Me krizën e koronavirusit që ka mbërthyer gjithë globin dhe ka pezulluar planet e udhëtimeve për shumëkënd, turizmi i brendshëm mbetet shpresa e vetme për të rimëkëmbur sektorin.
Të gjitha shtetet po shpresojnë se udhëtimet brenda vendit mund të kompensojnë një pjesë të humbjes.
Por, në Shqipëri, banorët e saj rezultojnë me pamundësinë më të madhe për të përballuar një javë pushime jashtë shtëpisë në Europë, sipas të dhënave krahasuese nga Barometri i Ballkanit, publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (për shtetet e rajonit) dhe EUROSTAT (për vendet e BE-së).
Pyetjes “A jeni përballur me paaftësi për të përballuar të paktën një javë pushime larg nga shtëpia (nëse doni) gjatë 12 muajve të kaluar”, rreth 64% e shqiptarëve i janë përgjigjur Po, përqindja më e lartë në rajon.
Në përgjithësi, për këtë pyetje, të gjitha vendet e rajonit kanë shprehur pamundësinë për të bërë pushime, ku pas Shqipërisë, renditet Mali i Zi (48%), Maqedonia e Veriut (46%), Serbia (40%), Bosnjë-Hercegovina (35%). Në rajon, më lehtë i përballojnë pushimet shtetasit nga Kosova, me vetëm 28% të totalit, që pohojnë se nuk bëjnë dot pushime. Kosova ka si destinacion kryesor për të kaluar pushimet, Shqipërinë.
Në vendet e Bashkimit Europian, sipas EUROSTAT, në vitin 2019, 29% e banorëve të Shteteve Anëtare të BE-së të moshës 16 vjeç e sipër nuk ishin në gjendje të përballonin pagimin e një pushimi vjetor njëjavor larg shtëpisë.
Kjo peshë është ulur gradualisht që nga viti 2010, kur 39% e europianëve nuk mund të përballonin një javë pushime larg shtëpisë së tyre. Sidoqoftë, për shkak të bllokimeve dhe mbylljes së kufijve të zbatuar në të gjithë botën në vitin 2020 për të ngadalësuar përhapjen e shpejtë të koronavirusit, kjo prirje rënëse ka të ngjarë të ndalojë në vitin 2020.
Midis shteteve anëtare të BE-së, Rumania kishte peshën më të lartë, me shumicën e rumunëve (54%) që nuk mund ta përballojnë një pushim vjetor prej një jave në vitin 2019. Banorët e Greqisë ishin të dytët, me 49% që nuk ishin në gjendje të përballonin një pushim njëjavor larg shtëpisë, e ndjekur nga Kroacia (48%), Qipro (45%) dhe Italia (44%).
Në të kundërt, në fundin e ulët të shkallës, vetëm 10% e njerëzve në Suedi nuk ishin në gjendje të përballonin një pushim vjetor një javë, e ndjekur nga Danimarka dhe Luksemburgu (të dy 11%), Finlanda (12%), Gjermania dhe Austria (të dy 13%).
Stabilizohen të ardhurat buxhetore, rënie vetëm 9% në qershor
Të ardhurat e buxhetit të shtetit gjatë muajit të parë pas mbylljes tremujore për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri pësuan një rënie modeste prej 9% në terma vjetorë, nga 30% që ishte rënia në prill e maj dhe 16% në mars, duke treguar se gjërat po kthehen në normalitet. Qeveria nuk bën asnjë kursim në anën e shpenzimeve.
Ritmi i rënies së të ardhurave të buxhetit të shtetit gjatë muajit qershor u reduktua me shpejtësi në krahasim me prillin dhe majin, duke reflektuar rigjallërimin e aktivitetit ekonomik pas mbylljes së imponuar nga pandemia e koronavirusit të ri.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat e buxhetit të shtetit në qershor ishin 34.3 miliardë lekë, me një rritje 25% në krahasim me majin dhe me një rënie në masën 9% në krahasim me qershorin e vitit 2019. Ndonëse 9% është një rënie e konsiderueshme, ajo sërish është shumë më e ulët se sa ritmi i rënies së shënuar në prill (29%) dhe në maj (30%) dhe duket se ekonomia po kthehet në thuajse normalitet me shpejtësi.
Javën e kaluar, të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Instituti i Statistikave treguan për një rimëkëmbje të shpejtë të importeve dhe eksporteve gjatë qershorit, ku importet ishin pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Rikthimi i importeve është ajo që duket se ndihmoi edhe të ardhurat buxhetore.
Në Shqipëri, shteti grumbullon pjesën më të madhe të të ardhurave nga importet e mallrave, taksa që mbahen te trau i doganës. Por në qershor edhe të ardhurat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore shënuan një rritje vjetore prej 1% në krahasim me rënien 8-10% të muajve të pandemisë duke sugjeruar një rikthim të punësimit.
Lajmi i keq duket se është fakti që pavarësisht krizës, shpenzimet e qeverisë po mbahen të larta pa ndonjë përpjekje të madhe për të kursyer qoftë edhe te fondi i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes. Shpenzimet totale të buxhetit të shtetit në qershor ishin 10% më të larta se sa një vit më parë, ndërsa për të gjithë gjashtëmujorin shpenzimet publike janë rritur me 2%.
Për rrjedhojë, deficiti buxhetor në gjysmën e parë të vitit ishte 38 miliardë lekë, (320 milionë euro).
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, të cilat ishin shënjestra e një prej ndryshimeve të buxhetit gjatë këtij viti me supozimin se për shkak se administrata publike qëndroi në shtëpi për tre muaj, nuk mund të konsumojë të njëjtën sasi nafte, gomash apo kancelarish si në kohë normale, në fakt qëndruan në të njëjtin nivel me vitin 2019 kur vendi nuk pati pandemi. Gjergj Erebara | BIRN