Editorial

Akti i dytë i fortë i opozitës, koha për zgjidhje







               Publikuar në : 12:20 - 23/04/19 |
mapo.al

Nga Mapo.al


Pas djegies së mandateve dhe daljes jashtë sistemit, u tha se ky ishte akti më i fortë dhe i paprecedent i ndërmarrë nga opozita. Mirëpo, edhe pse në një sallë hoteli me kamera prezente dhe në dukje në normalitet, firmosja sot e dokumentit për mosmarrje pjesë në zgjedhje në kushtet aktuale dhe me këtë qeveri, ndoshta është akti tjetër edhe më i fortë i opozitës. Kjo për disa arsye.

E para, sepse firmosja sot vjen pas një presioni të jashtëzakonshëm dymujor të ndërkombëtarëve dhe faktorëve të tjerë në vend, të cilët shihnin tek pjesmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit, një mundësi për të korrigjuar djegien e mandateve dhe daljen jashtë sistemit të opozitës. Trysnia sidomos ka qenë për aleatët e vegjël, që kanë edhe më pak mundësi të përballojnë qëndrime të forta. Megjithatë, ata i qëndruan angazhimit të ditës së parë dhe sot nënshkruan zyrtarisht për një skenar që nuk i dihet me saktësi fundi. Në dokument shkruhet, pamundësimi i zgjedhjeve farsë.

Akti i sotëm vjen edhe pas, jo pak përpjekjeve të bëra nga qeveria, ku sigurisht nuk ka munguar përdorimi i shumë instrumenteve të shantazhit, por edhe të joshjes. Duhet pranuar se vakumi i lënë nga PD do të krijonte shumë përfitime për ndonjë subjekt po të futej në zgjedhje. Mirëpo, aleatët treguan se e kanë seriozisht dhe janë të vendosur në kursin ku kanë hyrë me Partinë Demokratike.

Nënshkrimi i koalicionit sot, pa asnjë firo nga partitë e opozitës, dëshmon se edhe mosmarrëveshjet dhe dyshimet e vazhdueshme ndaj PD dhe Bashës, duket sikur kanë rënë. Duhet pranuar se fantazma e marrëveshjes Rama-Basha e 17 majit, i shoqëronte vazhdimisht LSI, PDIU, PAA e forcat e tjera, krerët e të cilëve ishin prore skeptikë ndaj liderit të opozitës.

Firmat sot dhe deklarimet më pas në media, duket se tregojnë që një lloj bashkimi dhe uniteti është kristalizuar. Ky moment dëshmon forcë dhe vendosmëri më shumë se sa dy protesta. Koalicioni i sotëm, i ka të gjitha shanset të afrojë daljen nga kriza, pasi asnjë qeveri dhe asnjë faktor ndërkombëtar nuk do të mund të mos pranonte më këtë realitet të ri të krijuar.

Tani është koha që politika, dhe në veçanti mazhoranca, të tregojë maturi e të mos lejojë kalimin e vendit në skenarë të papëlqyeshëm nga akush, me kosto të rënda, që do të kërkonin shumë kohë të rikuperoheshin. Edhe nëse do të bënim llogari cinike matematikore, sot të paktën gjysma e politikës dhe më e pakta gjysma e votave, janë jashtë sistemit. Ato nuk mund të neglizhohen.

Aq më tepër, kur punët e tjera në vend nuk është se po shkojnë mbroth, përkundrazi ekonomia është në rënie, ka mungesë investimesh, papunësi dhe ikje masive të shqiptarëve jashtë. Askush nuk ia ka borxh politikës që Shqipërinë në kushte mjaft të vështira, ta bëjnë krejtësisht të pajetueshme.


Etiketa: , , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas