E imponuar dhe nga humbja e 25 prillit PD duket se do të ndryshojë në të gjitha nivelet e saj që nga kryesia në qendër e deri te grupseksionet në bazë. Sot mblidhet kuvendi kombëtar i cili do të zgjedhë më pas Këshillin që voton kryesinë e partisë dhe sekretariatet. Partia më e madhe e opozitës me anë të një raporti të paraqitur në kryesi ditën e enjte pranoi se nuk ishte vetëm manipulimi i votave që çoi në humbjen e zgjedhjeve, por edhe performanca e drejtuesve të qarqeve, shumë prej tyre me pozicione të larta në hierarkinë e PD-së. MAPO ka marrë në shqyrtim votat në çdo qark duke i krahasuar me ato të vitit 2013 nga ku nxirret si përfundim se rezultatit të atij viti i janë afruar vetëm disa qarqe. Analiza, çfarë nuk funksionoi dhe çfarë duhet të ndryshojë PD.
Skepticizmi që ka përfshirë elektoratin e djathtë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit nuk i lë shumë hapësira lidershipit të PD-së. Tetë vite opozitë janë shumë, dhe ata që kanë ndjerë më së shumti represionin e pushtetit rilindas janë pikërisht të djathtët. Sot janë të detyruar të shohin sërish Ramën teksa flet si reformator, që merr flamurin e antikorrupsionit në dorë, që bën sikur dënon për punësime me arka peshku e të tjerat me radhë. Janë të detyruar të dëgjojnë refrenin e pashtershëm propagandistik, se si ka qenë në kohë të tyre, dhe se si e ka ndritur rilindja nën pushtetin e saj.
***
Në këtë atmosferë ata do mblidhen sot në kuvendin kombëtar. Do kish qenë më e udhës që Basha këtë forum ta kish organizuar përpara zgjedhjeve dhe këto ndryshime t’i kish bërë kohë para zgjedhjeve. Por gjithsesi partia do reformuar dhe këtu bien dakord të gjithë. Raporti që lexoi Gazment Bardhi në kryesinë e së enjtes fliste jo vetëm për manipulimin e votave por dhe për mosarritje rezultatesh në disa qarqe të vendit nga drejtuesit politikë. Natyrisht ata kanë pjesën e tyre të fajit në të gjithë këtë që ndodhi, ata dhe drejtuesit e degëve që sillen si bajraktarë në domenin e tyre.
Që turfullojnë e shkelmojnë në rast se ndonjë prej të preferuarve të tyre ose ata vetë nuk janë në listat e kandidatëve për deputet apo të atyre për pushtetin lokal. Shembujt e Dibrës apo dhe Fierit flasin më së miri për këtë. Të themi të drejtën, Basha në këto zgjedhje iu la drejtuesve të qarqeve goxha hapësira për të formuar ekipe, pa përjashtuar faktin se ndërhyri atëherë kur i duhej X apo Y në listë.
***
Gazeta MAPO por edhe ekspertë zgjedhjesh kishin folur me kohë se lufta duhej përqëndruar kryesisht në tri qarqe, Elbasan, Durrës, Tiranë. Objektivin deri diku e kapi vetëm Elbasani me gjashtë deputetët e vetëm të PD-së. PDIU ishte thuajse inekzistente dhe lënia jashtë e Aqif Rakipit duket si një gabim që i rëndoi shumë. Po ashtu dhe LSI në këtë qark nuk mori votat e parashikuara, dhe represioni i bandave në këtë qark u përqendrua fillimisht tek ajo. Në të gjithë qytetin nuk kishte asnjë zyrë elektorale të partisë që në vitin 2017 kishte marrë dy mandate. Të vetmet zyra ishin ato të PD-së, dhe për këtë duhet t’i njihet merita sekretarit të Përgjithshëm i cili arriti të rezistojë në një qytet ku krimi kishte marrë në dorë fushatën elektorale. Por edhe dërgimi i tij atje u bë shumë vonë, dhe ishte thuajse e pamunduar që në aq pak kohë të matej pesha e aleatëve në zgjedhje dhe të bëheshin konfigurimet e duhura. Në rast se këto hallka do kishin funksionuar atëherë nuk do ishte çudi që e djathta në Elbasan të kishte dy mandate më shumë.
