(Në kujtim të poetit, aktorit, përkthyesit, regjisorit Tefë Krroqi)
Ese nga Xhahid Bushati
Me Tefë Krroqin jam takuar vetëm një herë. E kujtoj si tani atë takim. Ishte ditë marsi. Ishte një pranverë shkodrane. Dhe ishte viti 1992. Nuk e harroj atë bisedë të këndshme. Tefa fliste pak e skuqej shumë. Kishte një të qeshur që donte diell.
Shpesh rrinte i menduar. Të vështronte gjatë, dhe dukej sikur kontrollonte çdo fjalë që thoshte. Kur biseda jonë mori ngjyrën e bashkëbisedimit mes miqsh, Tefa sikur u clirua. Ai më kishte sjellë ca poezi për emisionin letrar që drejtoja atëhere, kur isha gazetar në Radio Shkodra.
Përsëri, edhe sot, e kujtoj që, ai burrë ecte pak i kërrusur. Ecte… dhe sikur s’donte të trazonte njeri, as dhe ajrin.
Tani, pas kaq e kaq vitesh, teksa shfletoja dosjet e mia të punës së gazetarit, gjeta dhe ca fletë (ishin poezitë), të cilat i njoha menjëherë, sepse njoha shkrimin e Tefës. E duke iu rikthyer asaj tufe me poezi, krahas kujtimeve që më zgjojnë, nuk kam se si të harroj atë fluiditet konceptimi të poezisë së tij, ku motivi shihej në një trajtë të papërcaktuar e hera-herës me një parafytyrë sureale. Prania e mosprania e subjektit poetik përgjithësisht surreal lëvizte përmes simboleve të mjergullës, ndërgjegjes së marrakotun, të boshësisë në beben e synit e korbave që krratin, Ndoshta ishin një pasqyrë e vetvetes.
M’u bë sikur më foli ai zë dhe para syve më dolën tiparet e tij. Po bëj një sprovë në “ringjalljen” e portretit të aktorit, regjisorit, përkthyesit e poetit Tefë Krroqi.
U lind në Shkodër, më 28 shtator 1924. Kreu gjimnazin e njohur të jezuitëve në qytetin e tij të lindjes. Në shtator të vitit 1942 shkon për studime të larta në Itali. Më pas, në vitin 1948 punon si Drejtor në Bibliotekën e Shkodrës (sot “Marin Barleti”). Më vonë si mësues e njohin Leskoviku e Vraka. Në këtë të fundit, udhëve të këtij fshati do t’i shfaqej përherë imazhi i portretit të Migjenit dhe i hapësirave të tij poetike.
Me krijimin e teatrit “Migjeni”, me 24.11.1949, Tefa është pjesëtar i bërthamës formuluese, krahas Andrea Skanjetit (regjisor), Adem Kastratit, Vitore Ujkës (Nino), Ndrekë Prelës, Antoneta Fishtës, Paulin Lacajt, Çezarina Çiftes, Ndoc Dedës (aktorë).
Nga viti 1955 deri në maj të vitit 1959 punon si llogaritar në Spitalin e Shkodrës. Më pas, për afër 20 vjet është regjisor i estradës profesioniste të Peshkopisë që me themelimin e saj (1959). Është marrë, për nga natyra e punës me krijimtari estrade si skeçe,monologë dhe tekste këngësh. Veçanërisht në periudhën 1960-1970, kur drejtues muzike ishte Tonin Rrota, ka bashkëpunuar me këtë të fundit në krijimin e teksteve për këngë. Më të njohurat ndër të cilat ka qenë “Jepma mollën”, “Hiqen vallen”, “Hej, more, hej”, “Rapsodi dibrane” etj…., të gjitha të mbështetura në muzikën dhe motivet popullore dibrane. Në Dibër ai punoi e la mbresa të pashlyera, aq sa e quanin ‘dibranë”, pavarësisht se vinte nga Shkodra. Për Dibrën ai punoi edhe pasi doli në pension, e deri në ditën që u nda, më l dhjetor 1995 në Tiranë.
Qysh fëmijë e më pas në rini u muar me veprimtari teatrore. Kujtojmë: “Te nipat e Pashko Tamizit” (komedi, vënë në skenë mga Kolegji Saverian më, 22.02. 1935, me regjisor I. Zamputin), “Lundërtari i mordes “(dramë, regjisor H. Lacaj, vënë në skenë nga Kolegji Saverian, më 19.02.1933). Po ky grup aktorësh dhanë këtë dramë, më 20.02.1941, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko. Gjithashtu Tefën e shohim te “Shtjefën Nafaka” (komedi, regjisor: Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 07.05.1935), “Kështjella e Skifterit” (dramë, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi i Don Boskos, më 24.12.1935). Kjo dramë u shfaq edhe më 25.12.1936, edhe më 25.04.1944. E shohim te “Vandea” (dramë, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 12.04.1936), “Perizë” (komedi, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 13.04.1936), “Shjor Pllumbi me bark thatë” (lojë gazi, regjisor Injac Zamputi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 08.08.1937).
Po ky grup aktorësh, më 15.08.1937 interpretuan në lojën e gazit: “Divorci”, “Britaniku” (dramë, regjisor Henrik Lacaj, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 20.2.1939), “Filantropi mbas mode” (lojë gazi, regjisor Pal Delija, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 02.02.1941), “Vallja e mordes” (bocet, regjisor Tefë Krroqi, vënë në skenë nga Rrethi Don Bosko, më 27.09.1941), “Napoleoni e Papa” (bocet, vënë në skenë nga Seminari Papnuer, më 5.08.1942), etj. Për të vazhduar me role të tjera të spikatur në drama me autorë shqiptarë e të huaj. Kujtojmë “Armiku i popullit” e Ibsenit, vënë në skenë nga Zef Zorba; “Mortja e mesnatës” përkthyer nga A. Skanjeti, “Portreti” i A. Afinogjekov, “Ishulli i paqes” i J. P. Petrov, “Përmbysja” e B. Lavraniev (26.05.1950), “Jeta fillon përsëri” e V. Sobke (15.10.1952), “Agimi” e K. Jakovës (14.12.1952), “Kush e ka fajin” e G. Mdivani (komedi, 11.01.1954), “Toka jonë” e K. Jakovës (27.04.1954), “Shtëpia buzë shkambit” e T. Shoshit (28.11. 1954), “Sherbëtori i dy zotnive” e K. Goldonit (komedi, 27.02. 1955) etj. Gjithashtu ka punuar numrin e parë dhe të vetëm të revistës “Ja liri, ja robin”, me pseudonimin Besim Stajka. Gjatë verës së vitit 1944 shkroi dramën “Për liri”, të cilën nuk arriti ta vërë në skenë. Është marrë me përkthime. Ndonëse të pabotuara, la të përkthyera në shqip dramat madhore të Ibsenit duke filluar nga “Hijet” e duke mbaruar me “Kur ne të vdekurit zgjohemi”. Gjithashtu është marrë edhe me përkthime poetike. Kryesisht poezi moderne të këtij shekulli, por pa harruar edhe nga Hajne, Bajron, etj
Pas viteve ’90 punon redaktor i “Hyllit të Dritës”. Përgatiti për botim bibliografinë e plotë të “Hyllit të Dritës” (1913-1944). Përktheu “Katekizmi, një libër për Shna Ndoun e Padovës”. Mes shumë përkthimeve është edhe drama “Vëlla i zotit tonë” me autor Papa Gjon Pali i dytë, dramë e cila para disa vitesh u vu në skenën e teatrit “Migjeni”.
Ka shkruar edhe poezi. E tillë është dhe përmbledhja në dorëshkrim “Xhevahire të rrejshme” (kështu e quajti autori). Vjershat e kësaj përmbledhjeje janë të shkruara midis viteve 1942-1972. Ndonëse ato nuk janë “xhevahire të rrejshme”, por xhevahire që dritësojnë natën e rrezatojnë në heshtje, por edhe në vite. Këto mademe të çmuara flasin për një kod nga i cili poeti Tefë Krroqi i vështronte ngjarjet, fenomenet apo objektet që trajtonte. Ishte kontestues, një kontestim përzier me një lloj pesimizmi dhe ironie (ku nuk harronte ta mveshte vargun edhe me ndonjë sarkazëm të lehtë).
12 vjet pas vdekjes së poetit Tefë Krroqi, familjarët i botojnë librin me titull “Kujtime”. Në këtë përmbledhje kryesisht me lirika ka edhe poezi filozofike… etj. Në këto të fundit kemi një “bisedë” dhe marrëdhënie të poetit me krijimtarinë e tij, me misionin dhe ëndërrimet e tij. Në këtë dialogim, shpesh herë yjet e shpresës, nganjëherë veniten… Aq sa poeti shkruan : “ Pluhuni / do të bijë mbi shkrime t’mija, / marimangat / do të endin mbi to pëlhurën tallse. / Barut i lagun qenë vargjet e mia / e gazi i tyne / nuk do të dëgjohet as te praku i derës. / Pluhuni / do të jetë murana e tyne, / pluhuni. » (poezia “Pluhuni do të bijë”, f. 132, nga libri : “Kujtime” (përmbledhje poetike, Sh. B. “Husi Bardhi”, Tiranë, 2007).
Në mbyllje të kësaj sprove eseistike, dua të citoj fjalët e kompozitorit të shquar Zef Çoba, që ishte mik i Tefës e, që librit poetik “Xhevahire të rrejshme” i ka bërë dhe parathënien. Zefi në mes të tjerave shprehet kështu: “Duke shikuar arkitekturën e vargjeve dhe stilin me të cilin lot mendimin poetik Tefa në këtë vëllim, më hyn në kokë tundimi bezdisës që teknika rrezikon të cënojë vlerat e përmbajtjes artistike, nëse përdoret si qëllim në vehte apo autori nuk ka arritur ta përdorë në funksion të vetë idesë artistike. Por struktura e ndërtimit të vargjeve të vëllimit poetik “Xhevahire të rrejshme” dhe vargëzimi, rrjedh krejtësisht me një teknikë të lirë e me shkathtësi në përdorimin e penelit poetik, në funksion të dinamikës së trajtimit të mendimeve e ideve. Kjo është arritur si përsa i përket përzgjedhjes së fjalëve dhe vendosjes së tyre në konstruktin arkitektonik, për kantilenën e rrjedhjes poetike, si dhe për bukurinë sonore të tingujve fonetikë.”
Shkodër, maj, 2021