Punimi i profesor Ahmet Gashit për Shqipërinë etnike dhe harta e Shqipërisë së vërtetë
Përgatiti: Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I DJESHËM
Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartave, administrohet dosja nr. 3, me afat ruajtje të përhershëm, me 42 fletë, e cila përmban hartën Shqipnija e Vërtetë, punuar nga Prof. Ahmet Gashi, si dhe një studim të tij me titull Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, përgatitur më 1941. Në kohën e përgatitjes së këtij studimi, prof. Ahmet Gashi, së bashku me Hamit Kokalarin, Hamdi Karazin dhe Memduh Rivenin, ishte pjesë e stafit teknik të Komisonit për Rivendikime Shqiptare, që kryesohej nga Fejzi Alizoti. Kontribut teknik pranë këtij komisioni dhanë dhe personalitete të tjera shqiptare, si Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Ferhat bej Draga, Tahir Shtylla, Rauf Fico etj. Rrethanat dhe arsyet e përgatitjes së këtij studime do të jenë objekt i një publikimi tjetër.
Prof. Ahmet Gashi (1888-1977) – Veprimtar i lëvizjes dhe i arsimit, gjeograf dhe historian, Mësues i Popullit, lindi në Prishtinë në një familje me tradita patriotike. Pasi mbaroi Normalen e Shkupit, u diplomua Profesor i Historisë e Gjeografisë në Universitetin e Stambollit (1910). Nga viti 1910 – 1964 ka punuar si mësues në Normalen e Prishtinës, Normalen e Elbasanit, Institutin Femëror “Nâna Mbretneshë”, Gjimnazin “Sami Frashëri” Prishtinë, në shkolla të niveleve të ndryshme në Tiranë.
Ahmet Gashi ka dhënë ndihmesë si autor i një sërë veprash shkencore në fushën e studimeve dhe të teksteve të gjeografisë. Ahmet Gashi ishte i pari gjeograf shqiptar i pranuar si anëtar i Shoqatës Nacionale Gjeografike (The National Geographic Society, Washington D.C.) më 1936; është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë” të kl. I, me Urdhërin “Për veprimtari patriotike” të kl.I. Përpiloi dhe botoi disa harta gjeografike dhe historike, ndër to hartën “Shqipëria në vitet 1878-1881”, “Kryengritjet shqiptare për pavarësi në vitet 1909-1912”, “Lëvizja kombëtare shqiptare e vitit 1908”.
Harta Shqipnija e Vërtetë paraqet shtrirjen etnike të shqiptarëve në shkallën 1 me 200 000 dhe shoqërohet me studimin e Prof. A. Gashit: Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, nga i cili po paraqesim pjesët kryesore për lexuesin e gazetës “Mapo”, duke ruajtur gjuhën origjinale të dokumentit. Kujtojmë se pas kapitullimit të Jugosllavisë, në prill 1941, Mbretëria Shqiptare u zgjerua në një pjesë të trojeve shqiptare të shtrira në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, ku shtriu dhe veprimin e pushtetit politik, ushtarak dhe administrativ.
Vlera e këtij studimi është e shumëfishtë dhe aktuale, në një kohë kur diskutimet, kundërshtitë, argumentet dhe kundërargumentet për korigjimin e kufirit Kosovë-Serbi, apo shkëmbime territori janë intensifikuar në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Evropë, ShBA etj.
Në vijim ndiqni pjesë nga studimi.
***
Masa e dytë për fikjen ekonomikisht të elementit shqiptar muhamedan të mbetun në pjesën e Shqipnis së robnueme ndën Greqin, ishte konfiskimi i trojeve të tyre bujqësore. Qeverija greke, kinse për qëllimet e reformës agrare, pat hartue disa ligje. Këto ligje të hartueme me mjeshtëri të posaçme u zbatuen vetëm për tokat e elementit shqiptar muhamedanë e jo kurrë ndonjëherë për elementin grek të shtetit grek. Në këtë mënyrë djallëzore autoritetet greke duke u mbështetun mbi ato ligje e nxirrshin shqiptarin nga toka e vet pa i pague asgjë ose tue i pague një çmim pa vleftë. Tokat shqiptare të grabituna u jepeshin falas grekëve të sjellun prej visesh të tjera. Shqiptari i mbetun keq nuk mund të përmbahesh mâ, nuk mund të ushqente më fëmijët e vet e kështu shtërngohesh me dhimbje zemre me i lanë trojet, votrat edhe varrezat e stërgjyshëve e me emigrue në Shqipnin e lirë ose në Turqi.
Qeveritarët grekë, kur panë se nuk mund të zhdukesh një popull i tânë me masakrime, filluen me masat që përmendëm ma naltë t’i dëshpërojnë shqiptarët muhamedanë tue u grabitun tokat bujqësore. Veç kësaj, u vunë taksa të rënda e të papagueshme e kështu i fikën fare ekonomikisht. Këta të shkretë të dëshpëruar e të vorfënuem humbën çdo shpresë jetese e u shtrënguen të emigrojnë, shumë për në Turqi (pse ashtu dojshin autoritetet greke) edhe një pakicë në Shqipni (sepse pengoheshin me të gjitha mënyrat prej autoriteteve greke).
Deri më 1923, si thamë edhe më naltë, në periudha të ndryshme qenë të shtrënguem të ikin për në Turqi edhe gjetiu shumë mijë familjesh shqiptare të krahinave të ndryshme, si të Voshtinës, Filatit, Margëllëçit, të Prevezës, të Janinës e të tjera. Shumica e tyre shkuen mbas shtërngatës së tmerrshme të barbarizmave të Luftës Ballkanike të 1912-ës.
Më 1923, mbas luftës turko-greke, qe lidhun Traktati i Lausanne-s ndërmjet Turqisë dhe Greqisë. Në këtë traktat, veç të tjerash, ishte edhe puna e shkëmbimit të pakicave. Greqia muer 1 500 000 ortodoksë turq, tue i quejtun këta grekë pse ishin ortodoksë. Në vend të këtyne çoi në Turqi qindra mijë muhamedanë, shumica e tyne jo nga raca e verdhë turke, por nga raca e bardhë. Ndër këta që u çuen me përdhuni në Turqi ndodheshin më se 20 000 familje shqiptarësh që nuk dinin asnjë fjalë turqisht. Sadoqë këta u ankuan për këto padrejtësi pranë Komitetit të Shkëmbimeve që ndodhej me qendër në Stamboll, asnjëherë nuk iu muer parasysh ankimi, pse anëtarët e atij komisoni përbaheshin prej njerëzish të porositun prej qeverive të tyne të mos ua vinin veshin ankimeve të drejta të shqiptarëve. Kështu pra kemi humbun me qindra mijë frymë shqiptarësh nga Shqipnija e Jugut e pushtueme prej Greqisë me politikën e saj djallëzore. Sot këta shqiptarë të Shqipnisë së Jugut, të çuem me përdhuni në Turqi bashkë me vllaznit e tyne të Shqipnisë veriore e lindore, i kujtojnë me mallëngjim trojet e tyne, i vajtojnë vllaznit e të njoftunit e tyne të masakruem barbarisht prej serbëve e grekëve dhe presin gjithnjë që të vijë Dita e Drejtësisë, në të cilën ta shohin të liruem mëmedheun e vet e t’u zgjatet një dorë shpëtimtare që t’i marrin prej andej e t’i sjellë prap në vendet e tyne.
Shqiptarët e emigruem me përdhuni në Turqi, kur piqen njëri me tjetrin, fjalën e përditshme “Ç’kemi nga Kosova e Çamëria? Kur po na lirohen?”, e kanë gjithmonë në gojë dhe sa herë që e flasin mallëngjehen e përloten. Këta qindra mijë shqiptarë që ndodhen në Turqi duhet të kthehen në vendet e veta, kur të lirohen këto në ditën vendimtare të drejtësisë dhe shpenzimet për këtë punë duhet t’u ngarkohen shteteve që janë përgjegjës për fajin e randë që kanë bâmë tue dashtë nergut ta humbin e ta shfarojnë racën fisnike arbënore.
