Kryesore

Sondazhi në Opinon që nxori lakuriq rilindjen





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 10:01 - 12/02/20 |
mapo.al

Ajo që ndodhi mbrëmë në emisionin Opinion, është shumë serioze. Edhe pse po trajtohej një temë e thjeshtë, pa pretendime, pa shumë impenjim mendor, pra si të thuash një limonadë-diskutim, në pah doli një çështje mjaft e mrehtë.


Doli se ministrat e qeverisë u zhytën kryengulthi në një fushatë të ethshme dhe pirate manipulimi, për të treguar se cili prej tyre qenka më i pëlqyeri në publik.



Votat mbinë ngado, dhe përshkrimi më i saktë do të ishte, metafora e të nderuarit Gjinkuri, kryespecialisti elektoral i PS, që e quan të tillë bereqet; tërmet, tërmet.


Ai lloj votimi, sidomos ai lloj manipulimi, nxori faqe botës, një prej tipareve kryesore të rilindjes. Mungesën e plotë të dëshirës për t’u përballur me vullnetin e lirë të njerëzve, dhe tendencën e tërbuar për ta ndryshuar, deformuar, shtrembëruar realitetin, për të prodhuar një tjetër, një virtual, me idenë e përfitimit të ditës.

Të dalë sot më i kredituari, t’i pëlqejë sot shefit, të duket sot mirë në publik. Kjo ka rëndësi. Fasada pra.

Votimi mbrëmë rezultoi dramatikisht i manipuluar. Paneli u shastis. Dhe vini re çfarë ndodhi. Rreth 40 mijë ishin votat reale. Po sa ishin fake, të blera, të sajuara. Mbi 300 mijë. Pra nga totali pak më shumë se 10 përqind ishin vullneti i lirë i qytetarëve. Dhe gati 90 përqind, ishin të manipuluara.

Sipas shpjegimit të ekspertit, dhënë mbrëmë në emision, Gent Progni, ka një mekanizëm se si blihen këto lloj votash. Dhe ai e elaboroi më tej, me sqarime mirëfilli teknologjike.

Po, për publikun, ka shumë interes për të kuptuar se si ka funksionuar kjo marrëzi në një kuptim tjetër.

Me siguri, ministrat kanë ngritur shtabet e tyre elektorale, me njerëzit më të afërt që kanë. Me ata që kanë një kod të fortë mirëbesimi, ku pranojnë mes vedi, shkelje, blerje, pazare, dhe që këto afera ngelen aty, nuk fliten. Ky shtab është hedhur në sulm furishëm. Dhe votat kanë vërshuar.

Përfytyrojini këta ministra, si të dërguar të Edi Ramës në qarqet e vendit, kur të kemi zgjedhjet e ardhshme. Duhet ti mendojmë ata në të njëjtat kushte. Me shtabin e tyre elektoral, që janë një urdhër i fshehtë, me betim të nënshkruar. Do jenë edhe më shumë të motivuar për të kapur sa më shumë vota ku të munden. Se, ndryshe nga një çertifikatë që do merrnin mbremë tek Fevziu, tek votimi real në zona, varet e ardhmja e tyre.

Mjafton të kujtojmë se ata që kanë shkaktuar “tërmetet” më të mëdha kanë qënë më të shpërblyerit nga Rama në poste dhe karrierë.

Opinioni mbrëmë e nxori lakuriq rilindjen. Tregoi mizerjen e madhe politike ku jemi. Ku ka një si përbetim, për të mos njohur, lejuar, e pranuar votën e lirë. Çka është themeli ku më pas shoqëria ndërton gjithçka tjetër. Po pa atë, ska ku shkon.

Mapo.al


Etiketa: , , ,

Pas