Kryesore

Sot Teatri është Atdheu








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:26 - 07/03/20 |
Adi Krasta

Nga Adi Krasta


Që nga koha kur u mendua gabimisht se shoqëria civile korri një fitore të madhe kundër sjelljes së plehrave kimike në fillim të kësaj qeverisjeje, nuk pati ndonjë betejë që të tregojë muskujt dhe zemrën e qytetarit të zakonshëm, që sillet tej pasionit politik. Qeverisja bëri atëherë një tërheqje të padëmshme për të dhe njerëzit lanë të lumtur sheshin drejt padijes së tyre.


Sot, plehrat e rrezikshme, inceneratorët, drogat e forta, trafikantët, bashkiakë e deputetë me rekorde krimi, vrasës dhe dhunues të shëmtuar të grave, janë ulur këmbëkryq në trupin e një territori të vogël, që e quajmë me hipokrizi Atdhe i dashur e asnjë nerv lirie, reagimi apo dashurie nuk zgjohet më. Është vdekja e paguar e shoqërisë civile, për të cilën na u kërkua qysh në krye t’i rrëfenim atij varrin ku të vendoste lulen e triumfit.


Por deri para dy vjetësh… askush nuk mendoi se do të ishte një ndërtesë e lodhur por e bukur e një kompleksi, ku do të lindte ndoshta kauza më domethënëse dhe komplekse e 30 viteve të fundit: ajo për ruajtjen nga prishja dhe plaçkitja e Teatrit Kombëtar të Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë. Është ai çast kur është kauza që gjen njeriun dhe e kthen në një kudhër zemërate dhe qartësimi. Në një protestues.


Dua t’ju flas se si e shoh unë këtë trini të shenjtë sonte: ndërtesën, njeriun dhe kauzën. Ndërtesa është e hatashme. Ka arkitekturë tipike të viteve ‘30. Bën pjesë në njollën e vetme jo otomane të Tiranës: atë europiano-perëndimore. Nuk ka një njeri të mençur në Tiranë që nuk e kupton se rinovimi i kompleksit “Skënderbeg” me dy salla teatri, një pishinë, kopshte dhe një ndërtesë shik në fund jo vetëm do t’i bënte nder kujtesës kolektive dhe emocionit njerëzor, por do të shërbente si një antidot kundër çmendurisë frymëmbajtëse të qytetit të sotëm.

Kjo kauzë nuk do të ekzistonte nëse nuk do të bëhej menjëherë e QARTË dhe e konfirmueshme se teatri si ndërtesë nuk ka as më të voglën rëndësi për prishësit. Padyshim as ndërtimi i një teatri të ri, që është vetëm alibi. Është plaçkitja e tokës së tij që vlen. Kullat ishin dhe janë kali i Trojës së qytetit të sotëm.

Sfida që ai bën të krijon një ndjesi disfatizmi, rënieje, vdekjeje. Ndaj ajo që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë gjatë këtyre dy viteve është sa e madhe, aq edhe e natyrshme.  Te qytetarët që e shohin këtë teatër e këtë skenë çdo ditë me dashuri e merak duhet kërkuar çelësi për të kuptuar shqiptarin e sotëm. Te ky teatër janë ngjizur në një: tempulli, njeriu dhe vetë kauza.

Të gjithëve na ka bërë përshtypje fraza “kam parë qytet pa bulevard, por nuk kam parë bulevard pa qytet”. Në natën neroniane të shkatërrimeve, një natë e Bartolomeut për stadiumin “Qemal Stafa”, që e nxorën vërtik nga mbrojtja e monumenteve për të ndërtuar një qendër brutale biznesi me një bahçe të vogël për kalçeto, ndërtesat e njollës më moderne të Tiranës po bien një nga një. Ato, të pagoja, jam i bindur se me shpirtin e njerëzve që kanë jetuar, qeshur, qarë, ëndërruar e janë shuar brenda tyre e kuptojnë se një skuadër pushkatimi po i shfaros.

Teatri Kombëtar duket sikur me një fuqi shekspiriane të veprave që janë interpretuar këtu, merr përsipër të frymëzojë kauzën. Kjo kauzë thërret njerëzit. Ata përgjigjen. Skuadra e pushkatimit e di se të qëllojë teatrin mund të përshpejtojë në mënyrë të paparashikueshme vdekjen e vetë qëlluesve. Ndaj kjo betejë nervash, retorikash, durimi, lobimi, argumentesh juridike e morale zbret në një fushë, e cila është më e jashtëzakonshmja: koha.