***
Në dy qarqet e tjera Tiranë dhe Durrës PD-së i mungojnë së paku dy deputetë. Humbja e Kavajës, Rrogozhinës dhe Vorës, bastione të saj, janë të pafalshme. Po ashtu dhe rezultati i njësisë 1, 2, 3, 9 dhe 11 lënë jo pak për të dëshiruar. Në Tiranë PD përveç njësisë tetë ku drejtonte Alfred Rrushaj nuk arriti të merrte asnjë tjetër. E njëjta gjë dhe në Durrës ku drejtonte nënkryetari Edi Paloka. Në të tria bashkitë PD humbi duke paralajmëruar një fund jo të këndshëm dhe për zgjedhjet lokale. Mosidentifikimi siç duhet i resurseve dhe imazhi i rremë i aleatëve çoi në një rezultat 8-6 për PS ndërkohë që duhej të ishte e kundërta. Përballë Rrahman Rrajës në Fushë –Krujë PD i dha luksin vetes të vendoste një vajzë vetëm 23 vjeçe ndërkohë që la jashtë elementë të tillë si fjala vjen Ndriçim Babasi, i cili në atë zonë ka fituar dy herë në vitin 2001 (zgjedhjet u zhvilluan në dy raunde pasi shkuan në balotazh) dhe një herë në vitin 2005, dhe ishte ndër faktorët kyç në fitoren e Osman Metallës në zgjedhjet e pjesshme në Shijak pas lënies së mandatit në vitin 2007 nga Sokol Olldashi që kandidoi për Bashkinë e Tiranës. Duhet theksuar se Rama në këtë qark përfaqësohej me veten, Rrahman Rrajën, Lefter Kokën, apo Jurgis Çyrben. Me pak fjalë kish hedhur në fushë artilerinë e rëndë.
***
Duket qartë se ky ristrukturim do prekë të gjitha nivelet, që nga qendra degë dhe deri në grupseksione. Natyrisht duke marrë parasysh dhe rezultatin. Në garë për këshillin kombëtar janë 600 emra dhe prej tyre do të fitojnë gjysma. Të tjerët, anëtarët e kryesisë, ish-presidentë dhe kryeministra, apo dhe kryetarë degësh në bazë të statutit futen automatikisht në Këshillin Kombëtar. Pra, atje do jenë dhe ata që e kanë kritikuar Bashën deri më tani apo rivalët e tij në zgjedhjet brenda partisë, si Agron Shehaj. Natyrisht këshillit kombëtar s’mund t’i mungojë as lideri historik i PD-së, Sali Berisha.
Qarqet që u paraqitën më dobët, raporti i Bardhit shkakton debat
Raporti i paraqitur nga sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, në kryesinë e të enjtes mbi shkaqet që çuan në humbjen e PD-së më 25 prill dhe performancën e drejtuesve të qarqeve shkaktoi debate. Dy nënkryetarët Spaho dhe Paloka ishin më aktivët që kundërshtuan gjetjet e tij. Në prag të ristrukturimit të PD-së kjo e rëndon pozitën e tyre, e pse jo ata mund të mos jenë nënkryetarë më të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Kanë patur performancë brenda pritshmërisë së rezultateve historike të Partisë Demokratike, qarqet 1. Berat, 2. Dibër, 3. Elbasan, 4. Fier, 5. Kukës, 6. Korçë, 7. Lezhë dhe 8. Vlorë. Kanë patur performancë më të ulët dhe jo brenda pritshmërisë së rezultateve historike të Partisë Demokratike, qarqet 1. Durrës, 2. Gjirokastër, 3. Shkodër, dhe 4. Tiranë”, thuhej në raport.
