Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti pohon se rrënimi i ekonomisë shqiptare dhe braktisja e vendit ka nisur më herët se shpallja e pandemisë nga virusi Covid-19.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Paniriti thotë se pikiata nuk është ndalur që nga viti 2017, duke e konsideruar me ironi “viti i tepsisë dhe timonit”.
“Të gjithë treguesit ekonomikë, financiarë, shoqërore, demografikë dhe mbi të gjitha ata demokratikë të vendit, e filluan rrokullisjen kur një parti e vetme “zaptoi” sistemin dhe institucionet pa votë dhe pa mbështetje popullore”, shkruan ish-ministri i Bujqësisë.
Teksa mbështetet në statistikat e INSTAT , Panariti shton se rënia ekonomike nuk do të ndalë dhe se shansi për të ndryshuar realitetin janë zgjedhjet parlamentare më 25 prill.
Postimi i Edmond Panaritit në “Facebook”:
Tatëpjeta e Shqipërisë, filloi në vitin e tepsisë dhe jo në atë të pandemisë!
Të gjithë treguesit ekonomikë, financiarë, shoqërore, demografikë dhe mbi të gjitha ata demokratikë të vendit, e filluan rrokullisjen kur një parti e vetme “zaptoi” sistemin dhe institucionet pa votë dhe pa mbështetje popullore.
Viti i fillimit të pikiatës është viti 2017, që është edhe viti i tepsisë dhe i timonit!
Pikiata nuk ka të ndalur dhe që prej atëhere vendi po “zhytet” dhe po fundoset.
Këtë e dëshmon INSTAT në statistikat e popullatës së vendit të janarit të 2020, kur pandemia ende nuk kishte nisur.
Që këtë fillim viti, INSTAT në të dhënat e tij provon se popullsia e Shqipërisë po rrudhej, mpakej dhe plakej me shpejtësi të frikshme.
Kjo ka vetëm një arsye, vetëm një shpjegim!
Braktisja e vendit dhe ulja e rritjes natyrore të popullsisë së tij është krye- shënja e mungesës së shpresës së shqiptarëve nga dështimi ekonomik, papunësia dhe izolimi Evropian i vendit.
Dhe kjo nuk do të ndalë, për sa kohë që do të ruhet kjo konjukturë bllokuese dhe asfiksuese e vendit…
25 Prilli është shansi për të ndryshuar këtë “status quo”, e cila po mban peng në mënyrë të padrejtë dhe mizore Shqipërinë dhe të gjithë ne.