Sot është 554 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, Prijësit të madh arbnor!
25 vjet luftoi në krye të shqiptarëve kundër forcës më të madhe ushtarake të kohës, duke fituar betejë pas betejë.
Shumë janë thënë për heroin tonë kombëtar, shumë vende të botës e kanë nderuar me buste e monumente të tij në shumë kryeqytete të Europës e në Amerikë.
Më poshtë po ju përcjellim disa vlerësime e rrëfime për Gjergj Kastrotin, marrë nga faqja Mirdita:Histori dhe Aktualitet:
“Marin Barleti, për vdekjen e Gjergj Kastriotit, ndër të tjera do të shkruante: “Kur e dëgjoi që po e qanin të vdekur, Lekë Dukagjini, princ epirot, doli me vrap në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e me zë të mbytur tha, duke shkulur mjekrën dhe flokët; Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë, o princër e sundimtarë arbërorë. Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet e pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona.” (Marin Barleti, “Historia e Skënderbeut” shkruar në fund shek. XV, botuar latinisht në Romë, në vitet 1508-1510.)
Edhe pas vdekjes së këtij Prijësi të madh, për rreth 5 shekuj ndër malësitë tona u ruajt i gjallë amaneti i tij!
Gazeta hollandeze “De Tijd”, botim i dt. 3 maj 1876, ndër të tjera shkruante:
“Mirditorët janë malësorë shumë të guximshëm. Ata janë pasardhës të drejtpërdrejtë të luftëtarëve të famshëm shqiptarë të prirë nga princi Gjergj Kastrioti, të cilin osmanët e quajtën Iskander Beg. Ky hero mbeti gjithmonë ashtu siç ishte, shenjtori i tyre kombëtar dhe ideali i përpjekjeve të tyre.”
Në revistën franceze “L’Illustrateur des Dames”, botim i dt. 27 shtator 1863, ndër të tjera thuhet:
“Mirditorët përbëjnë një nga ato fise të shumta të pamposhtura që ndodhen në Shqipërinë e Epërme. Të mbyllur brenda një trualli të padepërtueshëm, rrethuar nga male të larta, ata krijojnë një lloj principate, zanafilla e së cilës është e panjohur. Popullsia e përbërë nga rreth njëzet e një mijë banorë njeh për prijës një luftëtar që mban titullin e princit. Të rreptë, tepër fanatikë për lirinë që gëzojnë, ia mbyllin shtigjet ashpërsisht çdo të huaji që do të kuturiste të depërtonte në malet e tyre.
Nga vjen ky popull? Sipas një tradite të zonës, ai e ka prejardhjen nga një fis i madh, i quajtur Dukagjinët, që luftuan trimërisht përkrah të shkëlqyerit Skanderbeg në vitet 1439-1463. Pranohet se nga të gjitha popullatat që përbëjnë fisin e madh shqiptar, Mirditorët janë më trimat dhe më fanatikët nga pikëpamja fetare. Ata kanë zhdërvjelltësinë e maces bashkuar me forcën muskulore të tigrit. Mënyra e tyre për t’u sulur në betejë është e tillë që e përllogarisin hovin përherë sa duhet. Dhe nëse u duhet të tërhiqen, e bëjnë me sprapsje, pa e ndalur një hop zjarrin. Andaj dhe Turqia i sheh me të drejtë si luftëtarët më të mirë dhe më të rrezikshmit! Porta e Lartë asnjëherë nuk ka dashur të hyjë në luftë me këta malësorë, ndaj të cilëve madje as që mund t’ia dalë dot mbanë…”
Ndërsa Jean-Claude Faveyrial (studiues, klerik francez), do të shkruante: “Dikur, Epirotët e lashtë e kishin quajtur shqiponjë Pirron, prijësin e tyre. – Po, unë jam shqiponjë, – u përgjigj ai – por prej jush jam i tillë. Kjo ishte përgjigjia që do u jepte Gjergj Kastrioti të gjithë shqiptarëve, por mirditorëve më veçan të tjerëve.“ (Jean-Claude Faveyrial, “Histoire de l’ Albanie”, shkruar midis viteve 1884 dhe 1889)
Krerët shqiptarë të mbledhur në “kuvendin e madh të Dukagjinit” në abacin e Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë të Oroshit në vitin 1602, në një letër dërguar Venedikut, i kërkonin ndihma për të fituar lirinë, – “..siç e patëm në kohën e Gjergj Kastriotit..” (Luigi M. Ugolini, “Studi Albanesi”, vol. III-IV, viti 1933-1934.)
Në protestën drejtuar Valiut të Shkodrës në vitin 1901, paria e Mirditës ndër të tjera shkruante: “Flamuri ynë është ai i Gjergj Kastriotit, që prej kohësh valëvitet në majat e zbardhura nga bora e Shën Palit”.
Në shenjë zie për kryetrimin Gjergj Kastrioti, gratë mirditore vendosën shamiat e zeza mbi kokë, traditë e ruajtur brez pas brezi. Alexandre Dregrand (diplomat francez, studiues, konsull në Shkodër në fund shek. XIX), në librin “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”, botuar në Paris në vitin 1901, ndër të tjera shkruan: “Xhurdinë e zezë e hasim në shumë krahina shqiptare në veshjen e burrave, ndërsa vetëm në Mirditë, grate mbajnë xhurdinë dhe shaminë e zezë, në shenjë zie për Gjergj Kastriotin.”
Sa nevojë ka sot Shqipnia për burra të tillë!”