Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur komisioneren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja. Ajo akuzohet nga SPAK për deklarim të rremë dhe falsifikim të dokumenteve në formë përdorimi.
Sa i takon akuzës së ngritur për deklarim të rremë, mësohet se Etleda Çiftja dyshohet se ka një tokë arë në Kavajë, të cilën nuk e ka deklaruar.
Çiftja është zyrtarja e tretë e organeve të vettingut që merret e pandehur, pas Luan Dacit, nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) dhe Artan Hajdarit, gjithashtu nga KPA.
Karriera e komisioneres Etleda Çiftja
Çiftja është diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Është juriste me më shumë se 16 vjet eksperiencë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit.
Karrierën e saj, e ka nisur si ndihmëse ligjore në një zyrë avokatie. Për periudhën 2001- 2009 ka punuar pranë kompanisë greke “Egnatia O.Albania”, pjesë e grupit të kompanive greke “Egnatia Group of Companies” , në pozicionin e këshilltares së përgjithshme/drejtores ligjore dhe rregullatore për zbatimin e projektit të përhapjes së rrjetit të telefonisë celulare “AMC”, në fushën e telekomunikacionit.
Për periudhën 2009- 2017 ka punuar pranë shoqërisë së mirënjohur norvegjeze “Statkraft AS” për filialin e krijuar prej saj në vendin tonë, “Devoll Hydropower sh.a.”.
Në qershor 2017 u zgjodh nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Rreth Komisionit të Pavarur të Kualifikimit
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është organ kushtetues, i përbërë nga 12 komisionerë.
Veprimtaria e institucionit bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Rregulloren e veprimtarisë së KPK-së, si dhe në legjislacionin vendas dhe ndërkombëtar.
Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve kryhet mbi bazën e tre kritereve:
– vlerësimi i pasurisë;
– kontrolli i figurës;
– vlerësimi i aftësive profesionale.
Nga procesi i vlerësimit të deritanishëm, shumë figura janë larguar nga sistemi gjyqësor në Shqipëri, për shkak të parregullsive që iu janë gjetur në kriteret e vlerësimit./Liberale.al