Edhe pse ishte kompania më me eksperiencë në bashkimin e operatorëve që fitoi tenderin e koncesionit 10 vjeçar të hemodializës, Spitali Amerikan rezulton se ka marrë vetëm një fraksion të kontratës.
Pasi u shpallën fitues të tenderit për koncesionin e partneritetit publik-privat për shërbimin e hemodializës, bashkimi i operatorëve Evita Sh.p.k dhe Spitali Amerikan sh.a kanë regjistruar një kompani të re që ka për qëllim zbatimin e kontratës koncesionare.
Qëllimi i kompanisë së re të quajtur Dia Vita sh.p.k është që të japë shërbimin e hemodializës pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, QKR, 85 % e aksioneve të Dia Vita Sh.p.k janë nën pronësinë e kompanisë Evita sh.p.k, ndërkohë që vetëm 15% e aksioneve nën pronësinë e Spitalit Amerikan Sh.a.
Eksperienca e Spitalit ishte kyç për shpalljen e bashkimit të operatorëve si ofertë fituese, për shkak të numrit të pacientëve të hemodializës që trajtonte. Mbetet e paqartë pse ndarja e kontratës ka shkuar në favor të kompanisë Evita Sh.p.k.
“Evita” sh.p.k është një kompani produktesh farmaceutike me qendër në Tiranë, e themeluar më 14 maj 2013 në QKR, me pronare të vetme Majlinda Fetiun dhe administratore Elona Saraçin.
Sipas të dhënave të regjistrit themeltar rezulton se Majlinda Fetiu ka lidhje gjaku me administratorin e Spitalit Amerikan në Tiranë, Klodian Allajbeu. Fetiu është vajza e xhaxhait të Allajbeut.
Edhe pse u paraqit si risi, partneriteti mes publikut dhe privatit për hemodializën është një praktikë që ndiqet prej vitit 2012 në vendin tonë. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se për shkak të mbingarkesës, spitalet publike kanë transferuar një pjesë të pacientëve dhe të fondeve buxhetore drejt Spitalit Amerikan dhe Hygea Hospital Tirana përgjatë tre viteve.
Vetëm gjatë vitit 2014, spitali Amerikan ka lidhur kontrata me QSUT, Spitalin e Fierit dhe Spitalin Ushtarak, duke përfituar 865 milionë lekë nga buxheti i shtetit në vitin 2014./BIRN