Aktualitet

Solli dritë për Pukën e Fushë-Arrëzin, vetë mori terrin e burgut














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:40 - 06/07/21 |
Nga Gjergj Jozef Kola

KRIMET E KOMUNIZMIT






Ton Martini, shkodrani që ndriçoi qytetin e Pukës e të Fushë-Arrëzit dhe u dënue nga diktatura “de jure: me tri vjet heqje lirije” për sabotazh e “de facto: me vdekje”, sepse kaloi infarkt në zemër e vdiq pa asnji ndihmë mjekësore në gjendje arresti në moshën 54 vjeç në qytetin e Pukës.


Ton Martini u lind në nji familje shkodrane me traditë në shekullin e 19-të e mbaroi shkollën ndër jezuitët shqiptarë, të quejtun edhe saveriane. Kjo ishte shkolla e parë zinxhir nga fillorja e deri në gjimnaz ne mbarë trojet shqiptare të Ballkanit e hapun në gjuhën shqipe. Ajo ishte nji ndërtesë trekatëshe e stilit kolegj-europian dhe u hap gati 10 vjet para shkollës fillore të Korçës, e cila edhe ajo u hap nga protestantë, meqë për shqiptarët, si myslimanë e ortodoksë ishte e ndalueme prej klerit respektiv nji hapje e tillë shkollash në gjuhën shqipe.







Gjimnazi Saverian i Shkodrës me gurthemelin e Arqipeshkevit gjerman Karl Pooten në vjetin 1877 ka të ruejtuna të gjitha dokumentet, bashkë me emnat e profesor doktorëve që kanë mbarue në universitetet ma të mira të kohës e që kanë dhanë mësim në të, që nga themelimi. Porse diktatura komuniste e mbylli kët shkollën e parë 12-vjeçare shqiptare sapo erdhi në pushtet më 1944. Kështu Ton Martini i pregatitun me nji shkolle solide, mësoi profesionin e mekanikut e hapi nji ofiçinë të vetën private në bashkëpunim me firma italiane. Zotënonte italishten, latinishten e serbokroatishten në të shkrueme e të folun e aktiviteti i tij i parë, që ishte në nji minierë të Kabashit të Pukës e që menaxhohej nga nji firmë italiane, nisi me dhanë frutet e para.



Aty ai nisi si partner i barabartë të punonte si mekanik e përkthyes njiherësh. U martue me Karolina Simonin, nga familja e njoftun e me traditë qytetare Simoni dhe shpia iu mbush plot me tre fëmijë, Salvatorin, Katrinen e Bernardin. Luftën e dytë e kaloi me punë e djersë e me kapitullimin e Italisë, nuk pranoi me shkue me vazhdue aktivitetin në Itali me partnerët që e ftuen, porse qëndroi me i shërbye vendit në profesionin e tij. Me ardhjen e diktaturës komuniste nisi punë si teknik-mirëmbajtës i makinerive në fabrikën e çimentos në Shkodër e së shpejti erdhi thirrja nga Puka e Fushë-Arrëzi ku kishte emnin e mirë si mjeshtër e teknik. Aty nisi me punë si kryemekanik në sharrat e Fushë-Arrëzit e njiherësh si kryeteknik në qytetin e Pukës.



Diktatura e kthen pasionin në fatkeqësi
Motori elektrik që kishin lanë italianët për ndriçimin e qytetit do të bahej pasioni porse edhe fatkeqsia e madhe e jetës së tij, gja që mund të shërbente për titull të kësaj drame-tragjike.
Mekaniku i apasionuem i futet punës dhe me sakrifica të jashtëzakonshme e pa pjesët e ndrrimit, arrin me e vu në punë motorin elektrik e me ndriçue për herë të parë qytetin e Pukës. Shkollat, bashkia, ambulanca e institucionet e qytetit mbushen me dritë, falë shkodranit Ton Martini.

Natyrisht që nji gja e tillë nuk u pa me sy të mirë nga komunistat, për arsye se familja Martini mbahej si nji familje pasanikësh shkodranë, antiparti. Kështu dikush organizoi nji defekt në motor dhe Ton Martini erdhi menjiherë nga Fushë-Arrëzi (nji qyteze e vogël që asht diku 20 km larg qytetit të Pukës) dhe e dalloi se defekti ishte i “bamë” e jo “i ngjamë”. E arrestuen të nesërmen me akuzën e randë të “sabotazhit të pronës socialiste” dhe mbas nji hetimit disamujor në hetuesinë e qytetit, gjykata e Pukës e dënoi me tri vjet heqje lirie.

Apeli në gjykatën qendrore të Shkodrës nuk ia luejti asnji ditë e ishte me fat që nuk ia shtuen. Porse fati e kishte ndërtue me kohë tragjedinë e jetës së tij. E mbajnë në burgun e Pukës me qëllim që prej aty përditë të merret me reparaturën e motorit elektrik të qytetit për të cilin edhe asht dënue në nji tragjedi absurde që ia kalon tana tragjedive greke të marra së bashkut. Ton Martini ia arrin, si në nji dramë prometejane, me ia dhënë zjerrmin e dritën sërish qytetit të Pukës. As vetë Migjeni që kishte dhanë mësim në shkollën ku Ton Martini solli dritën, nuk do e kishte mendue se jeta në kët’ qytet kishte me shkrue nji tragjedi kaq të tmerrshme e të paskrupullt: Komunistat prishin motorin, dënojnë teknikun që e kishte vu në punë dhe e detyrojnë si të dënuem me e rregullue prap’.

