Studentët duket se kanë hequr dorë nga protestat në sheshe. Kur pritej që ata t’i riktheheshin mësimit, pasi një gjë të tillë e njoftuan edhe universitetet, të ndarë në grupe të vegjël, mëngjesin e sotëm studentët janë mbledhur brenda fakulteteve ku kanë nxjerrë karriget dhe tavolinat në korridore, duke shkaktuar kaos.
Kjo është situata te Fakulteti Ekonomik, i Drejtësisë, Filologjik, te Universiteti Politeknik dhe ai i Mjekësisë. Ndërkohë që pranë fakulteteve bien në sy edhe forcat e policisë. Një grup studentësh vijojnë të protestojnë, ndonëse qeveria ka miratuar 12 vendime si pjesë të Paketës për Universitetin që i jep përgjigje dhe zgjidhje pjesës më të madhe të tetë kërkesave të tyre.
Ndonëse protesta nuk ka përfunduar ende, Universiteti i Tiranës ka vendosur që të nisë jo vetëm mësimin normal, por edhe zëvendësimin e orëve të humbura përgjatë ditëve të dhjetorit.
Në një mbledhje në Rektorat është përcaktuar madje edhe mënyra. Për pesë javë rresht, studentët nuk do të pushojnë në fundjavë, por do të bëjë mësim.
“Në mbledhjen e rektoratit të datës 08.01.2019, u mor në konsideratë situata mësimore pas përfundimit të protestës studentore, e cila u zhvillua nga data 10-21 dhjetor 2018, pra, 10 ditë mësimore. Pas diskutimeve të shumta për të mos prishur strukturën vjetore, Rektorati vendosi që mësimi të plotësohet ditën e shtunë dhe të diel për 5 javët në vazhdim, pra, deri më 10 shkurt 2019.
Regjistri të plotësohet në periudhën e ndërprerjes së mësimit gjatë dhjetorit. Ditën e shtunë dhe të diel të javës së parë do të zhvillohet mësimi i dy ditëve të hëna e me radhë”, thuhet në njoftimin e FEUT, bashkangjitur së cilës është dhe grafiku me datat e zëvendësimeve.
Një njoftim i ngjashëm është bërë edhe te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, por pa përcaktuar mënyrën sesi dhe afat kohor. Ndër të tjera, thuhet se dekanati kërkon mbështetjen e studentëve për përmbushjen e plotë të procesit mësimor brenda kufijve kohorë të vitit akademik 2018-2019.