Aktualitet

Studentët nuk do ta lënë Shqipërinë vetëm





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 13:56 - 23/01/20 |
mapo.al

Nga Zef Zefi


Deklarata më shpresëdhënëse e protestës studentore sot është kur njeri prej tyre njofton se ne jemi ketu, sepse KEMI VENDOSUR TË JETOJMË NË SHQIPËRI.



Me fjalë të tjera ne nuk e lëmë Shqipërinë vetëm në duar të diktatorëve të djeshëm e të sotëm të unifikuar në organizatën aktuale po aq antikombëtare e po aq moniste sa ajo komuniste.


Të dashur studentë, jemi shumë që e lamë Shqipërinë vetëm. Edhe brezni po bëhemi shumë.

Na rreshtoni edhe ne ikësve me ata që e kanë lënë vetëm mëmë e atë-dheun, na gjykoni ashpër, po mos na dënoni, sepse kaq ditëm në kohën e dhënë si viktima të një burgu 50 vjeçar. Na ndodhi si të burgosurve të Platonit që dolën nga shpella, po u gjetën papritmas në atë të “Kantit.”

Por shumë prej nesh e ndjejnë se çfarë dëmesh i solli vendit ngutja jonë dhe janë shpirtërisht aty me bashkimin e rezistencën tuaj. Por mos harroni të gjykoni dhe dënoni ashpër me mosvotim deri me mosbindje organizatën që e fundosi Vendin tonë në këtë zezonë, në këtë mizerje ekonomike, politike e gjeopolitike, njësoj si paraardhësit e tyre gjenetik e ideologjik.

Sigurisht keni mosmarrveshje me qeverinë për mashtrimin që ju bëri kryeministri aktual më saktë kryemashtruesi dhe “zaptia” i shumicës së shqiptarve në gjithë rajonin. Keni mosmarrveshje me skuadrën e Tij prej diletantësh në zotësi, por profesionistësh në dredhi bizantine kërbaç e sidomos në tradhëti.

Mbas pengesave, kurtheve, presioneve meskine por këmbëngulëse, do të vërshojnë edhe policët e kazermës, në fillim për t’ju tutur, por sigurisht për t’ju thyer në vendosmërinë tuaj.

I keni parë se sa të egër e pamëshirshëm, sa meskinë e të pabesë janë bërë policët e shtetit (në fakt të pushtetit leviatanik të inkriminuar ndërkombtarisht) me rezistentët e artistët në mbrojtje të Teatrit Kombtar, me lëvizjet antikozmopolite “antisoros”,me mbrojtësit e shtëpive të tyre deri me fëmijë të mitur e pleq, mbrojtësit e të drejtave kushtetuese dhe liritë, protestat jopolitike e politike në gjithë Shqipërinë.

Keni parë e ndjekur shpresoj me vemendje se çfarë heqin gazetarët, tv, emisionet e tyre shoqëria civile, burokratët dhe administrata shtetërore madje edhe institucione që nuk janë të asnjë kryeministri, të cilët nuk rreshtohen dhe nuk i nështrohen propagandës të perbindshme të  Ertv-ve, arrogancës e dhunës së tyre.

Studentë, ju keni vendosur të mos e lini Shqipërinë vetëm. Ky është një nga lajmet më të bukura, që na mbërrin nga Shqipëria. Bëjeni dritë këtë shkëndijë edhe për fytyrzinjte e obskurantizmit.

Shqipëria me ju në ballë, nuk është kurrë vetëm.


Etiketa:

Pas