Institucionet e reja të drejtësisë në pritjen e gjatë të vettingut. Raporti i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes konstaton problematika në ngritjen e tri strukturave të rëndësishme të drejtësisë.
Nga Sebi Alla
“Reforma në Drejtësi, është ende në shinat e duhura dhe shumë shpejt do t’iu sjellë shqiptarëve sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtësisë që meritojnë. Mesazhi im për cilindo që thotë se Reforma në Drejtësi është kompromentuar apo po dështon është: e keni gabim”. Kështu u shpreh zëvendësambasadorja amerikane në Tiranë Leyla Moses pak javë më parë. Me gjithë optimizmin ndërkombëtar, institucionet e reja të drejtësisë janë ende “peng” jo vetëm i kohës (vonesave), por edhe paqartësisë që po vijon me krijimin e strukturës së SPAK, BKH dhe Gjykatës Speciale Anti-Korrupsion. Në një studim të fundit të organizatës CSDG (Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes), konstatohet se institucionet e reja të drejtësisë janë tërësisht në varësi të vettingut, në të dyja nivelet e saj KPK dhe KPA, ndaj do të duhet ende kohë, për ngritjen e strukturave të reja të drejtësisë, e mbase edhe më shumë se një vit të hapet dosja e parë. Por ky nuk do jetë fundi i “makthit”, pasi procesi i vettingut do të vijojë edhe për strukturat e reja që mund të rrezikojnë kolapsin në një moment të dytë. “Numri i lartë shkarkimeve si rezultat i vettingut dhe numri i lartë i ankimimeve, i cili ka shoqëruar të gjithë procesin e ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, mbetet ende një nga aspektet më delikate të procesit, duke sjellë vonesa në ngritjen e institucioneve, si pasojë e mosplotësimit të vendeve vakante dhe rishpalljeve të thirrjeve për aplikime”, konstaton CSDG. Edhe pas krijimit të këtyre institucioneve, për një numër të konsiderueshëm të anëtarëve të zgjedhur ende nuk është dhënë vendimi përfundimtar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Aktualisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka filluar procedurat e rivlerësimit për pjesën më të madhe të kandidatëve, të cilët konkurrojnë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Megjithëse deri tani vetëm 5 nga 25 kandidatë e kualifikuar për të vazhduar garën për prokurorë të posaçëm janë konfirmuar në detyrë. Në shortin e fundit të muajit mars, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfshiu në listë edhe 6 kandidatët për të cilët nuk kishte filluar ende procesi i rivlerësimit.
Edhe KLP në “gijotinën” vetting
Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbetet institucioni thelbësor nga ku më pas vijohet me SPAK, BKH, apo zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë. Edhe për këtë institucion (KLP), lajmet nuk janë aspak të mira. “Në rastin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë 4 nga 6 nga anëtarët prokurorë të konfirmuar kanë qenë në pritje të vendimit përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, thuhet në raportin e CSDG. Ndërkohë, për “cilësinë” e elitës së sistemit të ri të drejtësisë, duket se ka vend për dyshuar. Nga 19 aplikime në total, 10 prokurorë u konfirmuan në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërkohë që 9 prej tyre nuk arritën të kalonin procesin e rivlerësimit. “Rreth 45% e kandidatëve për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët kaluan vettingun u vlerësuan me nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale, ndërkohë që rreth 50% apo gjysma e vendimeve për 10 subjektet e konfirmuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ankimuan në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”. Gjithashtu, edhe për dy anëtarë të tjerë të KLP-së, Autoriteti i Hapjes së Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit kërkoi shkarkimin. Megjithatë mbetet po në dorë të KLP-së të vendosë për këto dy raste. Përtej cilësisë, ajo që sot kërkojnë me ngulm qytetarët shqiptarë është ngritja e strukturave antikorrupsion të sistemit të ri. Deri atëherë, labirintet e drejtësisë së re do kalojnë në të tjerë filtra, ndonëse koha ecën.
Gjykata Speciale, vonesa edhe në procedurë
Gjykatat dhe Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë konceptuar të krijohen paralelisht në kohë, për të bërë të mundur një bashkërendim dhe koordinim sa më eficient gjatë procedurave të hetimit dhe gjykimit të veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe për të garantuar dhe siguruar respektimin e drejtave të të akuzuarve. Sfidat në këtë drejtim lidhen kryesisht në numrin e kandidatëve gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët pritet të konfirmohen me vendim të formës së prerë gjatë procesit të rivlerësimit. “Ashtu sikurse edhe në rastin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve kandidatë për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, kohëzgjatja e procesit të rivlerësimit dhe numri i ulët i konfirmimeve do të sillte vonesa në plotësimin e vendeve vakante dhe për rrjedhojë edhe në fillimin e funksionimit të këtyre institucioneve”, vërehet në raportin e fundit, ndërsa shtohet se: “Për këtë arsye, roli i organeve të rivlerësimit në trajtimin me përparësi të kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatat e Posaçme dhe prokurorë pranë Prokurorisë së Posaçme është një faktor kyç në ngritjen dhe funksionimin e këtyre institucioneve”. Megjithëse, muaji shkurt 2019 ishte afati i fundit ligjor kur duhet të përfundonte emërimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda si edhe të fillonte ushtrimi i kompetencave të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ende nuk ka një informacion zyrtar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor mbi këtë proces si edhe numrin e gjyqtarëve, të cilët kanë dorëzuar deklaratat për kufizimin e privatësisë. Kjo nënkupton se të gjithë Gjyqtarët e Gjykatave të Krimeve të Rënda përfshihen automatikisht si pjesë e Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por me kushtin që edhe pse nuk kanë kaluar procesin e vettingut, do të duhet të plotësojnë formularin me efekt ligjor, që heqin të drejtën e privatësisë së tyre dhe të afërmve (siç është përgjimi i telefonave, apo akses për t’u verifikuar në çdo kohë llogaritë bankare). Nëse disa gjyqtarë aktualë të Krimeve të Rënda nuk e plotësojnë këtë formular, atëherë sërish do krijohet ngërç në drejtësinë e re, duke e futur procesin sërish në pritjen e gjatë.