Sipas të dhënave nga John Hopkins University, rezulton se për muajin shkurt, Shqipëria ka pasur një rritje deri në 97% të infektimeve krahasuar me muajin dhjetor dhe janar, ndërkohë që mban numrin më të ulët të testeve të kryera për numër popullsie në rajon dhe Europë. Deri më tani janë kryer rreth 141 teste për 1 mijë banorë, ndërkohë që ndjekësja më e afërt është Maqedonia e Veriut me 238 teste për të njëjtin numër personash.
Nga ana tjetër, për muajin shkurt sipas John Hopkins Shqipëria rezulton me rritje deri në 97% të numrit të vdekjeve, duke shënuar një rekord botëror. Në shifra zyrtare raportohen rreth 59 vdekje për 100 mijë banorë, por në rast se shtohen dhe numrat e raportuar nga INSTAT për vdekjet shtesë, atëherë shifra shkon deri në 230, çka do të thotë se kemi lënë mbrapa dhe vendin më të prekur të botës Anglinë që raporton 180 vdekje për 100 mijë banorë.
Nga: Armand Maho
Edi Rama nuk lë vend pa e përsëritur në këtë prag fushate se në rast se pandemia do kish ardhur 7 apo 8 vite më parë, do ishte bërë “qameti”. Në fakt se çfarë do kish ndodhur shtatë apo tetë vite më parë nuk mund ta dimë, por ata që kanë pasur fatin ta përjetojnë atë në epokën e Rilindjes, ata që i kanë provuar në kurriz, apo te familjarët dhe të afërmit e tyre e dinë boll mirë se vetëm ndihmën e shtetit nuk mund ta kenë. Sot janë ezauruar thuajse të gjitha vendet në spitalet publike, dhe i njëjti fat shqiptarët i përndjek dhe në spitalet private.
E thënë më thjesht në rast se të bie halli ke mbetur në dorë të fatit, sepse askush s’të përgjigjet as për hospitalizim dhe as për mbështetje financiare. Për të marrë ndonjë masë tanimë është vonë, ndërsa vaksinimi mbetet vetëm si retorikë e propagandës së kryeministrit, i cili për të pritur një kuti vaksina nuk ngurron të marrë mbrapa të gjithë shpurën mediatike dhe propagandistike në aeroportin e Rinasit.
COVID-19 është shtruar këmbëkryq në Shqipëri. Ai që ka ndonjë iluzion se në këtë vend pandemia vazhdon të menaxhohet sipas propagandës së qeverisë gabohet. Të dhënat e institucioneve ndërkombëtare, përllogaritjet, numri i vdekjeve dhe rasteve të reja flasin për të kundërtën. Qeveria shqiptare ka dështuar plotësisht në menaxhimin e pandemisë. Sot në muajin e dytë të 2021-shit jemi në vend të parë për sa u përket ritmeve të infektimit. Teksa të gjitha vendet e tjera përfshi dhe ato të rajonit, kanë shënuar ulje ekstreme pas goditjes së valës së dytë, si pasojë e masave të marra.
Në të njëjtën situatë është dhe numri i vdekjeve, ndoshta më keq. Shqiptarët po vdesin shumë herë më shumë se ato që raportohen në shifrat zyrtare. Vdekjet shtesë prej 5700 personash që raportoi INSTAT për vitin 2020, nuk ishin rastësore, dhe specialistët këmbëngulin se janë humbje jete nga COVID-i. Në rast se i shtojmë këtu dhe vdekjet që kanë pasuar që nga Janari, atëherë Shqipëria për numër popullsie lë mbrapa dhe Anglinë, SHBA apo Italinë për sa i përket numrit të vdekjeve. Në rast se kjo mund të quhet të arritje…
Qeveria ka përgjegjësi direkte, qoftë për mënyrën e menaxhimit, qoftë për indiferencën që po shfaq. Kryetari opozitës, Lulzim Basha, në fund të shtatorit, për dy javë rresht këmbënguli që të merreshin masa për përballimin e valës së dytë të pandemisë. Por si përherë u përball me arrogancën e shefit të qeverisë, dhe romuzet televizive të spin-doktorëve mediatikë që ai i nxjerr në çdo studio televizive.
