Edi Rama ka premtuar që mbrëmë se do të ofrojë sot një zgjidhje për situatën në spitale. Zgjidhja e Ramës tashmë është e njohur. Mohim i krizës.
Dhe në këtë sens, ai u premtoi ndjekësve në rrjetin social dhe publikut, pamje origjinale që tregojnë se realiteti është krejt tjetër, jo ai që prekin njerëzit çdo ditë, jo ai që denoncojnë qytetarët, jo ai që thotë Opozita, jo ai që raportojnë mediat.
Pra me videot që do shihnim sot, prej Demiurgut Rama do vinte në jetë bota që të gjithë po presim.
Një ngjarje e rëndë në mesditë, mesa duket ja ka ndryshuar planet.
I tronditur, në stres, në gjendje të renduar psikologjike duhet të ketë qënë një 69 vjeçar që u hodh nga kati i tretë i infektivit dhe po lufton në urgjencë me jetën.
Reshati nga Fieri me siguri nuk e ka ditur se kryeministri i tij kishte projekte PR-i, dhe me gjasë nuk e kishte idenë se e vërteta që do shpallte ai sot, do ta përmirësonte gjendjen në spital, do të lehtësonte hallin e tij, e të mijëra të tjerëve që po vuajnë, ose të prekur, ose më keq, të frikur se mund të infektohen po nuk kanë ku të shkojnë.
Edi Rama po bën një nga betejat më të pashpresa dhe më të pasigurta të karrierës së tij si politikan, duke e mohuar me vendosmëri, disipline dhe me arrogancen e zakonshme situatën në shëndetësi. Vetëm se ajo panorama e trishtë nuk fshihet dot. Eshtë e rëndë, dhe çdo shqiptar e di sot, se, kapacitetet nuk mjaftojnë, se mundësitë për trajtim janë më të pakta se nevojat, dhe se shpesh mungojnë edhe mjetet bazike.
Që në krye të herës, çdo kryeministër do ta kishte të vështirë ta menaxhonte situatën e pandemisë. Si kudo në botë, edhe në vendet më të zhvilluara.
Po çdo kryeministër i përgjegjshëm do të kishte bërë disa zgjedhje, do të kishte marrë disa vendime.
Shefi i rilindjes, nuk i dërgoi të gjitha energjitë dhe mundësitë financiare tek spitalet, dhe kjo tashmë është e ditur. Ai vijoi rutinën e pagesave për oligarkë e koncensione, sikur të ishim në ditë normale, dhe jo në alarmin e Covid-19.
Për këtë mbahet përgjegjës dhe jep llogari një shtetar. Investimi në shëndetësi, alokimi atje i gjithë buxhetit dhe instrumenteve me siguri do të sillte një realitet tjetër. Ndoshta do të kishim edhe psikologë në spitale, dhe me gjasë jo 4 të vetëvrarë.
Mbase, paratë dhe fokusimi nuk do të sillnin mrekulli. Po të paktën, kryeministri do ta kishte bërë të veten, do ta kishte ushtruar me përgjegjësi detyrën.
Lënia në rutinë, dhe me idenë se do të kalojë, se kjo valë do ikë një ditë, dhe nga ana tjetër, ofensiva me propagandë sikur po punon shumë e po përpiqet në skaj, po djersin e po sakrifikon, nuk ka sjellë asnjë përfitim për njerëzit, për pacientët, për familjet e tyre.
Sikur nje jetë e vetme, një shqiptar të ishte shpëtuar nga të tjera politika të ndjekura, do të ishte një arsye për të vlerësuar qeverinë. Në të kundërt, ka shumë argumenta për të fajësuar, për të drejtuar gishtin tek ai. Tek arkitekti i shëndetësisë falas për të gjithë, tek autori i transformimit më të madh në 30 vite.