- Gjendja e tashme e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme ndën Jugosllavi e ndën Greqi
Përdhunimet e vrasjet, djegiet e pjekjet, nuk iu kursyen racës shqiptare nga qeveritë antipopullore të Jugosllavisë dhe Greqisë nëpër viset arbnore, megjithëkëtë shqiptarët, me shumicë e më një durim të pashoq, qëndruen të fortë në vatrat e tyne. Kjo është cilësija e një race të vjetër, që âshtë regjun e mësuem të heqi keq qysh në kohnat e vjetra të shkeljeve të barbarëvet. Nuk besoj të gjindet ndonjë racë tjetër, në fytyrën e tokës, që të mundet të qëndrojë në kâmbë mbasi të ketë vuejtun aq sa raca e shqiptarit.
Sot, me gjithë ato të vuajtuna, prap se prap vetëm në zgjedhën jugosllave (në pjesën e Podgoricës, Tivarit, Ulqinit, në ish – vilajetin e Kosovës e të Manastirit) ndodhen më se 1 200 000 frymë shqiptarë (serbët me statistikën zyrtare pohojnë vetëm një të tretën e kësaj sasie, tue i numërue dy të tretat po të asaj sasie si turq ose serbë muhamedanë të shqiptarizuem-shënim i A. Gashit), në një gjendje tepër të mjerueme, janë të fikun ekonomikisht, janë shtypun egërsisht, kanë mbetun pa shkolla në gjuhën amtare, janë lanë pa asnjë kredi bankare që âshtë fort e nevojshme për zhvillimin e tregëtisë, kurse serbëve të instaluem në vatrat shqiptare u jepen pa kursim ato kredina dhe çdo farë ndihme e përkrahje. Këta shqiptarë i mban të gjallë vetëm një shpresë, e cila âshtë “shpëtimi nga zgjedha e rândë dhe bashkimi me Shqipnin!”.
Presim me durim të thellë që t’ia mbërrijë dita e drejtësisë në të cilën të gjykohet fati i tyne dhe t’u zgjatet dora e fortë e shpëtimtarit që t’i shpëtojë nga ajo robni e zezë.
Këta përbajnë elementin mâ të fortë të racës shqiptare, këta janë luftëtarët e 1910-ës, 1911-ës, 1912-ës, në kryengritjet e Kosovës që luftuan për pavarësinë e Shqipnis dhe së fundi në pragun e luftës Ballkanike, fituan autonomin e katër vilajeteve, të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës e të Janinës (shih veprën “Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vjetit 1912, shkruem prej Hasan Prishtinës, Shkodër, Sh. Françeskane, 1921, faqe 28, 29, 30-shënim i A. Gashit).
Edhe ndën zgjedhën e rândë të Greqisë, nëpër krahinat e Çamërisë, të Janinës, të Sulit, të Maqedonisë Jugperëndimore ndodhen më se 200 mijë frymë shqiptarë. Këta porsi vllaznit e tyne të robnuem në Jugosllavi, gjendjen e kanë të mjerueme, por të ndjekun e të dhunuem egërsisht janë dëbue përdhunisht që të ikin në Turqi, në Shqipnin e Lirë. Edhe këta i mban të gjallë vetëm shpresa e cila është “SHPËTIMI NGA ROBNIMI I GREKËVET DHE BASHKIMI ME SHQIPNIN”.
Ky element i fortë, punëtor e luftëtar ka me dijtun mâ së miri të jetë mirënjohtës ndaj dorës së fuqishme që ka me na shpëtue nga thonjt’ e pushtuesve barbarë.
- Disa statistika për viset shqiptare të robnueme (pjesë nga studimi)
(Këto shënime janë nxjerrë prej librit “Albanais et Slaves” të Lumo Skendos, shtypun në Lausanne, më 1919-shënim i A. Gashit)
Në kohën e inspektorit të përgjithshëm turk Hysen Hilmi Pashës e tanë popullsia e Vilajetit të Kosovës ishte çmue 1 063 666 frymë, nga të cilat 754 631 ishin myslimanë, domethânë shqiptarë, sepse turqit gjithnjë i shënojshin shqiptarët si myslimanë; kështu pra Vilajeti i Kosovës ishte tre të katërtat shqiptarë e një e katërta sllavë (serbë e bullgarë), simbas politikës, megjithëqë në këtë vilajet hynin edhe disa kaza që ishin jashtë kufirit të shqiptarëve, sikurse Egri-Palanka, Malëshova, Ishtibi, Koçani, Karatova, Radovishta, Novi-Varoshi, Senica e Tashlixheja, që kishin sllav e turq. Po të mos i fusim në numër këto kaza, atëherë shqiptarët baheshin 85% e popullsisë së vilajetit të Kosovës.