Me të njëjtën arrogancë u përball zoti Basha dhe kur nxori dokumentin se numri i të vdekurve nga COVID-19 ishte sa dyfishi i atyre të raportuara nga qeveria. U akuzua se po bën politikë me vdekjen, dhe po nëpërkëmb mjekët. Edi Rama këtë herë do i përgjigjej me korin e shefave militant të pavijoneve, që kërcejnë vallen sipas avazit të tij.
Dhe ja ku jemi sot. Shqipëria rezulton me ritmin më të lartë të infektimeve në kontinentin europian por ndoshta dhe në shumë vende të botës dhe numrin më të ulët të testimeve. Ndërsa qeveria shqiptare vazhdon e patrazuar spektaklin me projekte 3D. Natyrisht shpurës së Rilindjes i intereson më shumë pushteti, dhe se çfarë do bëhet pas 25 prillit, ndërsa të prekurit nga pandemia duket sikur nuk ekzistojnë. Sot ai që voton Taulantin, apo ai që voton Elisën, Damianin, Braçen, apo të gjithë “të pazëvendësueshmit” e Rilindjes, në fund faturën e pandemisë e paguan vetë, njësoj si ata që votojnë opozitën.
Ata vazhdojnë paguajnë për infermierin që duhet t’u vijë në shtëpi për injeksionin, për tamponin në privat, për skanerin, për remdisivirin, antibiotikët, holluesit e gjakut e çdo medikament tjetër që as rimbursohet dhe as e ka kush ndërmend që ta rimbursojë. Ata paguajnë për papërgjegjshmërinë e një qeverisje, që ka më shumë mendjen te fasadat, apo inspektimet e projekteve 3D, ku Kryeministri flet për aeroporte e tunele imagjinare, ndërkohë që me shumë gjasë disa metra më andej s’është çudi që të jetë dikush, një shtetas i këtij vendi që po lufton me vdekjen. Këtë po e paguajnë shqiptarët sot, nën menaxhimin e Ramës. Se çfarë do kish ndodhur para 8 vjetësh, askush nuk di ta thotë.
Shqipëria, vendi më i prekur në rang botëror për muajin shkurt
Shqipëria është një nga vendet më të prekura në kontinentin europian nga pandemia e COVID-19, bazuar kjo në numrin e popullsisë por dhe në numrin e testiteve të bëra. Të dhënat vijnë nga Universiteti John Hopkins i USA, i cili përllogarit numrin e prekjeve javë pas jave për të gjitha vendet e botës. Prej një jave, sipas John Hopkins kemi një rritje eksponenciale të pandemisë, në shifra të cilat nuk i kanë as Anglia, SHBA, apo Italia që njihen për numrin e madh të prekjeve, dhe të testimit në masë. Deri në datë 22 shkurt, që janë dhe të dhënat e fundit të përpunuara nga institucioni në fjalë, Shqipëria ka një prekje prej 369 personash për 1 milion banorë, që është më e lartë se shifrat që raportojnë SHBA-të, Anglia, Italia apo Gjermania.
Ndërkohë që Serbia i është afruar Shqipërisë me raste në datat 21 dhe 22 shkurt me një shifër prej 365 personash që rezultojnë pozitiv për 1 milion banorë. E shprehur në përqindje, krahasuar me javët paraardhëse, Shqipëria mund të jetë nga vendet e pakta në botë që ka shënuar vetëm rritje me një mesatare ditore prej më shumë se 30% në mes të datave 10 dhe 24 shkurt, të rasteve pozitive në raport me numrin e testeve të zhvilluara. Kjo shifër në të njëjtën periudhë kohe në Serbi është 17%, në Maqedoninë e Veriut 113.5% dhe në shtetet më të prekura SHBA 7.6, Angli 2.2, Itali 4.5 e kështu me radhë.
