fbpx

Aktualitet

Stadiumi me emrin “AirAlbania”, pikëpyetjet e tenderit





               Publikuar në : 22:07 - 09/11/19 |
mapo.al

Kompania e fluturimeve Air Albania ka blerë për 3,2 milionë euro emrin e Stadiumit Kombëtar, por blerja duket se nuk ka respektuar një nga kushtet e vendosura nga FSHF, që kompania duhet të kishte të paktën 10 milionë euro xhiro vjetore. Air Albania u themelua vitin kaluar dhe për 2018-ën nuk kishte të ardhura.


T.Ch raportoi se Air Albania paraqiti ofertë prej 650 mijë eurosh në vit për të blerë për 5 vite emrin e Stadiumit Kombëtar. Oferta thuhet se ishte më e madhe se interesi i shprehur nga Bolv-Oil, Vodafone apo Sigal.



Marrëveshja, e cila nënshkruhet të hënën, ngjall dyshime pasi kushtet e vendosura nga FSHF ishin që “kompania të kishte xhiro prej të paktën 10 milionë eurosh në vit”.


Në thirrjen e muajit korrik FSHF thoshte:

Shfaqja e interesit (nga kompanitë) do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.

Nuk është e qartë se si kompania Air Albania, e formuar më 13 gusht të vitit 2018 – me aksioner 10 për qind AlbControl (shtetërore), 41 për qind MDN Investment dhe 49 për qind nga Turk Hava Yollari – i ka plotësuar kushtet e thirrjes së shpallur më 22 korrik të këtij viti.

Pra, nuk është e qartë se si Air Albania u kualifikua, megjithëse nuk kishte mbushur as një vit aktivitet në momentin e hapjes së thirrjes. Ndërkohë në bilancin e vitit 2018 ajo rezultoi pa të ardhura dhe me 100 mijë euro humbje (12,265,000 lekë).

Kompania Qendra Sportive Kuqezi, e cila zotëron “anën sportive të Stadiumit Kombëtar” ka aksioner 25 për qind Ministrinë e Ekonomisë dhe 75 për qind FSHF-ën. Megjithatë ajo nuk e sheh të detyrueshme respektimin e transparencës, aq më shumë kur bëhet fjalë për Stadiumin Kombëtar.

Vlen të theksohet se pjesa tjetër, “jo-sportive” – e cila është e paqartë se çfarë sipërfaqe ka – është në pronësi të privatëve dhe do të vazhdohet të quhet Arena Center.

Kështu marrëveshja e shitjes së emrit i shtohet serisë së marrëveshjeve të dyshimta dhe jo-transparente mes qeverisë, FSHF-ës dhe privatëve, të cilat kanë përçudnuar Stadiumin Kombëtar. /Exit.al/


Etiketa: , ,

Pas