Familjet rome që jetojnë në çadra në zonën e Babrrusë do të strehohen në një repart ushtarak afër Kombinatit, që është në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Ministri i Punës, Spiro Ksera tha se ky vendim do të kalojë së shpejti për miratim në Këshillin e Ministrave. “Romët që janë strehuar atje janë nga njësi vendore të ndryshme të Shqipërisë. Ne jemi marrë me përpilimin e dokumentacionit për t’i adresuar te njësitë vendore, sidomos te Bashkia e Tiranës, për të ndihmuar, dhe kemi rënë dakord me Bashkinë, por përsëri këto ditë ne po kalojmë një vendim të Këshillit të Ministrave të veçantë, ku Ministria e Mbrojtjes na jep një repart ushtarak afër Kombinatit, në mënyrë që ne të bëjmë një qendër për pritjen e problematikave të tilla, jo vetëm për romët, por edhe për shtresat e tjera që kanë probleme të tilla”, – tha Ksera. Këtë deklaratë, ministri i Punës e bëri gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me komisioneren për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Irma Baraku, e cila tha se gjatë vitit të shkuar janë regjistruar vetëm 20 ankesa.