Aktualitet

Spektakël teatral i shkatërruesit të teatrit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:33 - 06/07/20 |
Asdren Rrahmani

Sot, 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, pavarësi kjo e njohur nga 110+ shtetet më demokratike të rruzullit tokësor, populli dhe politikanët e Kosovës janë më të përçarë se asnjëherë më parë. Për të qenë kjo gjendje edhe më tragjike, e njëjta përçarje ndodh edhe me vëllezërit dhe motrat tona në Republikën e Shqipërisë.


Pavarësisht se sa ti dëshiron të rrish indiferent me çështjet dhe ngjarjet politike në botën shqiptare, ato në fakt merren dhe të afektojnë ty direkt. Pas ngjarjeve të javës së kaluar me ngritjen e aktakuzave të pakonfirmuara për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit, si dhe 9 të tjerëve emrat e të cilëve nuk u bënë publik në këtë aktakuzë të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë, si dhe dështimit të mbajtjes së takimit më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ne shohim zhvillime të shumta politike në vend.


Të hënën e patëm edhe një xhirim televiziv, me anë të të cilit presidenti Hashim Thaçi iu drejtua popullit të Kosovës, dhe thënë më së buti ishte një fjalim me përmbajtje patetike, dhe ashtu siç edhe do të prisja nga ky individ, aty nuk do të bëhej fjalë për ndonjë dhënie dorëheqjeje morale nga ana e tij, edhe pse ai tha se këtë gjë do ta bënte në momentin kur këto aktakuza do të konfirmoheshin nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake.


Vida lidhëse ndërmjet presidentit Thaçi, presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Rama, gazetari Baton Haxhiu do të dilte me një artikull autorial ku ai me plot vrer do të sulmonte Shtëpinë e Bardhë, emisarin Grenell dhe administratën amerikane për “pabesinë” e bërë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe “therjen” e tij pas shpine. Ata, sipas tij, do të ishin në dijeni të kësaj aktakuze, me gjithë datën e caktuar të bisedimeve me Serbinë dhe kthimit të aeroplanit me presidentin Thaçi përmbas.


Që të mos mjaftonte kjo, mentori i tij, kryeministri Edi Rama, dhe përcjellësi i tij i parë u.d. i ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, do të vinin në Kosovë që të takonin liderët partiakë dhe në fund t’i drejtoheshin edhe ata popullit nga aeroporti “Adem Jashari” me t’u kthyer për në Shqipëri. Edi Rama, si shkatërrues teatri dhe asnjëherë në mungesë dramaciteti, do t’i drejtohej popullit me një qasje, ku nga ta po kërkonte revoltë ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe Evropës në veçanti, pas ngritjes së “fletërrufesë” për Hashim Thaçin dhe KadriVeselin, e që do të thoshte ajo plaka e famshme kosovare, e cila iu drejtua atëherë ish-kryeministrit tashmë të ndjerë, Bajram Rexhepi, e cila sigurisht do t’ia thoshte po të njëjtat fjalë edhe Edi Ramës: “Po valla na keni ndihmu, na keni këqyr, na e keni BEEEEP atë nanë”. Edi Rama propagandonte për zhbërjen e kësaj gjykate, këshillë kjo e cila nuk do të jepej nga një mik e aq më pak nga një vëlla shqiptar. Ku ishe ti Edi Rama kur në Parlamentin Evropian po diskutoheshin këto aktakuza dhe kur ky kulaç po përgatitej vite më parë? Çfarë bënin deputetët shqiptarë në Parlamentin Evropian? Cilat kanë qenë aktivitetet e diplomacisë shqiptare në këtë 10-vjeçarin e Pavarësisë së Kosovës, që motrës së saj të vogël t’i dilte në mbrojtje dhe ta udhëhiqte për të mos bërë gabime të tilla? Cilat ishin këshillat tuaja si një shtet me përvojë 100-vjeçare për ta këshilluar dhe mësuar Kosovën për rëndësinë e ngritjes së një sistemi të pavarur gjyqësor, si dhe krijimin e një gjyqi i cili vetë do t’i gjykonte dhe dënonte krimet e luftës dhe të pasluftës, pavarësisht se kush do të mund t’i ketë kryer ato. Natyrisht se këshillat e tilla kanë munguar, sepse të njëjtin problem e ke edhe në shtetin që ti vetë e qeveris. E ke gjyqësinë e kapur dhe ndërrimet e reformat ligjore ka kohë që kanë ngecur pikërisht për shkak të implikimeve të politikanëve dhe kastës mafioze të krijuar ndër vitesh. Gabimet të cilat i bëre ndaj Kosovës, duke e anashkaluar atë totalisht edhe gjatë takimeve dhe bisedimeve për mini-Shengenin tënd me Vuçiçin, disa nga ne ende kemi memorie pak më të gjatë se të peshkut dhe goja jonë nuk hapet vetëm kur jemi të uritur e aq më pak të uritur për broçkullat e tua patetike.

