Reperi i njohur Arkimed Lushaj ka rrëfyer mënyrën se si ia ka dalë të arratiset, fill pasi u shpall në kërkim nga Policia për organizimin e ditës së parë të protestës #UnëjamKlodiani.
Në një prononcim për “Prive”, Stresi tregoi se u fsheh në një makinë funerali dhe se me të udhëtoi fillimisht drejt Laçit, për t’u ndalur në Kosovë.
“Ishte shumë e vështirë, se dje pas proteste janë dhënë urdhra që Stresi, djali i Sali Lushës, të merret në Drejtorinë e Policisë. Është shumë e vështirë me dal prej turme. Kemi dalë, jemi bllokuar në një vend, u futëm në një kafene…
Kur pamë që protestuesit u drejtuan te Drejtoria, e kemi dit që krejt forcat policore do shkonin aty. Kemi marrë një shok temin që punon me makinat e varrimit, vetëm për të dalë nga protesta. Kemi shkuar deri në Laç me të, aty pastaj drejt Kosovës”, – tha Stresi.
Risjellim në vëmendje se Stresi ishte ndër më të pikasurit në protestën e parë të nxitur nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.
Madje, ai, sikundër një gazetar, u përball me dhunën policore gjatë përplasjeve të vazhdueshme mes palëve.