Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka përmendur gjatë fjalimit në Kuvend edhe çështjen e Teatrit Kombëtar, ku është shprehur se do të ngrihet më i fortë dhe më i bukur, e ndërsa aktorët që kanë kundërshtuar prishjen e teatrit i ka cilësuar trushpëlarë e jo artistë.
“Teatri Kombëtar i Shqipërisë, do të ngrihet aty, më i fortë dhe më i bukur se kurrë. Nuk kemi patur Teatër moj zonjë (i drejtohet Rudina Hajdarit), kanë qenë ca trushplarë e jo artistë. Shumica e aktorëve që kanë dhënë shpirtin në atë skenë do vazhdojnë ta japin në mënyrë dinjitoze.
Ata duan të bëjnë pazar për veten e tyre, për sistemin, ju doni të mbijetoni në politikë, po në të njëjtën mënyrë. Unë dua që ju dhe të gjithë të mbijetoni dhe të keni sukses të madh në politikë.
Për këtë nuk e fajin maxhoranca, e kanë fajin ata që ju nxorrën këtu. Gjejeni aty problemin”, është shprehur Spiropali.
Në replikë, Rudina Hajdari reagoi duke i thënë Spiropalit: “T’ju vijë turp që ofendoni artistët e Shqipërisë, nuk e dija që je arkitekte të na tregosh si ndërtohet. Teatri ka një shpirt që duhet të ruhet. Ju lutem mos ofendoni artistët. Të isha në vendin tuaj do të tërhiqja atë fjalë. Sa i përket sistemit, a e kuptoni që këtu ju keni sjellë kriminelë?” tha ajo.