së.

Sigurisht Rama mund të dojë të jetë lideri i një shteti pa Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese, me një pushtet vendor monist dhe me një Parlament me 122 deputetë, dhe të shtyjë normalizimin e vendit nëpërmjet shtyrjes së realizimit të kushteve për në kalendat greke.

Mirëpo, kjo nuk përkon me agjendën e aleatëve tanë dhe, për më tepër, nuk përkon me agjendën tonë ndërkombëtare. Jo vetëm si kandidat për çeljen e negociatave, por si shteti që në 2020 do të ketë drejtimin e OSBE. Sepse për të marrë përsipër presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, lipset një shtet funksional. Ramës, si kryeministër dhe si Ministër i Jashtëm, nuk do t’i lejohet ta çojë vendin në këtë takim të rëndësishëm për pjekurinë tonë institucionale dhe ndërkombëtare, në trajtën e një shteti monist.  Andaj, nga momenti që si kryesues të OSBE-së do të duhet të merremi me zgjidhjen e konflikteve në gjithë rajonin, duhet si fillim të zgjidhim konfliktin e brendshëm.

Dhe për të mbërritur te zgjidhja, plani i vetëm i Ramës, mbetet dekreti hyjnor i Bashës.


Etiketa: , , , ,

Pas