Testimet
Kjo situatë raportohet në një moment kur testimet në Shqipëri rezultojnë më të ulëta se në vendet e tjera. John Hopkins ka përllogaritur dhe numrin e testimeve në raport me vendet që përmendëm më lart. Rezulton se Maqedonia e Veriut zhvillon gati 40% më shumë se teste se Shqipëria e megjithatë nuk ka këto shifra. Në momentet që flasim sipas John Hopkins University, në Shqipëri zhvillohen rreth 138-139 teste për 1 mijë banorë. Në Maqedoni zhvillohen rreth 236 teste për të njëjtin numër banorësh, në Serbi 406 dhe rekordin e mban Anglia që regjistron më shumë se 1000 teste për një mijë banorë. Specialistët shprehen se bazuar në numrin e testimeve shifrat në terren mund të jenë shumë herë më të larta se sa raportohen.
Sipas tyre, zgjedhja e individëve të ndryshëm të kryejnë testimet me pagesë në laboratorë privatë ka bërë që të braktiset thuajse fare gjurmimi epidemiologjik. Kjo e dhënë, ka të bëjë dhe me numrin e testeve që kryen qeveria apo ISHP pa pagesë, që natyrisht rezulton të jetë shumë herë më e ulët se ajo që raportohet. Shumica e testeve që kryhen në laboratorët privatë ka të bëjë më së shumti me ata persona që duan të udhëtojnë jashtë vendit.
Shifrat
Sipas grafikut vjetor të paraqitur, duket se që pas Majit të vitit të shkuar qeveria shqiptare e ka braktisur luftën kundër COVID-19. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera shënojnë ulje të shifrave si shkak i masave të marra, Shqipëria që prej asaj kohe ka shënuar vetëm rritje, për të zënë vendin e parë rreth datës 29 qershor të atij viti, dhe qëndron edhe sot në këtë pozicion. Në këtë datë Shqipëria rezulton me 10.6 % të rasteve pozitive për testet e kryera, ose rreth 23 raste ditore. Deri më datë 10 qershor Shqipëria nuk regjistronte më shumë se 5-6 raste pozitive ditore. Kurba që atëherë ka njohur vetëm rritje.
Në muajt Korrik dhe Gusht shifra luhatej mes 35 dhe 45 rasteve ditore. Në këto shifra luhatej dhe shtatori, ndërsa u vu re një dyfishim i shifrave në Tetor, ku rreth datës 25 të këtij muaji kaluan në 104 raste ditore. Shifrat që po rriteshin ndjeshëm paralajmëronin qartazi për valën e dytë të pandemisë. Kryetari i opozitës Basha, për dy javë rresht kërkoi rritjen e testimeve ndërsa Shqipëria vazhdonte të performonte me numra të ulët testesh nga institucionet. Për shembull në atë kohë Shqipëria zhvillonte vetëm 33 teste për 1000 mijë banorë, një shifër kjo tre herë më e ulët se Maqedonia e Veriut që zhvillonte më shumë se 100 teste për të njëjtin numër banorësh. Edi Rama do e ironizonte kërkesën e opozitës.
Në muajin nëntor do vinte dhe vala e dytë e pandemisë. Shqipëria që prej fundit të nëntorit e kishte kaluar numrin 100 të prekjeve ditore, ndërsa vazhdonte të qëndronte e fundit në rajon dhe në Europë për numër testimesh të zhvilluara. Lajmet që vinin nga shtetet e tjera ishin shqetësuese. Më datë 18 nëntor Shqipëria regjistroi për herë të parë shifrën e 200 personave të prekur në ditë, ndërsa numri i testeve ishte sërish sa një e treta e Maqedonisë së Veriut. Kulmi i valës së dytë të pandemisë do shënohej rreth datave 9-10 dhjetor, ku numri i të prekurve në Shqipëri shkoi në 256 persona në ditë për 1 milion banorë, ose diku te 600 të prekur gjithsej, por rritja ishte një fenomen që po ndodhte në të gjitha vendet. Pas kësaj date sistemet shëndetësore fillojnë të marrin pak frymë pasi pati një ulje në mes të dhjetorit, dhe e shfrytëzuan kohën për të marrë masat e duhura.
Në muajin janar Shqipëria do luhatej mes 500-600 rasteve ditore, ose 200-250 raste pozitive për 1 milionë banorë. Testet vazhdonin të mbaheshin në kuota të ulëta në 110 të tilla për një mijë banorë ndërsa vendet e tjera i kishin rritur ndjeshëm me qëllim gjurmimin epidemiologjik. Për të ardhur deri në shkurt, i cili mund të cilësohet dhe si muaji i ferrit. Më datë 1 shkurt, Shqipëria do linte mbrapa vende të tilla si Italia, apo Gjermania për numrin e të prekurve, ndërsa vetëm gjashtë ditë më vonë do ishte në krye të listës me më shumë se 1000 të prekur ditorë, shifër kjo që linte pas dhe vende si SHBA dhe Anglia.
Që prej asaj date dhe deri më sot Shqipëria vazhdon të jetë vendi i parë më i prekur prej pandemisë për numër popullsie mes vendeve si SHBA, Anglia, Italia, Serbia, Maqedonia e Veriut apo dhe Kosova dhe vendi i fundit për numër testimesh. Sot në Shqipëri testohen 141 persona për 1000 banorë, kjo shifër në Maqedoni është 233, në Serbi 407, ndërsa në SHBA 970 dhe Angli 1200 testime për të njëjtin numër banorësh. Dhe sërish numri i prekjeve nuk rezulton aq i lartë sa yni.
Vdekjet, Shqipëria me numër më të lartë se SHBA apo Anglia për numër popullsie
Për sa i përket vdekjeve në shifra zyrtare të raportuara sipas John Hopkins Shqipëria rezulton me 594 vdekje për një milion banorë, ose 59.4 për 100000 mijë banorë. Konstantja botërore e raportuar është diku te 384 vdekje për 1 milion banorë. Kjo shifër, është më e ulët se Maqedonia e Veriut, Kosova apo Serbia, dhe natyrisht më e ulët se vendet e tjera europiane. Por nuk rezulton kështu për sa i përket rritjes së vdekjeve që nga 31 janari. Pas kësaj date Shqipëria zë vendin e parë ndoshta në Botë për rritjen e numrit të popullsisë. Ndërkohë që të gjitha vendet e tjera, shkojnë në reduktim të vdekjeve, në raport me ato të raportuara para 31 janarit 2021, Shqipëria shkon në datat 9 dhe 10 shkurt në shifrat e 97 % rritje.
Disa të dhëna në lidhje me këtë çështje.
Në këtë datë Bashkimi Europian ndjekësi më i afërt i Shqipërisë rezultonte me -3.8%, Maqedonia e Veriut me – 15 për qind reduktim të vdekjeve, Shtetet e Bashkuara me – 8.4%, Mbretëria e Bashkuar me -24%, Kosova me -41% ose gati përgjysmim të shifrave, ndërsa në rang botëror shifrat e vdekjeve u ulën me -8.9 pikë përqindje. Edhe sot e kësaj dite, Shqipëria vazhdon të ruajë vendin e parë në botë për rritjen e numrit të vdekjeve që nga fillimi i shkurtit.
Më datë 24 shkurt 2021, Shqipëria renditet sërish e para me 29% të rritjes së numrit të vdekjeve në raport me të njëjtën datë, dhe ndjekësi më i afërt është Maqedonia e Veriut me + 0.7% për qind, ndërsa të gjitha vendet e tjera vazhdojnë të jenë me minus pikë përqindje për sa u përket humbjeve të jetës. Duhet theksuar se në dhjetë muaj pandemi, nga marsi deri në fillim të dhjetorit Shqipëria ka regjistruar 39014 raste, ndërsa nga 1 dhjetori dhe deri më 25 shkurt ka regjistruar më shumë se 65 mijë raste sipas të dhënave zyrtare. Pra, një rritje me gati 190%
INSTAT
Por nuk është e gjitha, pasi këto janë shifrat zyrtare që raportohen nga qeveria si të vdekur nga Covid-19. Instituti i statistikave jep shifra të tjera, për sa i përket këtij fenomeni. Në raportin më të fundit, jepet një rritje e shifrave të vdekjeve gati 3 apo 4-fish me atë që raporton qeveria. Sipas të dhënave nga INSTAT, deri në fund të dhjetorit ka pasur një rritje me 5700 vdekje për vitin 2020, në raport me vitin 2019 ose dhe me vitet e tjera paraardhëse. INSTAT nuk e jepte arsyen e vdekjes por jepte vetëm shifrat e rritura. Vetë kreu i opozitës Lulzim Basha në datë 17 nëntor nxori dokumenta nga morgu, që vërtetonin se vdekjet nga COVID ishin sa dyfishi i raportuar deri më atë datë.
Shumë persona që vdesin në shtëpi, por dhe në spitale raportohen si vdekje të arrestit kardiak, për arsye se vdekjeve COVID nuk u lejohet që të kryejnë ritualet mortore. Nga ana tjetër, nuk raportohen në shifrat zyrtare as vdekjet në spitalet e Turqisë apo gjetkë. Pra, raportohen vetëm vdekjet në spitalet Covid-19. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe që Elbasani dhe Fieri kanë pasur dyfishim të vdekjeve në tremujorin e fundit të 2020, ndërsa Tirana ka një rritje me më shumë se 81 %.
Krahasimi
Por çfarë do të thotë kjo? Në rast se i shtojmë këtu dhe shifrat zyrtare të raportuara nga janari e në vazhdim që janë dikur te 860 vdekje të tjera, atëherë shifra shkon në më shumë se 6500 persona të vdekur nga COVID-19. Në një llogaritje të thjeshtë, i bie që Shqipëria të jetë ndër vendet e para, në mos i pari për numër banorësh që ka shifrën më të lartë të vdekjeve. Kjo përllogaritet në rreth 2300 banorë për një milion, ose 230 vdekje në 100 mije, ndërkohë që mesatarja botërore është 320 vdekje në 1 milion banorë, ose 32 vdekje në 100 mijë banorë . Me këto shifra Shqipëria ia kalon dhe Britanisë së madhe e cila e ka një shifër prej 1800 humbje jetësh në 1 milion banorë, ose 180 në 100 mijë. Anglia konsiderohet si vendi me vdekjet më të larta për numër banorësh në botë duke lënë mbrapa dhe SHBA-në apo Italinë që regjistrojnë përkatësisht 1518 dhe 1598 vdekje për 1 milion banorë.
Dasho: Vdekjet shtesë të raportuara, për shkak të COVID-19
Në një intervistë të datës 20 shkurt 2021, mjeku Erjon Dasho shprehet qartazi se vdekjet shtesë të raportuara nga INSTAT nuk janë gjë tjetër vetëm se vdekje të shkaktuara nga COVID, duke konfirmuar atë që thamë më lart se shifrat shkojnë në gati 230 humbje jete për 100 mijë banorë. Sipas tij, vdekjet shtesë në Gjermani, ku ai jeton dhe punon nuk e kalojnë shifrën e 50 për 100 mijë banorë.
“Raporti i INSTAT mbi vdekshmërinë shtesë është shumë shqetësues sepse vdekshmëria shtesë është një indikator që po përdoret në të gjithë botën për të treguar efektshmërinë ose mungesën e efektshmërisë për masat anticovid në vende të caktuara. Për shembull në Gjermani vdekshmëria shtesë është më pak se 50 për 100 mijë banorë. Kjo do të thotë që personat që kanë humbur jetën nga covid kishin një shëndet me probleme dhe këta persona edhe në mungesë të covidit për një arsye apo një tjetër do ta kishin humbur jetën gjatë vitit 2020.
Në rastin e Shqipërisë vdekshmëria shtesë është shumë më e lartë, ajo arrin në mbi 200 vdekje për 100 mijë banorë dhe shpjegimi i saj klinik domethënë se këta persona që humbin jetën nëse nuk do të kishte qenë covid nuk do të kishin vdekur. Kjo tregon se kujdesi për covidin, pra testim, gjurmim, trajtim, ka qenë nën optimalen dhe nuk ka arritur të adresojë sfidën që covidi iu ka bërë sistemeve shëndetësore”, -thotë Dasho.