Tiranë Gjykata Europiane ka dënuar Shqipërinë me 8 mijë euro për rastin e Vehbi Alimuçës, i dënuar për mashtrimin e kreditorëve me kompaninë piramidale “Vefa Holding”. Kërkesat e Alimuçës, i liruar nga burgu pas problemeve të vazhdueshme shëndetësore, u shqyrtuan dje në Gjykatën e Strasburgut, edhe pse dosja ishte dorëzuar më 2 qershor 2005. Vendimi i trupit gjykues, që kryesohej nga presidenti Nicolas Bratza, ka qenë pjesërisht në favor të Vehbi Alimuçës, duke detyruar shtetin shqiptar t’i paguajë atij shumën prej 8000 euro si dhe taksat respektive në valutën vendase, sipas kursit të këmbimit në ditën e vendimit (7 shkurt 2012). Ish-drejtuesi i kompanisë “Vefa Holding”, Alimuça, ishte ankuar për shërbim jo të duhur mjekësor gjatë vuajtjes së dënimit, pasi kishte shfaqur problem serioze kardiake e neuropsikike. Për këtë çështje, ai i referohej disa neneve në Konventën Europiane për të drejtat e njeriut, në bazë të të cilave ankohej dhe për mungesën e parashikueshmërisë ligjore për ndjekjen penale ndaj tij, si dhe për dënimin e dhënë. Në vendimin e saj Gjykata e Strasburgut rrëzoi shumicën e pretendimeve të Alimuçajt, meqenëse raportet mjekësore të paraqitura dëshmonin keqësimin e situatës për shkak të vijimësisë së sëmundjes tek individi, por pranoi se nuk ishte respektuar neni 7 i Konventës (nuk ka dënim pa ligj), me argumentimin se ndaj aplikuesit ishte imponuar një dënim më i rëndë se ndëshkimet në fuqi gjatë kryerjes së veprës penale. Ky vendim hyn në fuqi pas tre muajsh, nëse asnjëra palë nuk do të kërkojë rishqyrtim të saj. Nëse vendimi do të qëndrojë, shteti shqiptar duhet t’i paguajë 8 mijë euro 63-vjeçarit Alimuçaj, brenda një afati 3-mujor, siç përcakton Gjykata Europiane, ndryshe do të imponohet një normë përqindje më e lartë në kreditë që merr shteti shqiptar. Ish-bosi i kompanisë “Vefa” u arrestua në prill të vitit 1998, me akuza të përsëritura mbi skemat mashtruese të huamarrjes. Më 2002 Alimuça u shpall fajtor nga Gjykata e Lartë për mashtrimin ndaj gjithë kreditorëve (57 923) të kompanisë së tij dhe u dënua me 20 vjet burg. Por ai u lirua pas 8 vjetësh, në maj 2010, pasi 11 vite të dënimit të tij u ulën me dy akte amnistie, 6 muaj falë punës në burg dhe 1 vit iu hoq me faljen presidenciale të vitit 2010.