Debatet
Edi Paloka, drejtues qarku për Durrësin do vinte në dyshim integritetin e raportit. “Ky dokument është bërë që dikush të dalë mirë dhe dikush keq. A duhet matur me vota rezultati apo me mandate të arritura. A quhet objektiv minimal apo maksimal që për 3900 vota nuk u mor mandati i 7-të?” do shprehej Paloka. Raporti nuk i ka pëlqyer as nënkryetarit tjetër Edmond Spaho, i cili është shprehur se në Korçë i ka arritur objektivat. “Aty në raport z. Bardhi thua që Korça nuk ka dalë brenda pritshmërive? Si e shpjegon? Unë kam bërë tjetër analizë. Kam marrë rezultatin më të mirë. Kam pasur objektiv 5 mandate, kam fituar 5 mandate”, mësohet të jetë shprehur Spaho. Por vetë Bardhi u përgjigj se metodologjia e ndjekur për raportin nuk është bërë prej tij. “Metodologjia e analizës nuk është bërë nga unë, por është bërë sipas një plani të bërë nga konsulentët. Mbi bazën e asaj metodologjie është bërë analiza”, është shprehur sekretari i Përgjithshëm.
Krahasimi
Në raportin e Gazment Bardhit thuhet se rezultati mund të krahasohet vetëm me vitin 2009, në bazë të përqindjeve, por Gazeta MAPO në një hulumtim të sajin ka vënë re se në vitin 2021 PD dhe aleatët nuk kanë arritur të mbledhin as votat e vitit 2013. Pavarësisht mandateve që u morën në zgjedhjet e 25 prillit, duket se katër qarqe janë paraqitur më mirë, ose që i janë afruar rezultatit të vitit 2013. Të tjerat, pavarësisht rënieve që mund të ketë pasur e majta, nuk kanë arritur nivelin e zgjedhjeve të atij viti, i cili ishte më dobëti në tetë vitet e qeverisjes Berisha. Rezultat të përafërt në vota me atë vit kanë marrë Berati, Elbasani, Fieri dhe Tirana.
Qarqet e tjera, nuk kanë arritur të shkojnë në këto nivele megjithëse koalicioni i sivjetshëm ka qenë thuajse identik me atë që krijoi ish-kryeministri Berisha. Natyrisht krahasimi bëhet me 2013-ën për arsye se ato të vitit 2017 s’mund të konsiderohen zgjedhje për shumë arsye. Të dielën PD do mbledhë kryesinë dhe Këshillin Kombëtar për të diskutuar rreth hapave të mëtejshëm, që do ndjekë opozita në raport me zgjedhjet që sapo kaluam.
Elbasani dhe Berati
Elbasani është rasti më tipik, ku duket se votat e PDIU që nuk arriti t’i merrte e djathta ose që i kaluan së majtës, kanë reflektuar dukshëm në rezultat. Në këtë qark PD ka marrë 57878 vota në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa në vitin 2013 mori 68326 vota. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017 ka një rritje spektakolare prej më shumë se 24 mijë votash. Por PDIU në 2013 në këtë qark mori më shumë se 12 mijë vota, apo ekzaktësisht 12110 vota, ndërsa PD me të tjerë diçka më shumë se 56 mijë vota. Vetë PS, në ato zgjedhje, pra në ditën më të mirë të saj ka marrë 75 mijë vota, ndërsa në vitin 2017 pati rënie me 2 mijë vota. Por duket se votat e PDIU e kanë çuar këtë parti në 86 224 vota, duke i dhënë PS-së mandatin e tetë, dhe duke e lënë PD me 6 mandate, megjithëse arriti të merrte jo pak por 24 mijë vota më shumë se në vitin 2017.
