Filmi “Hustlers”, ku interpreton Jennifer Lopez, është ndaluar të transmetohet në Malajzi. Lajmi është konfimuar nga kompania që merret me shpërndarjen e filmit, “Square Box Pictures”.
Sipas autoriteteve përkatëse malajzeze, “Hustlers” ka përmbajtje të tepruar të skenave të pahijshme. Bordi i censurimit të filmit tha se kërcimet erotike dhe skenat ku përdoret masivisht droga, e bëjnë filmin të papërshtatshëm për t’u shfaqur në publik.
“Hustlers” është një film i bazuar në një histori të vërtetë, që u trajtua në një artikull të “New York Magazine” në vitin 2015, ku përmenden një grup ish-striptistesh që u bashkuan dhe mashtruan klientët e pasur të Wall Street-it.
Jennifer Lopez luan në “Hustlers” rolin e striptistes Ramona. Ajo është shprehur në lidhje me të se ka punuar intensivisht, për të ardhur në sytë e shikuesve sa më reale. Risjellim në vëmendje se filmi ka fituar deri më tani 2.5 milionë dollarë në Amerikën e Veriut.