Aktualitet

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:47 - 23/06/20 |
mapo.al

Prokuroria kërkon konfiskimin e thuajse të gjithë vlerave monetare të sekuestruara në banesën e ish-gjyqtarit Miri, duke argumentuar se nuk është arritur të provohet burimi i ligjshëm i tyre.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK i kërkoi të martën Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë konfiskimin e pasurive të ish-gjyqtarit, Shkëlqim Miri.


Sipas prokurorisë, duke qenë se ish-gjyqtari Miri është i dënuar për korrupsion, ai është subjekt i Ligjit nr.10192 datë 2 dhjetor 2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” dhe se mundet që t’i nënshtrohet masave parandaluese pasurore.


Miri u arrestua në nëntor 2017, ndërsa iu kapën afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi. Ish-gjyqtari së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe shtetasin Alban Bucin u arrestuan nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi sipas organit të akuzës ndërhynë për të lënë në fuqi dënimin me 8 vite burg për të pandehurin Gentian Doda kundrejt 30 mijë eurove – vendim i cili i dha lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel.


Gjatë konkluzioneve përfundimtare të martën, prokurori i çështjes Klodian Braho tha se prej hetimit ka rezultuar se Miri ka pasuri të pajustifikuara.


Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Mirit në nëntor të 2017-ës, u gjetën dhe u sekuestruan 174.810 euro, 1000 USD dhe 10 milionë e 149 mijë lekë.

Sipas SPAK, të ardhurat e realizuara nga familja e ish-gjyqtarit Miri nga 25 janari 2017 deri më 9 nëntor të po atij viti kanë rezultuar në vlerën 7 milionë e 384 mijë lekë, ndërsa shpenzimet 6 milionë e 570 mijë lekë. Prokuroria konsideron se diferenca e mbetur mes të ardhurave dhe shpenzimeve në vlerën 813 mijë lekë është e ardhur e ligjshme dhe është zbritur nga shuma 10 milionë e 149 mijë lekë e sekuestruar në banesë.

Nga vlera 174.810 është zbritur shuma 30 mijë euro e konfiskuar gjatë procesit të mëparshëm si pjesa e parave që dyshohej se ishin marrë nga gjyqtari Miri.

Prokuroria ka rrëzuar pretendimet e Shkëlqim Mirit se sasia e parave të gjetura në banesën e tij u përkasin familjarëve dhe personave të tjerë. Sipas organit të akuzës, nuk mund të provohet se babai i ish-gjyqtarit Miri ka pasur në zotërim vlerën 9 milionë të pretenduar gjatë gjykimit.

Edhe deklarimet e dy shtetasve të tjerë që kanë pretenduar se kanë lënë tek familja e Mirit shuma monetare me qëllim kryerjen e ndonjë investimi, konsiderohen të paprovuara nga SPAK.

Një nga deklaruesit ka pohuar se për periudhën 2005-2015 ka lënë pjesë-pjesë në familjen e ish-gjyqtarit vlerën 50 mijë euro, ndërsa tjetra ka pohuar se gjatë viteve 2012-2017 ka lënë shumën 120 mijë euro.

Sipas organit të akuzës, Miri dhe deklaruesit e tjerë nuk kanë arritur të provojnë ndonjë iniciativë konkrete investimi ashtu si kanë pretenduar, si dhe as ndonjë marrëdhënie kontraktuale midis njëri-tjetrit.

Prokuroria identifikon edhe faktin se Miri ka pasur detyrimin të deklarojë pasurinë, por në vitin 2017 rezulton se nuk i ka pasqyruar shumat monetare në gjendje cash që i janë sekuestruar.

Në përfundim prokurori i çështjes Klodian Braho i ka kërkuar gjykatës konfiskimin e shumave monetare 144.810 euro që mbeten pas zbritjes së 30 mijë eurove të konfiskuara më parë; 1000 USD dhe 9 milionë e 335 mijë lekë që është diferenca pas zbritjes së vlerës 813 mijë lekë e konsideruar si ardhur e ligjshme. Prokuroria thotë se gjatë gjykimit të mëparshëm, Mirit i është kthyer shuma 544 mijë lekë dhe nga vlera 813 mijë lekë duhet ti kthehet edhe shuma 269 mijë lekë.

Gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 3 korrik kur pritet që Miri dhe mbrojta e tij të paraqesin konkluzionet përfundimtare.

 


Etiketa: , , ,

Pas