Qendra e parë rezidenciale për këdo nga komuniteti LGBTI që braktiset, ose që vuan nga dhuna familjare dhe e ambientit ku jeton, për shkak të orientimit seksual apo identitetit gjinor, u hap në Tiranë.
Përfituesit do të kenë një vend ku mund të strehohen për një periudhë tranzitore dhe të nisin një jetë të re, përmes programeve individuale që do ti aftësojnë të gjejnë punë e strehim të mëtejshëm.
Dy organizatat shqiptare “Aleanca LGBT” dhe “ProLGBT” janë bërë bashkë në përpjekjet e tyre për të ofruar këtë shërbim unikal në të gjithë Ballkanin dhe, ndër shërbimet e para të këtij lloji, në të gjithë Europën Lindore.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, Ambasadori britanik në Shqipëri Nicholas Cannon OBE, Ambasadori i SHBA, Henry V. Jardine, drejtoresha në zyrën e programeve në USAID, Clare Masson, drejtori ekzekutiv i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) Andi Kananaj, drejtoresha e “Assist Impact” Mathy Timm dhe të tjerë miq, ishin vizitorët e parë të këtij ambienti.