Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për nëntë anëtarët e organizatës së trafikut të drogës, e drejtuar nga vëllezërit Habilaj. Veçohen hetimet për ish-ministrin Saimir Tahiri.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për nëntë të akuzuarit e organizatës së trafikimit të lëndëve narkotike, e kryesuar nga i pandehuri Moisi Habilaj dhe dosja pritet që t’i përciellet shumë shpejt gjykatës. Por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi Prokuroria ka vendosur ta veçojë hetimin për të.
Një burim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda tha të hënën se dosja hetimore në ngarkim të të pandehurve Moisi Habilaj, Florjan Habilaj, Fatmir Minaj, Sabaudin Çela, Nezar Seiti, Armando Koçerri, Armando Sulaj, Maridjan Sulaj dhe Tigrens Mezuaraj është përfunduar dhe pritet që në ditët në vazhdim të kalojë në gjykatë për shqyrtim.
“Hetimi për ish-ministrin Tahiri është veçuar dhe pritet që vendimi mbi çështjen e tij të merret më 17 janar 2019, kur edhe përfundojnë afatet e hetimit të shtyrë në mesin e tetorit 2018,” tha burimi i Prokurorisë në kushtet e anonimatit. Sipas tij, çështja “Tahiri” mbetet ende të pritje të përgjigjeve të letër-porosive të dërguara në autoritetet e drejtësisë italiane.
Të pandehurit e dosjes “Habilaj” akuzohen për veprat penale të trafikimit të narkotikëve në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, krijimit të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave nga organizata kriminale. Ata akuzohen se në një hark kohor disavjeçar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë trafikuar kanabis drejt Italisë.
Në Itali, procesi gjyqësor ndaj vëllezërve Habilaj dhe anëtarëve të tjerë të kësaj organizate është drejt përfundimit dhe prokuroria e Katanias ka kërkuar dënimin me 18 vite e 8 muaj burg për Moisi Habilajn, 12 vite e 4 muaj burg për Meridian Sulaj, 6 vite burg për Nezar Seitaj si dhe ka pezulluar gjykimin për Fatmir Minajn.
Gjithashtu është kërkuar dënimi për bashkëpunëtorët Italianë të vëllezërve Habilaj, konkretisht për Antonio Riela 15 vite burg, për Angelo Busaça 8 vite burg, për Gianluca Passavanti 4 vjet e 20 mijë euro detyrim ndaj shtetit dhe Gianluca Spampinato 10 vite e 4 muaj burg.
Anëtarët e organizatës së drejtuar nga vëllezërit Habilaj u ndaluan në tetor të vitit 2017 nga autoritetet italiane, teksa po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike nga Shqipëria drejt vendit fqinj. Atëherë u arrestuan Moisi Habilaj, Fatmir Minaj dhe Meridjan Sulaj dhe u shpall në kërkim Nazer Seitaj, i quajtur si “financieri” i kësaj organizate kriminale.
Po në vjeshtën e vitit 2017, në Babicë të Vlorës, në magazinën e Armando Koçerrit u gjetën dhe sekuestruan rreth 4 ton cannabis sativa, episod ky që u shoqërua me procedim penal edhe në Shqipëri. Pas zbulimit të këtij grupi të strukturuar kriminal nga autoritet e drejtësisë italiane, prokuroria shqiptare shpalli në kërkim edhe disa drejtues të policisë së Vlorës, të cilët dyshohet se bashkëpunonin dhe u jepnin ndihmë në trafikun e drogës vëllezërve Habilaj. Ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergji Kohila janë aktualisht në kërkim.
Si fillim, në dosje prokurorët i referohen një aksioni policor në fshatrat Treblovë e Vezhdanisht më 4 tetor 2016, gjatë të cilit u asgjësuan disa parcela që furnizoheshin përmes tubacioneve, të lidhura me një rezervuar uji.
Më tej, Prokuroria i referohet edhe grupit të parë të arrestuar e të dënuar tashmë, që njihet ndryshe si “grupi i Treblovës” dhe që u shpallën fajtorë si kultivues të këtyre parcelave.
Për këtë shkak, Prokuroria sjell në vëmendje bisedën e Taulant Haxhirajt, i cili u thotë anëtarëve në telefon se “çdo gjë bëhet me shtet”. Pra – shpjegon Prokuroria, – ky aktivitet kriminal ndodhte në dijeni të Policisë së Shtetit.
Në dosjen e dorëzuar tashmë në Gjykatë për grupin “Habilaj”, janë renditur si provë e bashkëpunimit të anëtarëve të grupit me Policinë edhe disa përgjime telefonike.
Mes tyre është edhe biseda e Florian Habilajt me ish-shefin e Policisë Kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, i cili e telefonon vetë për ta takuar në lagjen “Çole” në Vlorë.
PERGJIMET
Më datë 15.10.2017, ora 09:11, numri që mbaron me 777, që përdoret nga Florian Habilaj, është telefonuar nga numri që mbaron me 888, që i përket Sokol Bodes.
Bode: Alo?
Habilaj: Po.
Bode: Si je flori, mirë jeni?
Habilaj: Mirë, faleminderit.
Bode: Sokol Bode të shqetëson.
Habilaj: Po.
Bode: Po vij për 10 minuta n’bazë.
Habilaj: Ku të pres?
Bode: Poshtë.
Habilaj: A do të vij te karburanti?
Bode: N’Çole, N’Çole.
Habilaj: Hajt se po vij aty.