Janë 16 tendera sekretë që po verifikohen nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Është kërkuar sekuestrimi i dokumentacionit dhe pritet marrja e dëshmive. PD ka bërë dy kallëzime, hetimet e tjera SPAK i nisi kryesisht
Struktura e Posaçme e Antikorrupsionit dhe e Krimit të Organizuar (SPAK), ka sekuestruar dokumentacionin e tenderave sekretë të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë, përgjatë periudhës dymujore të karantinës. Lajmi bëhet i ditur nga Ora News, që u referohet burimeve brenda kësaj strukture. Të njëjtat burime bëjnë me dije se veprimet e prokurorisë kanë filluar menjëherë pas denoncimeve të PD-së, dhe fillimisht janë dërguar kërkesat për tërheqjen e dokumentacionit përkatës.
Nisjen e hetimeve e lajmëroi pak ditë më parë zyrtarisht dhe vetë kjo strukturë në faqen zyrtare të institucionit. Ndërkohë, kufizimi për shkak të aktit normativ ka penguar marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes ndaj dhe deri tani puna ka vijuar me verifikimin e dokumentave. Ishte Partia Demokratike që e nisi siparin e denoncimeve që në fillim të pandemisë me skandalin e maskave të skaduara dhe më pas me tenderin e ushqimeve të zhvilluar nga Ministria e Mbrojtjes.
Denoncimet kanë vijuar më pas me tenderat e zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë për blerjen e respiratorëve dhe materialeve të tjera për spitalet dhe veshjet e mjekëve dhe maskat që sipas PD janë blerë me tendera sekretë me çmim disa herë më të lartë se në treg. Burime zyrtare nga Partia Demokratike, tregojnë për gazetën MAPO, se dy kallëzime janë bërë nga kjo forcë politike në SPAK. Një për maskat, dhe tjetri për tenderin e ushqimit në Ministrinë e Mbrojtjes, i fituar nga një kompani nga Tetova, që kishte përvojë në fushën e kompjuterave, dhe vetëm 6 ditë para se të kontraktohej, ndryshoi objektin, duke shtuar aty edhe ushqimet.
Për pjesën tjetër të procedurave, dhe tenderave mësohet se SPAK ka nisur hetimin kryesisht, pas fakteve të bëra publike nga zyrtarët e PD.
Pas kësaj marrjes së dokumentacionit, pritet të nisë marrja në pyetje e anëtarëve të Komisionit të Tenderave duke mos përjashtuar dhe titullarët e institucioneve. Në total janë 16 tendera sekretë që janë zhvilluar përgjatë kohës së karantinimit, ndërsa vetë SPAK ka bërë me dije se gjatë kësaj periudhe ka regjistruar 43 procedime të ardhura në këtë institucion që nga nisja e kufizimeve.
Imuniteti
Ligji aktual, për imunitetin e deputetëve, i lejon SPAK të ndërmarrë veprime hetimore dhe pa marrë konfirmimin e parlamentit. Çka do të thotë se nuk përjashtohet të dërgohen për ndjekje penale dhe titullarët, nëse prokuroria e posaçme do të konstatojë abuzim të tyre me detyrën, përkatësisht Manastirliu dhe Xhaçka. Juristi Ledio Braho thotë në një prononcim për gazetën MAPO, se SPAK-ut i mjafton të shohë procedurën nëse është në përputhje me ligjin ose jo dhe më pas hetimi të vazhdojë zinxhir. “Titullari i institucionit është përgjegjës për ngritjen e komisionit të ofertave dhe urdhrin për zhvillimin e tenderave apo azhurnimin e fondeve.
Në bazë të ligjit SPAK i drejtohet parlamentit vetëm kur bëhet fjalë për masën e arrestit, pasi deputetët dhe zyrtarët e lartë janë zhveshur nga imuniteti”. PD denoncoi në fillim të prillit ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, për një tender të ushqimeve që sipas opozitës iu dha një kompanie kompjuterash, me vlerë 1.5 milion euro.