Cilën marrëveshje e arrite me Kosovën, e cila do të vlente të veçohej dhe e cila do t’i sillte çfarëdo të mire qoftë Kosovës, qoftë Shqipërisë? Jo, nuk i amnistoj unë as politikëbërësit kosovarë, përkundrazi ata në këtë gjë janë po aq fajtorë sa edhe ti, mirëpo motra e madhe duhet të tregojë një tjetër lloj përkujdesjeje për motrën e vogël, e cila është e papërgatitur për botën e vrazhdë jashtë shtëpisë. Dështimi i politikëbërjes kosovare është edhe dështim i politikëbërjes së Shqipërisë. Prej se dole me sloganin tënd për “Rilindje” unë s’e di se çfarë në fakt u rilind në botën shqiptare? U rilindën komitët dhe cubat politikë e ekonomikë, u rilind varfërimi dhe largimi i popullit dhe rinisë nga vendi i tyre. U rilind dhembja në shpirtin e nënave shqiptare. U rilind krimi i përmasave të papara brenda dhe jashtë vendit nga mafiet shqiptare. Ne të cilët jetojmë jashtë e dimë se çfarë po flasim. E lexojmë dhe e përcjellim shtypin e huaj. Kemi miq të cilët punojnë nëpër gjykata dhe në biseda private miqësore me ta na tregojnë se sa e sa raste ndërlidhen me krimin e rëndë të bërë nga shqiptarët. Vrasje, drogë, prostitucion, luftë bandash, pastrim parash. Hakmarrjet e vrasjeve në Londër përfundojnë me vrasjet në rrugët e Tiranës. Ky është krimi i cili ka rilind. E çfarë mund të presësh nga motra e vogël, përveçse të bëhet një kopje e motrës së madhe, ç’është e vërteta një kopje e keqe e motrës së madhe. Në gjëra të mbrapshta gjetët bashkimin dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen për shoqi-shoqin, por ajo asgjë nuk kishte që të bënte me votuesit tuaj, me popullin të cilin ju e përfaqësoni. Ato janë thjesht vetëm interesat tuaja të ngushtë, mafiozë dhe klandestinë. Politikanët shqiptarë të Kosovës muzën e pasurimit nëpërmjet politikës e gjetën te politikanët e Shqipërisë dhe e perfeksionuan edhe nga politikanët ndërkombëtarë me përvojë të hajnisë ndërkombëtare. Unë as që pres që do të marr përgjigje në pyetjet të cilat unë i ngrita për kryeministrin Rama, por Ditari im është i shkruar në atë mënyrë që t’i mbijetojë dhe t’i japë përgjigje kohës. Janë bërë dy vjet prej se presidenti Thaçi publikoi librin autobiografik të tij (normalisht me para të majme të taksapaguesit kosovar) e edhe ai ishte një tentim që emrin e tij ta lartësonte në rol dhe rëndësi dhe peshë historike duke përdorur autobiografë mercenarë botërorë. Nëse për asgjë dhe sikur vetëm një fije e sinqeritetit të mbretëronte përbrenda shpirtit të atij njeriu, për hatër të këtij libri ai atë ditë kur iu drejtua popullit me xhirimin e fjalimit të tij do të dorëhiqej nga posti i presidentit. Shteti i ri dhe pushtetari modern nuk i mbajnë shtetin dhe proceset peng pavarësisht se a janë ato akuza të konfirmuara apo jo! Përndryshe, titullin e atij libri autobiografik ky vetë po e mohon. Në zhvillimet e tjera politike në Kosovë, Qeveria Hoti feston zëvendësministrin e 46-të dhe është në rrugë të sigurt që të arrijë rekordin e mëparshëm të PAN-it. Nëse kësaj do t’i bashkëngjitet edhe PDK-ja në një qeverisje të gjerë gjithëpërfshirëse, por përjashtuese për Vetëvendosjen, numri i këtyre zëvendësministrave do të rritet dukshëm. Lufta me COVID-19 është pothuajse e humbur dhe kolabimi i sistemit shëndetësor është shumë realisht të pritet se do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Spiralja e ngjarjeve nëpër të cilat Kosova do të kalojë në javët dhe muajt në vijim kërkon një urtësi, unitet dhe mençuri të pashoq, e se ku do t’i gjejmë ato nuk e di. Por nga ajo që e di është se shpeshherë fati ynë, përkundër çmendurive tona, ka ditur të jetë i mëshirshëm ndaj nesh, ashtu siç edhe pula e verbër e qëllon ndonjë kokërr të misrit ndonjëherë.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas