Mapo Letrare

Stinë në katër kohë








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:16 - 30/01/21 |
Erina Çoku

STINORE



Nesër mbyllen dyert e dimrit
përrallë pa këpucë në mesnatë
ishe asaj stine.


Dimrin që grrucet prej diellit,
mos ma kujto.




Nesër çelen dritoret e verës
si çapitja ime që lule buisi para kohe
njëmijë hapa drejt teje.



Verën që ndërmjetet me shiun,
mos ma kujto.


Nesër nis vrapi për në vjeshtë
asaj stine vetëm sytë të mbaj mend
desh u mbyta në to.

Ninëzën vjeshtake që m’u ngjit në qafë,
mos ma kujto.

Nesër quhet pranverë
si sot që më ndërmendesh,
por nuk e gjej dot qysh.

Pranverën që ndryshe zë fill,
ma kujto, ma kujto.

2017

LE TA DUAM DIMRIN

Stinë e vizatuar si linjë me laps plumbi
pa ndërprerje,
kujtesë e pastër e gruas
frymë e gjatë,
ngatërruar me re.

Harabelat i shtohen klimës së thatë
dhe pemët rrëzohen
më ngadalë se herët e tjera
historia e tyre e shkurtër
e përmend dashurinë
lakuriqe,
jo krejt të përsosur,
por marramendëse.

Nuk kam frikë,
le ta qërojmë dimrin
si një portokall të trishtuar me lëng
që orët e veta me diell
i ka mbledhur në cipën e hollë,
të ndjeshme për gojë vetmore.

Fryma e mbledhur
gatitet ta shpërthejë zemrën
endje me fije delikate
të pambrojtura.

Le të duhemi dhe në dimër
thjesht
meqë u deshëm në stinët e tjera,
thjesht
meqë kështu jemi gatuar.

Le të duhemi edhe këtë dimër
që të na gjejë pranvera gjallë
me ekuinoks në hartën e ndijimit
dhe pragun e kullave plot me borë,
borë të bardhë që nuk ka rënë ende,
por edhe sikur të bjerë do të shkrijë,
apo jo?

Le ta duam këtë dimër
që hesht e nuk i ndërron gjendjet
që mbase s’na do aspak,
që mbase na do shumë pak,
që mbase na do ndryshe,
që mbase dashurinë nuk e njeh
por shpirtin ndoshta po.

Le ta duam dimrin
lule e paçelë,
le ta duam thellë
gjersa të na dhembë ashti,
gjersa të na therin kyçet,
gjersa gjaku të na hollohet
e zemra të na plasë e lumtur,
prej vrullit.

Se deshëm,
deshëm si kush nuk deshi.

2017

DIMRI I MIRË

Prej ashti shkulet nëntori i qetë
në gojë të kohës gjaku i rrjedh
sa muskujt e tokës mpihen të errtë
e të kuqtë e gjallë mendtë ia merr.

E ngrohtë si gjumi me ëndrra në degë,
jeta plaset e mprehet në qelq,
e thyeshme, e fortë sado të jetë,
e kthyeshme njësoj nuk është, për dreq.

Zëra këndojnë hapat e mbramë
stinës së vrarë nga shtinjakë
që kurrë në kraharor pemë s’u pamë
që kurrë limfa s’u çeli plagë.

Avitu dimër, stinë vetmore,
pa shpendë, pa gjethe, pa krahë,
pa diell ledhatar për dore
pa dhe e pluhur të mjaftë.

Mbroje tulatjen e fluturimeve
rrokullimën me rënie në ujë,
si fasha e bardhë dorën e përhime,
si dhembja e mishit nervin e butë.

2015

DIMRI NDËRMJETET ME PRANVERËN

Dimri ndërmjetet me pranverën
flatrat e fjalëve ndihen
si zogj deti që kalojnë afër një bregu.

Valët nuk maten me fluturakë në ikje
udhëtimi i tyre i shkurtër platitet në shkëmb
dhe zërat i mbjell në gur.

Ahti i ujit të njelmët,
më gërryen ngadalë
si një psherëtimë e gjatë në rënie.

Fryma më ndërmjetet me ajrin
në orët kur të dua imtë,
si një thërrmijë rëre.

2017

DEHJE

M’ka zënë pranvera
e avujt e saj nuk më dalin prej trupi.
Më ka zënë.

Eter i dehur nën lëkurë,
mish me vena melankolike
e palcë të butë thellë në kockë.

Hape pëllëmbën tënde të ngrohtë.
Prej mesit të saj gjer në puls
mollëza e gishtit shenjon një vijë.

Ndij.
Pranverë në gjakun tënd.

Anoje qafën tënde të lakuriqtë.
Prej zverkut gjer në lukth
mollëza e gishtit tim shenjon një lakore.

Ndij.
Pranverë në frymën tënde.

Frymoje frymën tënde të nxehtë.
Prej fytit gjer në buzë
mollëza e gishtit tim shenjon një puthje.

Ndij.
Dehu dhe ti.

2019

PAMJE

Dje syth, sot lule – pranvera këputet dimrit
aty qe, po nuk e pamë,
dje ti, sot unë – dashuria këputet mishit
aty qe, po na verboi.

Dje limfë, sot frymë – jeta çelet trupit
aty qe, po nuk e ftilluam,
dje ti, sot unë – jeta çelet shpirtit
aty qe e po na sheh.

2018

KJO PRANVERË

Kjo pranverë e marrë,
e ethshme,
mërmëritej që në dimër,
po vij, po vij, po vij.

Toka lëvizte
dhe përrenjtë e rinj të dritës
binin mbi lëkurë,
të ngrohtë,
të lëmuar,
të heshtur.

Kjo pranverë e epshme
që po vjen,
hijet shkul prej trupi
pa dhembje.

Gjaku i lehtë
rrjedh prej plagës së lëngët
në damarë,
e kuqe e fshehtë,
dalldisëse.

Kjo pranverë e dashur,
që duam të jetë e dashur
trupit gulfohet
e shpirtit shpërthen.
Rrjedhat e saj nën lëkurë
këndojnë,
harro, harro, harro.

Kjo pranverë e re
me kujtesë të re,
tundim i ëmbël
e ujë në syth,
i ka hyrë trupit
gjer në shpirt.

2019

GUSHT I HESHTUR

Gushti, një gjuhë e heshtur,
nuk e flasim,
por prej sysh e nxjerrim
re për shi të vonë.

Gushti, një gjuhë e zvargët,
nuk e flasim,
por prej lëkure e nxjerrim
që të mos e marrim me vete
udhës për në vjeshtë,
stinë të papeshë,
se koha nuk na bart,
se mendimet na tendosin,
se rëndesa na bën lëndë.

Gushti, një gjuhë e ngadaltë,
nuk e flasim,
por cepave të buzëve na shket
për të mbërritur diku
në udhët pa shenja
të të gjitha moteve.

2016

VJESHTORE

Çka ndodhi, ndodhi,
vjeshtë ra mbi ne të dy,
po mua që era brenda teje më hodhi
si do më gjejë udhë nga shpirti yt?

Çka ndodhi, ndodhi
një vjeshtë e ndajmë unë e ti,
po ty që era shkulm të solli
si të të nxjerr nga shpirti im?

Çka ndodhi, ndodhi
ti dhe unë vjeshta jemi
po kësaj furtune që na mori
shiun tonë si do t’ia themi?

2020

VJESHTA PRET

vjeshta pret shiun
pret

ngjethja e diçkaje
përhapet rrathë-rrathë
prej kresë në shputë

pingule
pingule
pingule

vjeshta pret gjethet
pret

fryma e diçkaje
përhapet rrathë-rrathë
mbi ujë

rrathë
rrathë
rrathë

vjeshta pret dorën
pret

si gjembi në bimë
kur këputet
i mprehtë dy ofshama

e mjera lule
e bukura lule
e dashura lule

vjeshta pret dhembjen
pret

gjembi bëhet hakmarrja
që futet mishit
me dashurinë për lulen

vdekja e beftë
ngjallja e ngadaltë
ahti i fundmë

vjeshta pret ngjyrat
pret

njëmijë ngjyra
midis të blertës së shkuar
dhe të bardhës së ardhme

trup
krijesë
frymë

vjeshta pret qafën
pret

ngjyrat flenë nën lëkurë
delir i lëngët
zgjim i kuq

të mprehta
të njoma
depërtuese

vjeshta pret sot
pret

si gjembi në mish
si fari në ishull
si ishulli në ujin e njelmët

kësaj dite, nate
kësaj ore, sekonde
kësaj grime kohe

shpirti im rrathë uji
shpirti im dritë fari
shpirti im ishull nën qiell.

2018

4


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas