“Të bashkohemi si asnjëherë me njëri-tjetrin në protestën kombëtare. Bashkimi, pjesëmarrja dhe vendosmëria juaj është forca e pandalshme për çlirimin e Shqipërisë nga regjimi kriminalo-autokratik që ka marrë peng vendin dhe fatet tuaja”.
Lideri demokrat Lulzim Basha deklaroi se nuk mund të bëhet politikë, ligje apo reforma kur shteti është tërësisht i kapur nga kriminelët. Ai tha se nuk mund të ketë standarde europiane sepse PD-ja s’ka përballë një subjekt politik, por një bandë. “Ka një të vërtetë të madhe: me kriminelët dhe të fortët nuk mund të përdorësh standarde perëndimore. Me të fortët dhe kriminelët nuk konkurrohet në zgjedhje. Ne nuk mund të konkurrojmë politikisht me Avdylajt në Durrës, me Habilajt dhe Xhafajt në Vlorë, me Shullazët në Tiranë, me Rrajat dhe Bushët në Krujë, me Bajrat në Shkodër, me Lalat në Peshkopi, me Sanxhaktarët dhe Sejdinët në Elbasan, me Ndokët dhe Prengat në Lezhë, me Rroshët në Kavajë”, theksoi Basha.
Mesazhi
Nga selia e PD-së ku kërkoi sërish largimin e kryeministrit Rama, si e keqja më e madhe që ka kapluar vendin, kryedemokrati Lulzim Basha tha se sot sytë e gjithë botës janë drejtuar nga Shqipëria për të parë se si do zgjidhet kriza. Shqiptarët, siç vijoi ai, s’kanë zgjidhje tjetër veçse të çrrënjosin modelin kriminal që ka instaluar Rama në Shqipëri. “Edhe pas ikjes së tij Shqipërisë do t’i duhen shumë përpjekje për të çrrënjosur modelin kriminal që ka instaluar ai në Shqipëri dhe për të kuruar plagët e korrupsionit. Sytë e botës janë drejtuar nga ne, për të parë se si ne si vend, si popull i bashkuar rreth vlerave do ta zgjidhim këtë krizë. Pastrimi i sistemit tonë politik dhe largimi njëherë e mirë i drejtimit kriminal të qeverisjes është shpresa dhe rruga e sigurt për një Shqipëri që iu takon të gjithë qytetarëve të saj, për Shqipërinë e gjithë shqiptarëve. Jo për Shqipërinë që duan një grusht hajdutësh dhe kriminelësh që kanë kapur pushtetin me krimin. Ne e bëjmë këtë betejë për standardet europiane, një vend të vlerave dhe mirëqenies për të gjithë. Boll më me Shqipërinë që duan vetëm ata që janë në pushtet. Koha është tani për Shqipërinë e gjithë shqiptarëve! Të përfitojnë të gjithë nga pasuritë tona publike. Të ndihen të gjithë zot në shtëpinë e tyre. Të kenë të gjithë shqiptarët mundësi për mirëqenie. Ta gëzojnë të gjithë shqiptarët vendin tonë të mrekullueshëm. Sa më parë të fillojmë t’i bëjmë këto përpjekje realitet, aq më mirë është për njerëzit. Sa më parë të largohet Edi Rama aq më pak kosto e aq më mirë do jetë për të ardhmen e vendit”, -tha Basha.
Ftesa për protestë
I pari i PD-së, gjeti rastin për të ftuar nesër në orën 19:00 në protestën e radhës çdo shqiptar që do çlirimin e Shqipërisë, nga krimi e droga, siç tha ai. “Ndaj ju ftoj sonte të dashur bashkëqytetarë, të bashkohemi si asnjëherë me njëri-tjetrin nesër në ora 19 në protestën kombëtare. Bashkimi, pjesëmarrja dhe vendosmëria juaj është forca e pandalshme për çlirimin e Shqipërisë nga regjimi kriminalo-autokratik që ka marrë peng vendin dhe fatet tuaja. Bashkimi, pjesëmarrja dhe vendosmëria juaj për ta çuar këtë betejë drejt fitores së sigurt, është investimi më krenar për fëmijët tuaj, për të ardhmen e tyre dhe të çdo shqiptari. Të rinj e të reja, studentë dhe profesionistë, pedagogë, artistë, intelektualë, mjekë infermierë dhe mësues, sipërmarrës të ndershëm dhe fermerë, pensionistë dhe të papunë, familjarë, prindër dhe bij e bija të shqiptarëve, mirësevini nesër në bashkimin popullor dhe qytetar në orën 19 në Tiranë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë”, përfundoi Basha.