Spitali rajonal i Fierit ka hapur dyert këtë të mërkurë, pas ndërtimit në një periudhë rekord prej 3 muajsh.
Në ceremoninë e inaugurimit të këtij spitali të ri ishte kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ogerta Manastirliu, si dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, përmes një video-mesazhi.
Erdogan e konsideroi spitalin rajonal të Fierit, shenjë të një miqësie të fortë turko-shqiptare.
Ai gjithashtu ndau detaje nga shërbimi që pritet të marrin qytetarët në këtë spital, teksa theksoi se Ankaraja do të vazhdojë t’i shërbejë Shqipërisë.
“Në spitalin që po inaugurojmë sot, afërsisht do punojnë 400 personel të përbërë nga turq dhe shqiptarë, duke krijuar një shërbim cilësor në fushën e shëndetësisë, me kushte moderne dhe bashkëkohore, duke u fokusuar në 23 degë themelore: me 6 salla operacioni, 6 shërbime poliklinike si dhe 20 njësi të kujdesit intensiv.
Në total e përbërë me 180 shtretër. Turqia me këto mundësi do të vazhdojë t’i shërbejë Shqipërisë jo vetëm në qytetin e Fierit, por në të gjithë rajonin. Uroj që ky spital duke qenë një tregues dhe një shenjë e miqësisë, të sjellë dobi dhe të shpërndajë sa më shumë shërim për vëllezërit e mi shqiptarë”, -tha Erdogan.