Sondazhi kombëtar i studentëve ka sjellë më në fund disa përfundime mbi cilësinë e universiteteve në vend. “52% e studentëve janë shprehur se institucionet ku ata studiojnë nuk i kanë plotësuar pritshmëritë e tyre, ndërsa 45% e studentëve kanë deklaruar se nuk janë zhvilluar rregullisht pyetësorë për cilësinë e mësimdhënies”.
Të dhënat i ka bërë publike Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, por sondazhi i plotë nuk është bërë ende publik. Në një komunikim në Facebook, Shahini tha se do të ndante disa prej gjetjeve nga Sondazhi Kombëtar i Studentëve (SKS) të zhvilluar në periudhën prill – maj 2019.
Sipas njoftimit nga Ministrja Shahini, janë mbi 89 mijë pyetësorë të dërguar ndaj studentëve, ku vërehet se niveli i plotësimit të tyre në nivel kombëtar është 31.2%. Këto janë disa prej gjetjeve në fjalë, ndërsa ministrja Shahini shprehet në postimin e saj se nesër do të publikohen të dhëna të tjera më të detajuara nga Sondazhi Kombëtar i Studentëve.
Sondazhi u zhvillua në kuadër të “Paktit për Universitetin” dhe kishte si qëllim kryesor mbledhjen e opinionit të studentëve mbi 6 çështje kryesore si: organizimi i institucionit; burimet e institucionit; kurrikulat dhe përmbajtja; mësimdhënia dhe mësimnxënia; aktiviteti kërkimor dhe mbështetja ndaj studentëve.