Nga sonte rikthehen orët policore, një gjysmë-karantinë që detyron të rrinë brenda nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit të gjithë ata që nuk kanë punë apo emergjencë.
Ky është vendimi i komitetit të ekspertëve, marrë në ditën e parë të javës, të cilin e detajoi dje ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Edhe kategoritë që lejohen të dalin në fashën e ndaluar duhet të kenë marrë më parë leje në “e-albania”, ndërsa përjashtim bën vetëm personeli shëndetësor, i cili vetëm pasi e dokumenton këtë gjë, mund të lëvizë lirisht. Fasha orare duhet të respektohet edhe nga baret, restorantet, fastfood-et e lokalet.
Ndëshkimet
Ata që shkelin rregullat e lëvizjes në fashën orare të ndaluar do të përballen me forcën e ligjit. Akti normativ me numër 3, që daton në mars, vetëm një javë pas identifikimit të rastit të parë në vend, gjobit dhe bllokon automjetet që dalin në rrugë në orët e vona të mbrëmjes. Një gjë e tillë është e brendashkruar në të dy urdhër-kufizimet e zbardhura dje, por edhe e cekur në daljen e ministres. “Individët që nuk zbatojnë urdhrin e dhënë nga organet kompetente për kufizimin e lëvizjes vetëm në fasha orare të caktuara dhe të pashoqëruar me persona të tjerë në krah dënohen me 10 mijë lekë, si dhe me mospërfitimin nga paketa financiare e solidaritetit dhe bllokim për tre muaj të automjetit privat, nëse e disponon një të tillë”, citohet në pikën 17 të nenit 3 të aktit normativ. Kujtojmë që qeveria ka falur tashmë të gjitha gjobat, pezullimet e lejeve të drejtimit të hequra nga marsi deri në tetor.
Bizneset
Një urdhër i dytë ndalon baret, restorantet dhe fastfood-et të ushtrojnë aktivitetin e tyre pas kësaj ore, ndërsa parashikon gjobë nga 500 deri në 1 milion lekë për ata që nuk binden. Përsëritësve të shkeljeve u hiqet mundësia për të ushtruar aktivitetin për gjashtë muaj. Dy urdhër-kufizimet, për qytetarët dhe bizneset, sipas ministres, janë në nivel mesatar dhe derivat i mosrespektimit të rregullave anti-Covid. “Lokalet e orëve të vona janë një burim i përhapjes së infeksionit. Nuk është se virusi del natën, por aktivitetet në këto lloj mjedisesh ku njerëzit, qoftë prej konsumit të pijeve, prej të bërit bashkë shoqëri, të cilët më pas, edhe nga statistikat që janë analizuar, rezultojnë të jenë ata që janë edhe infektuar dhe shkaktarë të përhapjes së virusit në grupmoshat e tjera”, argumentoi nr. 1 i Shëndetësisë në vendimin për mbylljen e orëve të vona, teksa nënvizoi se në muajin e fundit, grupmosha 25-45 vjeç janë ata që kanë pësuar rritje të infektimeve, pasuar me infektime të pashmangshme te të tjerët.
Administrata punë nga shtëpia
Ndërsa për qytetarët e bizneset vendosi komiteti i ekspertëve, për administratën është qeveria ajo që vendos. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave pritet të zbardhet vendimi që lë në shtëpi shumicën e punonjësve të saj, duke aplikuar atë që quhet “smart-ëorking” ose punën online, përveç atyre që punojnë në zyra ku ofrohen shërbime. Një gjë të tillë e bëri me dije ministrja duke kërkuar durim në këto tri javë gjysmizolimi. “Është e rëndësishme të theksojmë nevojën që ka në këto momente për të pasur bashkëpunim me të gjithë qytetarët. Ne jemi në krye të detyrës të përkushtuar dhe për të bërë më të mirën brenda kapaciteteve tona, por sot më shumë se kurrë nevojitet durim dhe vendosmëri për ta përballuar këtë pandemi, duke zbatuar rregullat e thjeshta të distancimit, higjienës, vendosjes së maskës, të vendosemi në një front përballë këtij virusi”, nënvizoi Manastirliu, teksa shton se pas dy javësh do të shikohet efekti i këtyre masave në shifrat spitalore, si dhe do të bëhet një rivlerësim i tyre.