Sot në UET promovohet libri “Politikat Makroprudenciale – Efekti në garantimin e stabilitetit financiar dhe bankar”, me autore dr. Orkida Ilollari. Bazuar në krizën e fundit financiare, botimi sjell një ndihmesë të rëndësishme të trajtimit të pasojave të saj në mënyrë të menjëhershme. Në një intervistë për gazetën MAPO, autorja e librit flet për rrugët e minimizimit të risqeve. “Për të siguruar qëndrueshmërinë financiare duhen forcuar politikat kujdesëse dhe makroprudenciale, të cilat kufizojnë risqet sistemike që burojnë kryesisht nga ndërveprimi dhe ndërlidhjet midis institucioneve të sistemit financiar dhe pjesës tjetër të sistemit ekonomik”, shprehet Ilollari.
Përse një libër dedikuar krizës financiare në tërësi dhe “problematikës se makroprudencialitetit” në veçanti?
Kriza ekonomike globale e viteve 1929-1939 si edhe kriza e fundit e viteve (2008-2015), origjinën e kanë në të njëjtin vend, në SHBA, por përhapja dhe ndikimet negative të tyre, veçanërisht krizës së fundit, ishin globale. Kriza shpërtheu pas një faze euforie rritjeje dhe zgjerimi ekonomik e industrial. Në fakt shkaku i krizës së fundit ishte edhe euforia nga bindja që ekzistonte se tregjet monetare vetërregullohen dhe absorbojnë çdo lloj flluske monetare. Falimentimi i bankës 158-vjeçare “Lehman Brothers”, e cila ishte një ndër katër bankat më të mëdha të investimeve në SHBA, ishte vetëm një shpërthim në sipërfaqe i krizës financiare, por sigurisht jo fundi dhe përhapja globale e saj. Prandaj përtej pasojave të saj të rënda në tregjet monetare e financiare si dhe në ekonominë reale, kjo krizë i hapi rrugën edhe një serie analizash, debatesh, polemikash dhe propozimeve nga ana e Bankave Qendrore ku krahas politikës monetare “të pamjaftueshme”, të hynte në funksion edhe politika makroprudenciale me qëllim paralizimin e krizës dhe frenimin e thellimit të saj. Kriza e fundit evidentoi rëndësinë e evidentimit dhe matjeve të faktorëve të riskut sistemik, i cili mbetet një faktor kyç në politikat makroprudenciale dhe ato rregullatore.
Sa të rëndësishme dhe të domosdoshme janë studimet dhe efektet e krizës financiare globale nëpërmjet analizës suaj të fokusuar në rolin e Bankave Qendrore dhe politikave makroprudenciale?
Kriza e fundit financiare tregoi sa i rëndësishëm është reagimi i menjëhershëm në rast kur ato ndodhin. Natyrshëm lind diskutimi që lidhet me studimin dhe vlerësimin e saktë të peshës që i duhet dhënë objektivit të qëndrueshmërisë financiare, në raport me objektivat e tjerë si kontrolli i qëndrueshmërisë së çmimeve dhe mbështetja e rritjes ekonomike. Në ambientin e ekspertëve të politikave monetare dhe bankave qendrore ka zënë vend mendimi se për të siguruar qëndrueshmërinë financiare duhen forcuar politikat kujdesëse dhe makroprudenciale, të cilat kufizojnë risqet sistemike që burojnë kryesisht nga ndërveprimi dhe ndërlidhjet midis institucioneve të sistemit financiar dhe pjesës tjetër të sistemit ekonomik. Politikat makroprudenciale efikase lehtësojnë fushën e veprimit të politikave monetare, iu shmangin atyre implikimin në objektiva shtesë përtej atij të qëndrueshmërisë së çmimeve, pasi kjo krizë tregoi qartë domosdoshmërinë dhe efektshmërinë e përshpejtimit të inflacionit dhe besueshmërisë së bankave qendrore në politikat monetare të qëndrueshmërisë së çmimeve. Pra, kriza e fundit ndikoi në misionin e bankave qendrore, për domosdoshmërinë e artikulimit ndërmjet politikave monetare dhe makroprudenciale.
Cili ishte roli dhe masat më të rëndësishme të bankave qendrore kryesore apo institucioneve më të rëndësishme financiare ndërkombëtare në menaxhimin e krizës financiare globale?
Bankat qendrore gjatë krizës së fundit e mbështetën politikën e tyre monetare në ndërmarrjen e masave të nevojshme makroprudenciale. Ato kanë rol kryesor në vlerësimin e riskut, pasi vlerësimi i riskut sistemik përfshin një analizë komplekse të sistemit financiar, si dhe të lidhjes së tij me ekonominë reale. Bankat qendrore të vendeve me ekonomi dhe tregje në zhvillim, siç është edhe Shqipëria, kanë përdorur masat makroprudenciale të bazuara në aktive dhe në likuiditete për të ruajtur sistemin financiar nga goditjet e mundshme. Disa vende në përpjekje për të zvogëluar riskun e kursit të këmbimit kanë ndjekur rregullat për kufizimin e pozicioneve të hapura të monedhës. Shumë nga vendet e rajonit përdorën instrumentet makroprudenciale për administrimin e riskut dhe pothuajse të gjitha këto vende, përdorën kërkesat e rezervës si instrument i politikave monetare, atë të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Si do ta vlerësonit rolin e Bankës së Shqipërisë në përballimin e efekteve negative të krizës financiare që direkt apo indirekt preku ndjeshëm dhe Shqipërinë?
Kriza financiare shërbeu si një provë e rëndësishme për të marrë masat parandaluese, si edhe për të synuar stabilitetin financiar tashmë të dobët. Kjo krizë evidentoi kufijtë e saj, për t’u përballur me goditje të huaja, si dhe kufizimet që mund të përballet ekonomia jonë në një mjedis botëror gjithnjë e më sfidues. Masat mikro dhe makroprudenciale të vëna në funksion nga Banka e Shqipërisë çuan në parandalimin e situatave të vështira ekonomike e financiare të vendit. BSH-ja arriti të frenojë edhe efektin e kredive me probleme, daljen e valutës jashtë Shqipërisë, siguroi mjaftueshëm kapital sipas rregullave të ndërmarra dhe ka mbikëqyrur në mënyrë strikte bankat tregtare. Nëpërmjet ndryshimeve rregullatore, të cilat përmirësuan nivelin dhe cilësinë e likuiditetit të bankave tregtare, Banka e Shqipërisë siguroi që sistemi ynë bankar të mbetej likuid, si dhe i aftë të shlyente detyrimet ndaj depozituesve në çdo kohë.
Cilat janë institucionet apo individët që mund të përfitojnë nga informacioni dhe problematika e makroprudencialitetit e trajtuar në librin tuaj.
Mendoj se materialet, të dhënat dhe analizat e trajtuara në këtë libër mund të shërbejnë si informacione të vlefshme për studentët e financës dhe ekonomisë, punonjësit e sektorit bankar e financiar në përgjithësi, për studiuesit e krizave financiare, politikave monetare e stabilitetit financiar, si dhe për çdo lexues që është i interesuar për problematikën e bankave qendrore, krizave financiare dhe politikave ekonomike e financiare në përgjithësi.