Statistikat e fundit turke, që janë bâ disa muaj përpara Luftës Ballkanike, mund të merren si mâ të mirat e me mâ pak gabime se të gjitha të tjerat. Në këto statistika popullsia âshtë shënuem simbas fesë e jo simbas kombësisë e prandaj shqiptarët janë shënue myslimanë, përveç kësaj edhe nga ata që janë shënue serbë e bullgarë ka një shumicë të madhe që janë shqiptarë ortodoksë. Këto statistika të fundit turke na thonë se Vilajeti i Kosovës (bashkë me vendet ku s’ka shqiptarë, si Egri-Palanka, Ishtibi, Koçani, Karatova, Radovishta, Senica e Plavlja) ka gjithsejt 1 341 499 frymë të ndame sipas fesë kështu:
- 829 756 myslimanë, domethanë shqiptarë 64,14%.
- 226 528 serbë edhe shumë pak grekë (shumë shqiptarë ortodoksë) 18,80%.
- 204 021 bullgarë (shumë shqiptarë ortodoksë) 15,76%.
- 20 349 katolikë shqiptarë 1,50%.
- 147 protestantë shqiptarë.
- 3 171 çifutë 0,20%.
- 10 527 ciganë 0,60%.
* * *
Epaminondas Mavromatis, që ka qenë konsull i Greqisë në Shkodër më 1876 deri më 1881, jep këtë statistikë në një studim të vetin të botuem, më 1884:
Shqiptarë | Serbë | Bullgarë | ||||
Myslimanë | Të krishterë | Myslimanë | Të krishterë | Myslimanë | Të krishterë | |
Prizreni | 35 000 | 1 700 | 13 000 | 15 500 | – | – |
Gjakova | 25 000 | 9 800 | – | 500 | – | – |
Ipeku (Peja) | 20 000 | 2 200 | – | 15 000 | – | – |
Kalkandeleni
(Tetova) |
52 000 |
– |
– |
– |
25 000 |
26 000 |
Luma | 32 000 | – | – | – | – | – |
Prishtina | 19 000 | – | – | 11 000 | – | – |
Gjilani | 22 000 | 1 300 | 1 200 | 21 300 | – | – |
Vuçiterni | 12 000 | – | – | 5 500 | – | – |
Mitrovica | 6 000 | – | – | 5 000 | – | – |
Novipazari | 30 000 | – | 26 000 | 80 000 | – | – |
Vranja | 23 000 | – | – | 60 500 | – | – |
Shkupi | 18 000 | – | – | – | 3 000 | 30 000 |
Kumanova | 10 500 | – | – | – | 2 000 | 29 000 |
Edhe këtu, sikurse edhe në statistikat e tjera të atyne kohëve, duhet ta kemi ndërmend se një pjesë e madhe e atyne që janë shënuem si serbë a bullgarë të krishterë janë shqiptarë ortodoksë e prandaj janë shënuem si sllavë.
Po ky shkrimtarë grek thotë se Maqedonija Perëndimore shqiptare përfshin Bitoljen (Manastirin), Prilepin, Ohrin, Kastorijen, Florinën, Kërçovën, Kolonjën edhe Korçën. Veç kësaj thotë edhe se Shqipnija gjeografike shtrihet prej Malit të Zi deri në Gjirin e Artës edhe prej Pindit në Malin e Sharrit.
Fund
Burimet:
AQSH, Fondi 144 – Koleksioni i hartave, Dosja 3.
AQSH, Fondi 161 – Mëkëmbësia e Përgjithshme, V.1941.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëllimi I, ”Kritalina-KH”, Tiranë, 2008.
Gani Demir Ratkoceri, Prof. Ahmet Gashi, rilindasi i fundit, “Albano Esperanto-Instituto”, Tiranë, 2008.