Tiranë Djali i një emigranti është mbajtur për tri ditë peng, pa ujë e bukë, në një lokal në rrugën “Barrikadat” në Tiranë. Fatjon Xhafa, 22-vjeçari nga Librazhdi është rrëmbyer dhe mbajtur peng nga katër të rinj, për shkak të një borxhi të pashlyer prej 100 mijë lekësh nga babai i tij. Zyrtarë të policisë së Tiranës i thanë mbrëmë MAPO-s se pengu është shpëtuar në orët e pasdites së djeshme, kohë kur përfunduan në pranga edhe rrëmbyesit e tij: Martin Shtënjari, Artur Kolpepa, Maksim Hoxha dhe Bledar Vata. Policia tha se Bledar Vata ishte pronari i lokalit në rrugën “Barrikadat”, ku ishte mbajtur peng 22-vjeçari nga Librazhdi. Të katër personat e arrestuar po hetohen tashmë nga policia për akuzat e rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personit, si dhe për keqtrajtim fizik ndaj tij. Historia mësohet se ka nisur afërsisht një muaj e gjysmë më parë, kur i gjithë grupi, përfshi edhe pengun, kanë menduar të hapin një biznes në Tiranë. Pas njëfarë kohe, të rinjtë janë tërhequr nga plani i tyre për të hapur biznesin, duke mbetur në marrëdhënie borxhi me njëri-tjetrin. Fatjon Xhafa duhej të paguante rreth 100 mijë lekë të reja për investimin e kryer, shumë të cilën ai ka premtuar se do ta shlyente. Burimet e policisë bënë me dije se katër të arrestuarit për pengmarrje e kishin marrë këtë premtim edhe nga babai emigrant i 22-vjeçarit. Por edhe pse ka kaluar shumë kohë, Xhafa nuk ka paguar pjesën e tij të parave. Sipas policisë, ish-miqtë, duke ditur faktin se studenti kishte babanë emigrant në Greqi, i kërkuan me ngulm paratë dhe tri ditë më parë e takuan atë tek rruga “Barrikadat”, pranë shkollës së mesme “Sami Frashëri”. Pasi e futën në lokal, ata e kanë tërhequr forcërisht Xhafën në një pjesë dhome pranë banakut, që ishte e përshtatur si banjo. “Do të qëndrosh aty derisa të na japësh paratë”,- mësohet t’i kenë komunikuar ish-miqtë Xhafës. Më pas ata kanë marrë në telefon të atin dhe i kanë kërkuar atij paratë që u kishte premtuar. Sipas dëshmisë së të dëmtuarit dhënë dje për hetuesit, ai për tri ditë me radhë ishte keqtrajtuar, rrahur dhe lënë pa ujë e bukë. I gjendur në këto rrethana, babai i Fatjonit është kthyer dje nga Greqia, duke lajmëruar paralelisht edhe policinë. Pasi kishte komunikuar me personat në telefon dhe kishte lënë takim për dhënien e parave, babai i studentit, Ismet Xhafa i ka dorëzuar paratë njërit prej të akuzuarve për pengmarrje në afërsi të stacionit të trenit. Kaq ka dashur policia që të bllokojë të dyshuarin e parë dhe më pas të lirojë pengun në lokal, duke arrestuar edhe tre të dyshuarit e tjerë. Fatjon Xhafa u dërgua më pas në spital, ku edhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Të arrestuar
Martin Shtenjari
Artur Kolpepa,
Maksim Hoxha
Bledar Vata