Pavarësisht buzëqeshjeve dhe pozave për paparacët e portaleve, socialistët u futën në Asamblenë e radhës më shumë të trazuar se herët e tjera. Për t’i qetësuar, kryeministri Edi Rama u tha se kishte folur me presidentin francez, Emanuel Makron, një kundërshtar i fortë i integrimit të shpejtë të Shqipërisë. Por as kjo nuk mjaftoi. Prandaj kryeministri e theksoi disa herë që votimet e 30 qershorit ishin një fitore e madhe për socialistët. Këtë herë nuk i referohej vetëm faktit që u mbajtën votimet, por e quajti edhe një fitore numrash.
Por nuk ishte ky momenti më kulminant i kësaj Asambleje.
“Kush nuk i përgjigjet ritmit të 30 Qershorit, nuk do të jetë më në projektin e vitit 2021. Kush nuk ndjek ritmin, do të dalë jashtë kësaj familjeje”, paralajmëroi Rama, duke shpalosur më pas disa ndryshime në strukturat drejtuese.
Ajo që ra në sy menjëherë ishte largimi i Ditmir Bushatit si drejtues i PS në qarkun e Shkodrës dhe zëvendësimi i tij me Valdrin Pjetrin, kandidatin e shpallur fitues në Shkodër. Për të gjithë, ky ishte zëvendësimi më i komentuar sepse Bushati ishte i vetmi zë që kishte nisur të artikulonte disa akuza ndaj shefit të tij, fillimisht sa i përket marrëveshjes për ndarjen e Kosovës, më pas për Procesin e Berlinit.
Bashkë me Bushatin u ‘rrëzua’ edhe ish-ministrja Lindita Nikolla si drejtuese e qarkut të Lezhës. Në vend të tyre, në strukturat e PS erdhën ministrat ‘teknikë’ të Edi Ramës. Sandër Lleshaj mori drejtimin e Lezhës në vend të Lindita Nikollës. Kurse Gent Cakaj, që zëvendësoi Ditmir Bushatin, e nisi karrierën në PS si Sekretar për Koordinimin me Rininë.
Për komentuesit në rrjetet sociale, më interesant vazhdon të mbetet fakti se pavarësisht kritikave, vetë Edi Rama vazhdon të mos marrë asnjë përgjegjësi mbi vete. “Dy vetë janë të pagabueshëm. Papa i Romës dhe Edi i Surrelit. Për Papën nuk jam shumë i sigurt,” thotë ‘njeriu i memeve’, Genc Sejko. Të tjerë merren me deklaratën e Ramës se ‘socialistët duhet të zbresin në tokë’. Për ta, deri më tani Rama bashkë me ta kanë qenë në ajër. Ka edhe nga ata që thonë se kjo është partia e re që po përgatitet për Erion Veliajn.
Këto teori të rrjetit mund të jenë për konsum veror, por fakt është se Rama po heq qafe këto që mendon se mund ta kritikojë, nuk ka rëndësi nëse është në PS apo jashtë saj.