Teatri, si një kështjellë, duhet të fitojë kohë. Rrethuesit pikërisht kohë nuk do të kenë të presin gjatë. Shpejt a vonë, do të humbin pushtet dhe nëse nuk nxitojnë me dredhi e hile, siç bëjnë gjithmonë rrethuesit, duke blerë tradhtarë dhe joshur qëndrestarë, duke sharë e shantazhuar, nuk do të mundin ta prishin kompleksin “Skënderbeg” për të ndërtuar kullat e premtuara, që bashkë me paratë shpëlajnë një herë e mirë sqimën qytetare, kujtesën tonë e atë historike.

Le të përpiqemi të bëjmë një identikit të rrethuesve. Ata duket sikur nuk dinë e nuk munden ta duan teatrin si art. As aktorin si artist. As skenën si vend i shenjtë. Padyshim, publikun e shohin si një votues militant, idiot dhe pa mendim. Nuk shihen shtresime kulturore në retorikën e tyre. Një lloj boshi që i dallohet në sy njeriut në skuadrën e pushkatimit. Sidomos më të riut. Në entuziazmin fake të servilizmit i dallohet pamundësia për të ndjerë. Brenda kështjellës jeni ju. Heronjtë e përditshëm. Ju shoh dhe e ndiej të domosdoshme që për t’ju lartësuar të përpiqem të lexoj kundërfigurat tuaja.

Ata janë gjithashtu qytetarë të këtij qyteti. Por janë apatikë (të mundur), të frikësuar. Sidomos të frikësuar. Për ta, fatkeqësisht, rënia e teatrit nuk është rënia e lirisë, edhe pse ndoshta brenda zërit që nuk dëgjohet pranojnë se arti është shprehje e lirisë.

Ajo që po ndodh këtu është kjo: qeveria e bashkia duan ta plaçkitin tokën e kompleksit “Skënderbeg” që të ndërtojnë kulla. Kaq. Është vetëm kaq. Prandaj është një rrethim këmbëngulës. Ata nuk kanë argument, por mbi të gjitha nuk kanë kohë. Dhe mungesa e kohës i detyron të bëjnë artifica politike dhe gabime e gafa konceptuale. Një prej flluskave më të zhbëshme të hedhura për konsum publik është se disa artistë e qytetarë të Tiranës nuk e duan zhvillimin. Se pasi Tirana të ndryshojë plotësisht, duke u çnatyruar përtej njohjes, ata që me kokëfortësi, zemër të ftohtë kalkulative, hile banale procedurash dhe gënjeshtra të blera në mediat e tyre sot po sulmohen në publik si lakmitarë e hajdutë, nesër do të shihen si largpamës e revolucionarë.

Kjo është po aq e pasaktë sa ç’është bosh çdokush që e artikulon si mbrojtje. Ajo që shohim nuk ka lidhje me stilin arkitekturor, ndërsa te stadiumi nuk ka lidhje vetëm me plaçkitjen e tokës. Stadiumi i sotëm me emrin e një kompanie pothuaj turke do mbetet një ndërtesë brutale. Banale. Nuk i shërben sportit, por biznesit. Dhe është e pabukur.

Prishja e teatrit, ndërtimi i kullave aty, prishja e hotelit “Vjosa”, ndërtimi i ndërtesës së florinjtë te hotel “Tirana” dhe çdo gërryerje e paturpshme e asaj që Tiranën e ka bërë Tiranë nuk është zhvillim. Është hajdutëri, lakmi, narcizizëm, abuzim me pushtetin dhe arrogancë. Në këtë algoritëm mental të qeverisësve të momentit ka gjithsesi një gabim, të cilin duket se nuk duan ta shohin. E ardhmja mund t’u rezervojë atyre një befasi. Pavarësisht qetësisë së momentit, gjithçka që kanë bërë nuk do të kalojë e pandëshkuar. Ndaj qyteti duhet të rezistojë. Fillimisht nga mbrojtësit e tij më entuziastë, pra heronjtë e tij. Më pas prej të gjithëve ne.