Madje, PD ka arritur të dyfishojë rezultatin edhe në lagjen “5 Maji”, që njihet për influencën që ka Taulant Balla aty. Ka dalë mirë në disa kuti votimi në zonën e Zaranikës, madje ka arritur të fitojë dhe të kthejë rezultatin dhe në disa kuti votimi në lagjen “Skënderbej” që në zgjedhjet e para tetë viteve ka dalë forcë e tretë, për shkak të numrit të madh të votave që ka marrë LSI atje. Një qytet tjetër ku habitshëm PD ka marrë thuajse votë më votë rezultatin e tetë viteve më parë është dhe Berati. Në këtë qark, në atë kohë PD arriti të marrë 23019 vota, ndërsa në vitin 2021 merr 23038 vota.
Në këtë qytet pritej një performancë më e mirë e LSI-së që për dy mandate rresht ka marrë në nivelin e 20-21 mijë votave, ose dy mandate në rang qarku. Por ikja e Nasip Naços, duket se i ka kushtuar shumë. LSI nuk arriti të merrte asnjë mandat në këto zgjedhje. Vetë PS zbriti ekzaktësisht në nivelet e votave që mori vetëm si subjekt në zgjedhjet e vitit 2013. Kjo forcë politike në atë kohë mori 42897 ndërsa në këto zgjedhje 42355 vota, me të cilat mori pesë mandate. Vetë LSI megjithëse mori 8394 vota nuk arriti të prodhojë mandate. Rezultati në këtë qark u nda 5 -2 në favor të PS-së.
Të tjera
Dy qarqe të tjera që i janë afruar dukshëm rezultatit të atij viti janë dhe Fieri apo Tirana. PD në këtë qark në vitin 2013 arriti të marrë si koalicion 66018 vota që iu përkthyen në 5 mandate. PS arriti të merrte e vetme 89 mijë vota ndërsa si koalicion 126 mijë vota, ku 18 mijë vota i mori LSI apo 2 mandate. Në vitin 2021, PS mori e vetme 91 mijë vota apo 35 mijë vota më pak se sa mori koalicioni i saj në zgjedhjet para tetë vjetësh. PD duhet të kishte përfituar vetëm 6500 vota më shumë për të marrë mandatin e shtatë, dhe rezultati në Fier mund të shkonte në barazim mes dy kampeve. Duket se dhe këtu përçarja e PDIU-së ka bërë të vetën, pasi kandidati i saj ka marrë vetëm 2500 vota. Shpëtim Idrizi, në listat e PD-së në Fier dhe Omer Mamo i krahut që kaloi majtas, në listat e PDIU aso kohe arritën që vetëm nën siglën e PDIU-së të merrnin më shumë se 9 mijë vota. Kandidati i PDIU-së në listat e PD-së në këto zgjedhje arriti të merrte vetëm 2500 vota nominale.
Tirana, është qarku i katërt që iu afrua rezultatit, me 182 mijë vota në raport me tetë vjet më parë ku PD mori 184 mijë vota. Gjithsesi mundësitë ishin për të marrë akoma më shumë dhe duhet theksuar se llogaritë u bënë gabim.
PD me një strategji më të mirë me aleatët dhe me një vendosje më të mirë listash, mund të rritej minimumi me një deputet dhe maksimumi me dy, duke sjellë të tjera shifra mandatesh. Si pasojë e përçarjes së PDIU, ajo humbi tre bashki bastione të saj, Rrogozhinë, Vorë, dhe Kavajë, si dhe rreth 8 mijë vota në Tiranë. Efekti i atyre votave po të kishin qenë në krahun e saj mund të kish qenë dhe më i madh, dhe bashkë me LSI-në mund të shkonin deri në 19 mandate, nga 17 që kanë aktualisht, pra do kishte përmbysje shifrash. Sado të flasim për parime, faktet janë kokëforta dhe duket qartë se veç manipulimeve që ka bërë e majta, ka dhe shpërdorim votash nga e djathta të cilat ndoshta duhen analizuar në mbledhjen e kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar që do mbahet të dielën.