Ndërsa rregullon motorin elektrik për të cilin asht dënue me tre vjet, në kushtet e të ftoftit, urisë, punës së randë, largesisë së familjes e tre fëmijëve që nuk e lajnë me i takue, ai që rregulloi zemrën e motorit e i dha dritë qytetit, nuk pati ma forcë për zemrën e vet dhe ajo u fik në mes të krahnorit pukjan në nji shkurt të akullt të vjetit 1952.
Sot asnji pllakë përkujtimore, as nji artikull në muzeum për Ton Martinin, shkodranin që solli dritën në qytetin e Pukës e të Fushë-Arrëzit. Nji qytetnim që nuk iu asht mirënjoftës martirëve të tij ka nji të ardhme të turbullt.

Nji nanë me tre fëmijë lufton e vetme kundra nji diktature të tanë
Karolina Martini ishte me tre fëmijë kërthi kur në dhjetorin e nji të ftofti të thellë të vjetit 1944 hynë forcat e zonës së parë operative në lagjen në mes të Sarreqit dhe Arrës së madhe, rruga “Edith Durham” dhe sekuestruen gjithçka që kishte nji vlerë materjale e mund të merrej me vedi, që nga pianoja gjermane e deri te pikturat italiane. Fati i saj i madh, e ja kishte shndrit Zoti mendjen e pajën e prindërve e kishte mshefë nën aher, jo prej komunistëve, se nuk dijshin gja se po i grabitshin nëpër shpia, porse ma fort prej ndonji hajduti të natës.

Kur komunistët hynë e morën çka nuk ishte e gozhdueme dhe e betonueme, njërit nga partizanët trima të zonës së parë operative i ra në sy gjerdani i martesës të cilin ajo nuk e hiqte ditë-natë. Partizani i vuri pushkën në gji dhe i kërkoi gjerdanin të ia jepnin për partinë e popullin, në emër të së cilës, komunistët kryenin terror shtetnor ndaj popullsisë. Ajo me duer që dridheshin e tre kërthi rreth vedit deshti me ia dhanë kur ndërhyni nji oficier korçar dhe në çastin e fundit e ndaloi me fjalët se ne “nuk grabisim nënat e thjeshta të popullit”…(Gjerdanin prej diamantesh ajo e shiti copë e grimë, gurë mbas guri, që nga vjeti 1952 kur i vdiq i shoqi e me të e pajën që kishte pshtue prej komunistëve, rriti 3 fëmijët derisa u banë me dalë vetë në jetë, ngaqë shëndeti nuk ia lejoi me vazhdue gjatë punën në fabrikën e tullave ku punoi nji vjet e ra e sëmurë.)

Karolina Martini rridhte nga familja e njoftun shkodrane Simoni, ajo edhe në moshën 84 derisa ndrroi jete, kur binte dera e vinte kush, pyeste të birin: “Nardi, lum nana, erdhën prap komunistat me na marrë pasunine?” “Jo moj nanë janë kojshitë që hinë e dalin.” Për nji jetë të tanë jetoi me tmerrin që i kishin fut komunistat e ajo gryka e ftoftë e pushkës në gji nuk iu hoq kurrë deri në ditën e fundit. Askush nuk e ka përshkrue deri më sot, megjith’ numrin e madh të shkrimtarëve shkodranë, tmerrin psiqik, neurozat që kanë përndjekë nji brez të tanë shkodranësh prej plaçkitjes, grabitjes e terrorit shtetnor që u asht ba këtyne njerzve…

Sot
Tragjedisë së Ton Martinit i shkoi shpejt mrapa edhe ajo e së bijës Katrines, vajzë e re në lule të moshës, pa asnji shërbim mjeksor e tronditun thellë prej fatkeqsisë së babës, ajo vdiq po nga zemra. Dy djemtë, Salvatori e Bernardi i kapërcyen të 80 e me sa duket kishin trashëgue genet e nanës së tyne, Karolinës që u ba 84 vjeçe. I madhi Salvatori ndrroi jetë në Itali në duert e bashkëshortes e të varzave të tij, ndërsa Bernardi jeton po në Itali tek e bija, Aurela të cilën e falenderon përditë bashkë me shtetin italijan që i ka ofrue asistencë në tana drejtimet…

Ai asnjiherë nuk ka kërkue damshpërblim për Babën e vdekun në burgun e diktaturës e as nuk ka ndërmend me ba këtë sa të jetë gjallë. E ka shumë të drejtë, përderisa shteti shqiptar vazhdon me u drejtue ende nga tre persona të zonës së parë operative, që nuk përbajnë as 20% të popullit shqiptar, e pinjojtë e familjes Hoxha jo vetëm kanë fshehë milionat në botë, porse shajnë e shilojne publikisht të persekutuemit që iu kanë vra nanat e babat e nuk i hin ferrë në kambë.

Prandaj nuk ka pse me u habit askush se grabitja e kombit shqiptar, e cila nisi në nji nandor të përgjakun në Tiranën e vjetit 1944 e u kunorzue në nji dhetor të thellë të akullt në Shkodrën e vjetit 1944, vazhdon ende sot…sepse: ujku lëkurën e ndërron, porse vesin nuk e harron.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas