Në një sondazh të kryer nga Fondacion “Friederich Ebert” del se dëshira e të rinjve për tu larguar nga vendi është e lartë. 40% e të pyeturve kanë dëshirë të ikin nga Shqipëria, ku disa preferojnë të qëndrojnë përgjithmonë, disa 20 vjet, praktikisht një kohë e mirë e periudhës aktive për punë. Destinacioni më i preferuar i të rinjve që duan të largohen është Gjermania. Për shkak të lehtësive në dokumentacione që ka bërë shteti Gjerman për emigrantët. Zakonisht të rinjtë largohen nga vendi i tyre pasi kanë provuar të ja dalin në vendin e tyre, por sipas studimit të bërë, të rinjtë shqiptarë e “humbasin” kohën në kafene, online në rrjetet sociale, por edhe para televizorit.
Përfaqësuesja e “Friedrich Ebert”, Jonida Smaja duke folur në Wakeup në TCH renditi edhe disa gjetje të tjera të këtij studimi. Sipas saj mbetet për tu theksuar që gati gjysma e të rinjve duan të emigrojnë nga vendi. Faktor i fuqishëm në këtë çështje është sigurisht edhe statusi ekonomik i të rinjve: 8% e të rinjve nga grupi më i varfër ekonomikisht nuk del kurrë, krahasuar me mesataren kombëtare, që është vetëm 1%, citon studimi i FES.
Sipas Smajës, në një tjetër studim krahasues rajonal del se në mënyrë paradoksale të rinjtë kosovarë e shqiptarë janë më të lumturit edhe pse përqindja e papunësisë tek ta është më e larta.
Në studimet e mëparshme të Fondacionit në vitet e kaluara si arsye primare e të rinjve për largim ishin arsyet ekonomike, kurse në studimin e këtij viti arsyeja kryesore ishte për një cilësi më të mirë jete. Duke pretenduar se në vendet ku do të shkojnë ata do të jenë qytetar të denjë me një nivel të mirë jetese. Kostoja normale i një të riu sot në një muaj për harxhimet e tij bazike si: uljet në kafene, transporti, celulari, veshjet janë mesatarisht 11 300 mijë lek në muaj që i bie rreth 105 euro.
Ky është një harxhim jo i shumtë monetar por në krahasim me rrogën mesatare në Shqipëri, ajo shumë e lartë se në këtë studim nuk përfshihet shkollimi i të rinjve. Tek aktivitetet kryesore që kryejnë të rinjtë në përditshmërinë e tyre, një numër të lartë e zë kafeneja, leximi i librit nuk është shumë i preferuar në masë të gjërë, por edhe kur preferohet, preferohet në numër më të lartë nga vajzat. Djemtë janë më të prirur për sport. 48% e tyre e kalojnë kohën duke u marrë me aktivitete sportive, kurse 28% e femrave kryejnë aktivitete sportive shumë shpesh. 41% i të rinjve shqiptarë nuk merren me asnjë lloj aktiviteti fizik. Dukuria që del shumë e lartë në studim dhe që të rinjtë e preferojnë shumë, është të qënit fashion, të qënit në modë, bërja e pazarit, ndjekja e trendeve.
Në të dhënat e tjera që dalin nga studimi është ndarja e barabartë në % e të rinjve që duan të punojë në sektorin publik e atë privat. Kjo paraqet një ndryshim nga vitet e tjera sepse më parë kishte një pëlqim të lartë për punën në shtet. Të dhëna të tjera në studim jepen edhe për lidhjen e të rinjve me politikën, ku shumica e tyre kanë pak njohje e interes për të, por nga ana tjetër shkojnë në zgjedhje në masën e 60 %. Kjo dukuri sjell një shqetësim se kjo tregon se të rinjtë shkojnë të votojnë të pandërgjegjshëm se pse do të votojnë. Interesi për politikën është i vogël por ata kërkojnë të kenë lidhje me politikën, për të gjetur një vend pune.
Fondacioni “Friedrich Ebert” në Shqipëri ka kryer studimin me titull “Rinia Shqiptare 2018/2019” në kuadër të një iniciative rajonale, e kryer njëkohësisht në 10 shtete të Evropës Jug-Lindore, përkatësisht ato të Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Rumanisë, Bosnje-Herzegovinës, Serbisë, Koracisë, Sllovenisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë. Sondazhi është kryer me një kampion kombëtar prej 1.200 te rinjsh të intervistuar prej moshës 14 – 29 vjeç.