“Ky tender i realizuar me urgjencë në këtë kohë krize, ku është shpallur fituese pa garë, një kompani kompjuterash, është një aferë e pastër korruptive dhe klienteliste, për shkak se: Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore”, deklaroi PD.
VKM
Por në fund të shkurtit, më saktë më datë 26 shkurt, qeveria nxori një vendim ku i jepte të drejtën ministrive të linjës, të zhvillonin tendera të cilat mund të klasifikoheshin si sekret shtetëror. VKM e qeverisë me numër 206 i datës 26 shkurt 2020 (12 ditë para masave karantinore) në paragrafin që flet për procedurat që lidhen me mallra sigurie, shprehet se: “Në rastet kur autoriteti kontraktor do të realizojë një kontratë, e cila shoqërohet me elemente që kërkojnë masa sigurie të veçanta, për hartimin e dokumentacionit, administrimin, publikimin e tij do të aplikohen rregullat e parashikuar në legjislacionin për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale”.
Ky ligj duket se është përdorur nga ministrja Manastirliu për zhvillimin e katër tenderave që kanë të bëjnë me mjetet mbrojtëse. “Ministria e Shëndetësisë ka klasifikuar si sekret shtetëror 4 tendera të kryer me urgjencë për blerjen e këtyre pajisjeve. Në datën 21 mars dhe 3 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që me tender sekret 24 orësh të furnizohet me mjete mbrojtëse për stafet shëndetësore; të blejë kite për laboratorin e QSUT-së; të trajtojë mbetjet spitalore të pacientëve me COVID-19 dhe të blejë respiratorë për të rritur dhe fëmijë”, denoncoi në fillim të muajit prill ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj.
Në fakt, asnjë prej mallrave që janë blerë nga MSH, nuk plotësojnë kriteret që procedurat e tyre të mbrohen nga klasifikimi i informacionit, që as më shumë e as më pak do të thotë që për procedura të tilla, institucioni mund ta shohë të arsyeshme që mos bëjë transparencë. Kjo VKM është cilësuar si antikushtetuese dhe nga Open Data Albania.
“Qeveria ka bërë një ndërhyrje të papërligjur sa kohë që legjislacioni shqiptar (Ligji nr. 9643/2016) ka të rregulluar mjaft mirë procedurën e negocimit dhe procedurën e kufizuar, çka do të ofronin blerje të shpejta, eficiente dhe të dobishme pa qenë nevoja për veprime sekrete. Këto dy procedura të parashikuara në Legjislacionin kombëtar e garantojnë mundësinë për furnizime në situata emergjencash dhe fatkeqësish, duke krijuar garanci të Proporcionalitetit.
Nga ana tjetër të gjitha elementet e kontratës si objekti i blerjes; çmimi; karakteristikat dhe specifikat e mallit apo shërbimit që blihet, duke qenë sekret nuk i nënshtrohen publikimit, transparencës, llogaridhënies me qëllim besimin dhe kontrollin publik”, shprehet në opinionin e saj kjo organizatë që hulumton për qeverisjen dhe transparencën.
Mbrojtja
Deri tani, mbrojtja që kanë bërë ministrat për këta tendera, ka qenë, sulmi politik ndaj opozitës. Në asnjërin rast, ato nuk kanë ofruar argumente për faktet e paraqitura, por janë shprehur se teksa ato ndodhen në luftë, PD kërkon të baltosë e të zhvleftësojë punën e tyre të palodhur.
Madje, një mënyrë shumë interesante ka qenë avokatia që kreu i grupit parlamentar të PS, u ka bërë në parlament, dy ministreve. Duke hedhur vrer ndaj denoncuesit, pra ndaj PD, Balla është shprehur se për zonjat duhet të tregojmë respekt, pasi kanë kohë pa takuar edhe familjet e tyre, pa ofruar asnjë sqarim për të dhënat konkrete dhe faktet konkrete për abuzimet që ka konstatuar opozita. Ndërkohë, edhe KLSH ka ngritur një grup pune, për verifikimin e tenderave sekretë.