Sport

Sonte Milan-Inter, bota me sytë nga derbi i “Madonninës”








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:37 - 17/03/19 |
mapo.al

Një fazë më pas, qyteti i Milanos është përmbysur. Në derbin e fundit kishim lënë gjysmën zikaltër në festë, teksa ajo kuqezi lëngonte për shkak të golit të Ikardit në sekondat e fundit që vendoste sfidën. Sot ekipet paraqiten ndryshe. Milani ka një “mur” që mban firmat e Donarumës, Muzakios dhe kapiten Romanjolit, pikërisht e njëjta treshe që katranosi derbin e fundit. Gjatë 2019-ës, këta “musketjerë” kanë qenë në formë, teksa ish-kapiteni zikaltër çdo ditë e më shumë po humb gjurmët.


Mes argjentinasit dhe klubit ka një “luftë”, e cila nuk dihet kur do të mbarojë. Ndërkohë, Milani ka parakaluar Interin në renditjen e Serisë A. Sot vendi i katërt sfidon të tretin, por ky fakt ka pak rëndësi, sepse në skenë do të vihet kapitulli i radhës i një dueli kuqezikaltër, që siç e do zakoni, përbëhet nga disa sfida brenda sfidës. Ka disa, por ju prezantojmë tri më pikantet.


PIONTEK VS DE VRAJ – Këtu paranteza duhet bërë menjëherë dhe në mënyrë të detyruar: në futbollin modern është tejet e vështirë të gjesh duele “një kundër një” të pastër, sepse kohët e markimit individual përbëjnë një kujtim të së shkuarës. Por diçka është e sigurt.



Kristof Piontek do të hasë shpesh Stefan De Vrajn në rrugën e tij drejt zonës së Interit. Pozicioni i holandezit dhe synimet e sulmuesit kanë një pikë takimi. Polaku po përjeton një sezon për kornizë dhe vijon duelin në distancë me “zanatçinj” të golit, si Fabio Kualjarela dhe Kristiano Ronaldo. I pari shënoi dje, ndërsa portugezi, megjithëse na ka mësuar me bëma, vështirë së shënon nga tribuna, duke qenë se sot do të mungojë ndaj Xhenoas.


Piontek do të kërkojë të lërë pas CR7-ën dhe të distancojë Zapatën. Sa i përket De Vrajt, ai vjen nga një paraqitje që i kushtoi Interit kualifikimin në Ligën e Europës. Ai ka bërë rrallë gabime, por gjithmonë kanë rezultuar të rënda. Holandezi nuk është nga ata që dështon dy herë radhazi dhe për numrin 19 kuqezi do të jetë një test i vërtetë force. Panorama e derbit është unike, ashtu siç është ndeshja dhe cilësia e dyshes mbrojtëse që do të ketë përballë. Nëse Piontek shënon ndaj “kushërinjve”, do të na duhet t’i heqim kapelën.


ROMANJOLI VS LAUTARO – Nga zona e Interit, transferohemi tek ajo kuqezi. Ikardi nuk është, por Spaleti ka një ‘dem’. Nëse për Piontekun kjo ndeshje është skena madhore, mund të përfytyrojmë lehtësisht se sa vlen edhe për Lautaro Martinezin. 21-vjeçarit i është dashur të mbajë peshën e sulmit të Interit në mungesë të kapitenit të zhgraduar.

Kurdo ka treguar personalitet, nuhatje goli, por edhe ai përballë do të ketë një dyshe, së cilës duhet t’i druhet, bashkëkombësi Muzakio dhe Romanjoli. Argjentinasi ka gjetur nivelet e larta në krah të kapitenit, i cili nga ana e tij po rrit cilësinë e paraqitjeve në çdo ndeshje. Në 14 ndeshjet e fundit, skuadra e Gatuzos është ndëshkuar katër herë, ndaj për 10-shin zikaltër sfida do të jetë personale me “Njeriun simbol” të Milanit të ri.

PAKETA VS VESINO – Mes përballjeve në mesin e fushës spikat ajo amerikano-latine. Lukas Paketa kundër Matias Vesinos. Braziliani është integruar më së miri te Milani, duke marrë pa shumë “siklet” vendin e Bonaventurës. Një gol dhe një asist në 12 ndeshje radhazi janë shumë pak, ndaj i kërkohet të shtojë kontributin për kauzën e “Djallit”.

Kohët e fundit është dukur i lodhur, por derbi nuk është për të pushuar. Frymën do të kërkojë t’ia marrë Matias Vesino. Uruguaiani mbetet një nga të frikshmit e bandës së Spaletit, sidomos në ndeshjet e nxehta. Ai, sikurse edhe skuadra, nuk po kalon një moment brilant, por derbi është nga ato takime që të ndryshojnë paraqitjen dhe sezonin./panorama-sport/


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas