Aktualitet

Spektakël në ‘Mapei’, Torinos ‘i rrëshqet nga duart’ fitorja ndaj Sassuolos








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:55 - 23/10/20 |
mapo.al

Pandemia ka ndryshuar jo pak kampionatin italian, që këtë sezon po prodhon ndeshje spektakolare e me gola të shumtë, ndërsa e tillë ishte edhe përballja e mbrëmjes së sotme mes Sassuolos dhe Torinos, që u mbyll me barazimin 3-3.


Nën një mjegull të dendur që kishte “pushtuar” stadiumin “Mapei” në Reggio Emilia”, Torino e nisi më mirë takimin dhe pasi kërcënoi dy herë rrezikshëm portën e Consiglit, gjeti golin e avantazhit në minutën e 33-të, kur pas krosit të Vojvodës, Linnety shtyu topin në rrjetë.


Sassuolo provoi të reagojë dhe shtoi presionin me kalimin e minutave, por goli i barazimit erdhi vetëm në minutën e 71-të, kur pas një krosimi të Ayhan në zonë, ishte serbi Djuricic që gjuajti topin me finte dhe mposhti portierin Sirigu.



Torino gjeti sërish avantazhin në minutën e 77’, kur kapiteni Andrea Belotti bëri gjithçka mirë në zonë dhe mposhti për herë të dytë Consiglin. Vetëm dy minuta më vonë, ishte sërish Belotti që shërbeu saktë për Lukic dhe ky i fundit shënoi golin e tretë me një diagonale të saktë.


Me vetëm 10 minuta nga fundi, sfida dukej e përfunduar, por nuk mendonin kështu futbollistët e Sassuolos, që rihapën ndeshjen në minutën e 84-t, kur Vlad Chiriches lëshoi një ‘silurë” nga distanca dhe dërgoi topin në trekëndëshin e portës së Sirigut.


Entuziazmi kaloi në anën e vendasve tashmë, që vetëm një minutë më vonë gjetën edhe golin e barazimit me anë të të zakonshmit tashmë, Francesco Caputo, i cili shënoi pas një krosimi të Berardit.

Në momentin e parë u krijua ideja e një gjuajtjeje me dorë dhe u deshën rreth 3 minuta që VAR të konfirmonte golin, ndërsa më pas të dy skuadrat provuan të gjejnë golin e fitores, por nuk ia dolën dhe u detyruan të kënaqen me nga një pikë.

Me këtë barazim Sassuolo mbetet përkohësisht në vendin e dytë me 11 pikë në 5 ndeshje, ndërsa Torino e Giampaolos merr pikën e parë sezonale, ndonëse duhet theksuar se tashmë ish trajneri i Milanit rrezikon një tjetër shkarkim, pasi skuadra numëron tre humbje dhe një barazim në katër ndeshje të luajtura.


Etiketa: ,

Pas