Ëndrrat marrin formë me besim, këmbëngulje. Kjo është ajo çka u mësohet të rinjve të sotëm, si për të lënë pas një të shkuar të ngjashme, të qindra mijëra prindërve, të prekur, regjur nga regjimi komunist. Një pjesë e mirë e studentëve duket se nuk stepen nga zëra që u mëshojnë projeksioneve të një tjetër lloji. Dhe ngrihen në këmbë, pa kurrfarë ndroje apo frike.
Jo më larg se pesë muaj më parë, një protestë e nxënësve të arsimit të mesëm u zhvillua përballë Ministrisë së Arsimit, për rishikim tezash, vlerësimesh. Sot u përftua një klimë e ngjashme, veçse autorë ishin studentët e të gjitha cikleve universitare. Me një sërë pankartash në duar, ata refuzojnë t’i nënshtrohen mësimit online. “Injoranca vret më shumë se Covid-i”, kështu lexohet në një prej kartonëve shumëngjyrësh, si për t’i mëshuar dështimit në masat e marra për frenimin e koronavirusit. Tjetër pamje kishte mëngjesin e sotëm Rruga e Durrësit.
Trafiku i zakontë, zemërata e jo të paktëve drejtues mjetesh, u zëvendësua nga ovacionet e qindra të rinjve ( rreth 300-400 ), që besojnë në ëndrrat e tyre, të të qenit ndoshta në një të ardhme të afërt edhe pjesë e bluzave të bardha, për të mposhtur të tjerë armiq të padukshëm, të ngjashëm me këtë që po përballet një botë mbarë. “Ne e kemi provuar mësimin online, është një dështim. Përveç faktit që mungon diskutimi, shkëputet internet, s’ke përqëndrim”, shprehet një studente për MAPO, e cila i përgjigjet një pyetjeje të paartikuluar ende.
“Nuk po e mbaj maskën sot në shenjë proteste. Për mua është e shenjtë dija.” Një tjetër student duket se nuk kundërshton procesin virtual të mësimdhënies, se sa mënyrën se si iu komunikua vendimi. “Është e palogjikshme që ministria të nxjerrë një vendim 3 ditë para fillimit të mësimit. Pse duhet të bëhet kjo?! Mund të ketë ulje tarifash…edhe vjet kemi bërë shumë pak mësim në auditore dhe tarifat i paguam si të ishim në një periudhë normale”, thotë i riu. “Pa frikë ne mund të jemi brezi i injorantëve. Qeveria duhet t’i thërrasë mendjes për një plan më të mirëfilltë dhe efektiv”, shton ai, në fytyrën e të cilit mund të shquash lehtësisht shqetësim përzier me trishtim, pikërisht për të ardhmen, mesa duket të planifikuar dhe projektuar tjetërkund.
“Kemi bërë gjithë këto shpenzime dhe papritur na thonë që do e bëjmë mësimin online. Ka shumë vështirësi! Unë jam studente që aspiroj të jem infermiere, dhe presupozohet që të merrem me shëndetin e njerëzve. Si mund të orientohesh për këtë online?!” – thotë një 18 vjeçare e porsa shkëputur nga gjiri familjar, me një pagesë të porsa bërë për dhomën e konviktit. “Kam paguar për 4 muaj. Thuhet se do kompensohemi në muajt vijues, por gjithçka mbetet e paqartë.” Ka edhe nga ata që nuk mohojnë vështirësitë financiare. “Jetoj në shtëpi me qira dhe ekonomia e familjarëve të mi është shumë e dobët. Përpos sakrificave të vazhdueshme, nuk mund t’i kërkoj kurrsesi të më paguajnë internetin”, shprehet një 20-vjeçar, të cilin pasditeve mund ta hasni në një nga lokalet e kryeqytetit.
“Unë paguhem me një rrogë minimale, dhe për t’u rikthyer në vendlindje, Sarandë, aty ku gjendet shtëpia e prindërve, më duhen të paktën 10 mijë lekë të vjetra. Dhe gjithmonë kur dua të marr autobusin dhe t’i largohem kryeqytetit, e mendoj dy herë…”, thotë ai teksa përballë shtrihet një varg policësh, krah ministrisë, që ndryshe nga të tjera protesta, ku argument të vetëm kanë pandeminë Covid-19 dhe rrezikun që i kanoset jetës, duket se kanë zgjedhur ta respektojnë qëndrimin e të rinjve, kurajon dhe guximin, po qoftë edhe kundërshtinë, ndaj përbaltjes së të drejtës për t’u arsimuar dhe shkolluar.