Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Teuta – Tirana, finale e kupës së Shqipërisë, që do zhvillohet sot në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania”.
FSHF kërkoi një ditë më parë që ndeshja të luhej me tifozë, duke ndjekur modelin francez të distancimit të tyre në shkallët e stadiumit. Por kjo kërkesë e Federatës është hedhur poshtë nga policia dhe në stadium do të futen vetëm stafet e të dyja ekipeve.
“Masat e marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë do të jenë të njëjta si në ndeshjen Tirana – Bylis, do të meren sërish një serë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19”, thuhet në njoftimin e policisë.
Nuk lejohen tifozët, as grumbullimet jashtë stadiumit
• Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjës.
• Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.
Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara
– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete si edhe levizjen me këmbë në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.
Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.