Unë kam shumë miq e të afërm, të cilët e di që do të kishin dashur të ishin këtu sot. Jam i tronditur nga mesazhet e shumta që kam marrë prej të njohurish e të panjohurish këto ditë se frika, një frikë e madhe i pengon të vijnë. E paprecedentë në këtë përmasë dhe e krahasueshme vetëm me regjime paçavure pushtetesh. Kjo që kanë prodhuar është fatkeqësi e madhe për ne të gjithë e për këtë vend, por është edhe ndëshkimi më i madh për ta. Kjo është arritja e vetme e një mendësie burracakësh pushteti, që nuk bënë dot as Shqipërinë e as historinë e tyre.

Në qeverisjen e kaluar, ne thamë fjalën tonë me të njëjtin nerv kundër prishjes së piramidës si pronë e qytetit dhe dëshmi e historisë dhe ajo është aty ende. Ja ku jemi sërish për të mbrojtur Teatrin Kombëtar në një qeverisje tjetër. Ku janë ata qindra e mijëra vajza e djem Tirane që heshtin? Duhet të ndihen keq, jam i sigurt. Në boshin dhe shungullimën e mendimeve, në vetminë e tyre, larg interesave të kohës, ata e dinë se kompleksi “Skënderbeg” mund të rinovohej mrekullisht për t’u sjellë në kohën e lavdishme të ndërtimit.

Dhe po, ka gazetari të angazhuar pa qenë bythëlëpirëse. Dhe po, mund ta kesh personale kur pushteti e ka personale. Rrethuesit e kështjellës i përcaktojnë sinorët. Ata të thajnë puset, të helmojnë ajrin, të mbysin shpirtin e lirë, të varfërojnë jetën, të zvjerdhin atdheun, të bëjnë të largohesh. Kjo është personale. Ndërsa të gjithë ata që çirren e bërtasin për të bërë vokalin e liderit, për ata do të duhet të ndihet vetëm keqardhje. Është i rëndë pushtimi i shpirtit. Duhet të jetë si veshja e detyruar e një këmishe force.

Ndërkohë Shqipëria kurrë nuk ka qenë më e sëmurë se sot. E drobitur nga kanabizimi i territorit të saj dhe dalldia për të mbjellë e trafikuar. Ajo sot është në vendin e parë në botë për numrin e azilkërkuesve. Ajo humb çdo vit e çdo ditë pikë në rekorde e statistika që matin demokracinë. Ajo është ende jashtë e larg Europës. Ajo ka rritur borxhin. Ajo është ende më e varfra në Europë. Ajo ende nuk po kupton nëse bandat udhëheqin politikën apo politika udhëheq me banda. Administrata e saj është militante. Parlamenti i saj është qesharak. Qeverisja është e paaftë dhe e korruptuar . Sot nuk jemi më në momentin e perceptimit. Gjithçka është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm.

Unë dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj rrezikun e veçantë, të paparashikueshëm që sjell segmenti i fundit para lënies së pushtetit. Është ai kapërcyell kur mund të bëhen krime të mëdha kundër atdheut me lehtësinë e papërballueshme të fundit dhe vetëdijes se pushteti nuk të vjen më kurrë në dorë. Është ai moment që i ka trimëruar edhe më frikacakët. Një lloj lejeje për të mëkatuar ndërkohë që përgatitet apres moi le deluge. Ky segment i fundit është fillimi i riharrimit, ndaj bëhet i rrezikshëm. Sepse nuk ka pika referenciale.

Lidhjet me realitetin janë shkëputur dhe bisedat rreth teje, qeverisësit, janë bërë pa përmbajtje. Njeriu me pushtetin e segmentit të fundit ka një boshllëk në sytë e tij. Në zemrën e tij. Gjen një interes të sëmurë e mbytës tek ata që e rrethojnë. Ndaj Teatri Kombëtar tani është një kauzë që ka lidhje të fortë me kohën. Duhet të rezistojë në kohë. Në këtë segment të fundit, si në ditët e fundit të Romës, kur Neroni gjeti gjithë forcën e zhveshur nga arsyeja për ta djegur.

Teatri Kombëtar i plotëson të gjitha kushtet për t’u urryer nga qeverisja e sotme. Nga prishja e tij dhe ndërtimi i kullave mund të grabsen 200 milionë euro. Edhe pse rrethuesit nuk e fshehin një gëzim për rrënimin fizik të tij. Zonja dhe zotërinj, Teatri Kombëtar nuk do të prishet. Nuk duhet të prishet. Qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë e të Kosovës, shqiptarët në Maqedoni e Mal të Zi dhe në të gjithë diasporën duhet të bëhen të ndjeshëm. Sot Teatri është Atdheu.


Etiketa:

Pas