Politika

Sondazhet, si këmbana që bien në veshë të shurdhët





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:51 - 20/06/20 |
Nga Astrit Patozi

Një sondazh on line i Top-Channel për listat e hapura nuk lë fare vend për debat. Janë mbi 90 përqind e shqiptarëve, që e duan ndryshimin e sistemit politik dhe kjo është një tendencë e qartë, edhe pse ai nuk mund të konsiderohet sondazh profesional. Por edhe të tillë janë bërë dhe në të gjitha rastet shifra ka qenë 75 përqind e lart.


Që do të thotë se ekziston tashmë një bindje e fortë kombëtare se Shqipëria mund të bëhet më e mirë, në rast se qytetarët e saj nuk do të votojnë thjesht lista të pacaktuara kryetarësh të lodhur, por atyre duhet t’u jepet mundësia t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre.



Ndoshta jo të gjithë mund të jenë në gjendje ta shpjegojnë arsyen e këtij ndërgjegjësimi kaq masiv dhe popullor, por kjo nuk ka asnjë rëndësi. Është jashtë çdo dyshimi që ndryshimi është një nevojë ulëritëse e shoqërisë dhe ajo mbërrin në mënyrë intuitive ta gjejë dhe ta kërkojë atë.



Por ky nuk është ndonjë lajm inkurajues për partizanët e ndryshimit, siç mund të kishte qenë në çdo vend tjetër në botën demokratike. Kam frikë se nga ata, që i kanë vënë drynin kapjes së shtetit ligjor në këtë vend (edhe pse numurohen me gishtat e njërës dorë), nuk mund të pritet reflektim.


Përkundrazi. Sa më shumë t’i kërkojnë shqiptarët ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe listat e hapura, aq më të vështirë do ta bëjnë këtë mision pengmarrësit e demokracisë në Shqipëri, të cilët tek çarja e digës së statuskuosë shohin nisjen e rrokullisjes së pushtetit të tyre të korruptuar.

PS. Sa herë hapet kjo temë, avokatët e zdriluar të “Rilindjes”, zakonisht, bëjnë sikur nuk e kanë mendjen ose përpiqen të gjejnë apo shpikin “beteja” të tjera.

Ndërsa trushkulurit e palës tjetër janë më me pak fantazi, se e tregojnë menjëherë me gisht si të blerë të Edi Ramës çdokënd, që guxon dhe i kërkon zotit Luli Basha të respektojë dëshirën e gati 90 përqind të shqiptarëve.


Etiketa:

Pas